Vitia dhe Jevtiq bëjnë thirrje për bashkëpunim në luftën kundër koronavirusit
Ministri në detyrë Shëndetësisë në Kosovë, Arben Vitia dhe nënkryetari i Listës Serbe, Dalibor Jevtiq iu kanë bërë thirrje qytetarëve të përdorin të gjitha shërbimet e mundshme në luftën kundër koronavirusit.
Në një konferencë të përbashkët për media, Jevtiq, falënderoi ministrin në detyrë Vitia për ndihmën e dhënë në luftimin e kësaj sëmundjeje.
Vitia në anën tjetër ka thënë se institucionet shëndetësore në Kosovë janë të hapura për pjesëtarët e të gjitha komuniteteve në ofrimin e ndihmës në gjithë Kosovën.
Ai iu bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të bashkëpunojnë në mënyrë që të mbrojnë shëndetin publik në Kosovë dhe shtoi se është koha për të forcuar ndërveprimin me të gjitha komunat.
"Ne duhet të punojmë së bashku për të qenë në gjendje të testojmë dhe të ndihmojmë rastet dhe njerëzit me simptoma në komunitetin tuaj. Në këtë kohë të vështirë të pandemisë së Covid-19 përballë të gjithë botës, ne në Kosovë duhet të jemi së bashku më shumë se kurrë dhe të ndihmojmë njëri-tjetrit, "ka thënë mes tjerash Vitia.
Nënkryetari i Listës Serbe, Dalibor Jevtiq gjithashtu bëri thirrje për respektimin e rekomandimeve të ekspertëve në fushën e mjekësisë.
"Kjo sëmundje nuk njeh kufij, kjo sëmundje nuk njeh ndryshime dhe sulmon në mënyrë të barabartë të gjithë njerëzit. Është gjithashtu e rëndësishme që, përveç veprimit parandalues, të raportojmë çdo simptomë që tregon se njëri prej nesh mund të infektohet me Covid-19 " tha Jevtiq.
Përndryshe, analizat e mostrave nga komunitetet serbe në Kosovë kryhen në Institutin për Virologji, Vaksina dhe Serum "Torlak" në Beograd, por këtë javë testimi per disa raste është kryer edhe në Prishtinë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Deri më tani është raportuar për nëntë raste të prekura me koronavirus në komunat serbe në Kosovë. Një person nga Leposaviq që vuante nga Covid-19 është raportuar të ketë vdekur të mërkurën.
Lajmi është bërë i ditur nga Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.
Ka shumë mite dhe keqkuptime lidhur me koronavirusin. Njohja e fakteve është e rëndësishme në luftimin e parandalimit të përhapjes së infeksionit.
Sfidojeni veten përmes një kuizi duke klikuar këtu.
Pse testimi është i rëndësishëm për të rrafshuar lakoren e COVID-19?
Kyç në frenimin e pandemisë së koronavirusit, që po e rrënon globin, mund të jetë një shkop i gjatë 15 centimetra, i bërë nga plastika ose druri, me një pambuk të vogël në fund.
I futur në hundën tuaj, derisa arrin pjesën e pasme të fytit, tamponi mundt të përdoret për të mbledhur qeliza, ADN-ja e të cilave mund të analizohet dhe testohet për prani të SARS-CoV-2.
SARS-CoV-2 është emri shkencor i sëmundjes që gjerësisht njihet si koronavirus.
Tamponi nuk është ndjesia më e këndshme. Sidoqoftë, është një nga mënyrat më efikase për të testuar numër të madh njerëzish, thonë ekspertët, dhe për të kuptuar se kush duhet të vihet në karantinë, ku është duke goditur rëndë virusi dhe kush mund të jetë imun.
Disa vende, si Koreja e Jugut, janë vlerësuar për testime masive të popullatave të tyre dhe për frenimin e koronavirusit, por të tjerat kanë ngecur.
Këto të fundit përfshijnë Italinë dhe Spanjën, dy vendet e goditura më së keqi, dhe Shtetet e Bashkuara.
Si bëhen testet?
E kuptoni duke klikuar këtu
Shenzheni ndalon konsumimin e mishit të maces dhe qenit
Shenzheni është bërë qyteti i parë kinez që ka ndalur shitjen dhe konsumimin e mishit të qenit dhe maces.
Ky vendim vjen pasi shpërthimi i koronavirusit të ri ka qenë i lidhur me mishin e kafshëve, çka ka shtyrë autoritetet kienze që të ndalojnë shitjen dhe konsumimin e kafshëve të egra.
Por, Shenzheni ka shkuar një hap tutje, duke zgjeruar ndalesën edhe për mishin e maces dhe qenit.
Ligji i ri është thënë se do të nisë së zbatuari nga 1 maji.
Organizata, Shoqëria Njerëzore Ndërkombëtare ka thënë se 30 milionë qen vriten brenda një viti për konsumim në Azi.
Megjithatë, praktika e ngrënies së mishit të qenit nuk është shumë e populluar në Kinë, pasi shumica e kinezëve nuk kanë bërë kurrë diçka të tillë.
“Qeni dhe macja si kafshë kanë krijuar lidhje shumë më të ngushta me njerëzit për dallim nga kafshët tjera, andaj ndalimi i konsumimit të mishit të tyre dhe kafshëve tjera është praktikë e zakonshme në shtetet e zhvilluara, sikurse edhe në Hong Kong dhe Tajvan”, është cituar të ketë thënë qeveria e qytetit Shenzen për agjencinë e lajmeve Reuters.
Koronavirusi i ri, që ka shpërthyer fillimisht në Kinë në dhjetor të vitit të kaluar, ka prekur pothuajse 1 milion persona në gjithë botën.
Aktualisht epiqendër e këtij virusi në botë janë Shtetet e Bashkuara, me më shumë se 5,000 persona të vdekur.