Ndërlidhjet

SHBA-ja sanksionon organizata kineze për shkak të “abuzimit me ujgurë”


Kinë: Një polic qëndron pranë një turme të ujgurëve, të cilët po hyjnë në një xhami në provincën Xinjiang të Kinës. Fotografi nga arkivi.
Kinë: Një polic qëndron pranë një turme të ujgurëve, të cilët po hyjnë në një xhami në provincën Xinjiang të Kinës. Fotografi nga arkivi.

Shtetet e Bashkuara kanë futur në listë në zezë 28 organizata kineze për përfshirjen e tyre të supozuar në abuzime kundër ujgurëve etnikë në provincën Xinjiang të Kinës.

Organizatat tani janë pjesë e të ashtuquajturës Listë e Subjekteve, sipas së cilës atyre u ndalohet që të blejnë produkte nga kompanitë amerikane pa miratimin e Uashingtonit.

Në mesin e 28 shënjestrave përfshihen agjencitë qeveritare dhe kompanitë teknologjike të specializuara për pajisje të vëzhgimit.

Por, kjo nuk është hera e parë që Shtetet e Bashkuara kanë përballur grupet kineze me ndalesa të tilla tregtare.

Në muajin maj, administrata e presidentit amerikan, Donald Trump ka shtuar gjigantin kinez të telekomunikimeve, Huawei në Listën e Subjekteve për shkak të shqetësimeve për sigurinë e produkteve të saj.

Departamenti i Tregtisë ka thënë se organizatat janë të “përfshira në shkelje dhe abuzim me të drejta të njeriut”.

Grupet për të drejta të njeriut kanë thënë se Pekini është duke persekutuar myslimanët ujgurë në kampe të ndalimit.

Kina në anën tjetër i konsideron këto kampe si “qendra për trajnim” të luftimit të ekstremizmit.

Kë ka shënjestruar SHBA-ja?

Departamenti i Tregtisë ka thënë në vendimin e tij se këto 28 subjekte janë të përfshira në “fushatën e Kinës për shtypje, ndalime masive dhe vëzhgime përmes teknologjisë së avancuar të ujgurëve, kazakëve dhe anëtarëve tjerë të grupeve minoritare myslimane”.

Në mesin e subjekteve gjendet edhe Zyra për Siguri Publike e provincës, Xinjiang, së bashku me 19 agjenci më të vogla qeveritare.

Hikvision, Dahua dhe kompania Megvii janë në mesin e tetë grupeve komerciale në listë, shumica prej të cilave janë të specializuara për teknologji të identifikimit të fytyrës.

Shtetet e Bashkuara dhe Kina janë përfshirë në një luftë tregtare dhe kanë dërguar delegacione në Uashington për të zhvilluar takime pas rritjes së tensioneve më vonë gjatë kësaj jave.

Si është situata në Xinjiang?

Kina ka nisur një operacion masiv të sigurisë në Xinjiang gjatë viteve të fundit.

Grupet për të drejta të njeriut dhe Kombet e Bashkuara kanë thënë se Kina ka ndaluar më shumë se 1 milion ujgurë dhe grupe tjera minoritare nëpër kampe duke i detyruar të heqin dorë nga feja Islame, të flasin vetëm gjuhën kineze dhe të mësojnë si t’i shërbejnë qeverisë komuniste.

Kina ka thënë se këta njerëz janë duke marrë pjesë në “qendra të trajnimit” në të cilat ata fitojnë vende të punës dhe ju ofrohet ndihmë për t’u integruar në shoqërinë kineze, në emër të parandalimit të terrorizmit.

Tash e një kohë, Shtetet e Bashkuara dhe një varg vendesh tjera kanë dënuar veprimet e Kinës në Xinjiang.

Javën e kaluar, Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka supozuar gjatë një konference për media në Vatikan se Kina “u kërkon qytetarëve të saj ta adhurojnë qeverinë dhe jo Zotin”.

Në muajin korrik, më shumë se 29 shtete të Këshillit të Kombeve të Bashkuara për të Drejta të Njeriut kanë nënshkruar një letër, duke kritikuar trajtimin që po u bën Kina ujgurëve dhe myslimanëve tjerë.

Ujgurët janë myslimanë me prejardhje turke. Ata përbëjnë rreth 45 për qind të popullatës në Xinjiang ndërkohë 40 për qind tjerë janë kinezë hanë. Kina ka fituar kontrollin e kësaj zone më 1949. Nga kjo kohë në këtë zonë ka ndodhur në shkallë e lartë e imigrimit të kinezëve hanë dhe atyre ujgurë, të cilët janë të shqetësuar për zhdukje të kulturës së tyre.

Xinjiang njihet zyrtarisht si rajon autonom brenda Kinës, sikurse Tibeti.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG