Thellimi i krizës politike dhe kushtetuese, vështirëson menaxhimin me pandeminë
Në kohën kur Kosova po përballet me pandeminë e koronavirusit, skena politike dhe institucionale është duke u përballur edhe me një ngërç politik dhe kushtetues, vlerësojnë njohesit e zhvillimeve politike në vend.
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tashmë ka paralajmëruar se do t’i japë mandatin për formimin e qeverisë së re një partie, e cila është e gatshme që të bëjë shumicën parlamentare për formimin e qeverisë.
Në anën tjetër, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar që me veprimet e tilla, presidenti është duke e shkelur Kushtetutën e vendit.
Artikullin e plotë mund ta lexoni këtu.
Në Serbi janë regjistruar edhe pesë vdekje nga COVID-19
Gjatë 24 orëve të fundit në Serbi janë shënuar edhe pesë viktima nga koronavirusi i ri.
Numri i përgjithshëm i vdekjeve në këtë vend ka arritur në: 139.
Shtabi i Krizës njoftoi se gjatë 24 orëve të fundit janë konfirmuar si të infektuar edhe 162 persona, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të infektuarve në 7,276.
Aktualisht, 3, 477 pacientë janë shtruar në spital, 96 janë në respirator, ndërsa 1.063 po trajtohen si të kuruar.
Epidemiologu, Predrag Kon, ka thënë se shifrat flasin se Serbia po del nga epidemia.
Pandemia ka nxitur gjuhën e urrejtjes dhe diskriminimin, thotë shefi i OKB-së
Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar se pandemia e koronavirusit "po shëndrohet shumë shpejt" në një krizë të të drejtave të njeriut, pasi qeveritë po zbatojnë masa kufizuese dhe kanë mospajtime për të ndarë së bashku qindra miliarda dollarë në ndihmë për të lehtësuar efektet sociale dhe ekonomike.
Në një video-mesazh më 23 prill, sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres, paralajmëroi për një diskriminim në ofrimin e shërbimeve publike për të trajtuar COVID-19,sëmundje kjo që ka vrarë më shumë se 184,000 njerëz në të gjithë botën.
Guterres tha se shpërthimi, gjithashtu ka sjellë "një rritje të gjuhës së urrejtjes, shënjestrimin e grupeve të cenueshme".
Pa emërtuar ndonjë vend apo parti, Guterres paralajmëroi se me "nacionalizmin etnik në rritje, populizëm, autoritarizëm dhe një reagim kundër të drejtave të njeriut në disa vende, kriza mund të shërbejë si arsye për të miratuar masa shtypëse për qëllime që nuk kanë lidhje me pandeminë".
Më shumë se 2.6 milionë njerëz në botë tashmë janë infektuar me koronavirusin e ri, sipas të dhënave nga Universiteti Johns Hopkins.
Megjithatë, niveli i vërtetë i numrit të të infektuarve dhe vdekjeve besohet të jetë shumë më i lartë, për shkak të raportimit të ulët nga zyrtarët dhe sigurimit të dobët të të dhënave në disa rajone.
Shumë vende kanë deklaruar gjendje të jashtëzakonshme për të luftuar përhapjen e virusit, dhe Guterres paralajmëroi se çdo masë urgjente duhet të jetë "ligjore, proporcionale, e nevojshme dhe jo-diskriminuese.
"Mesazhi është i qartë: Njerëzit dhe të drejtat e tyre duhet të jenë qendër të çdo mase", tha shefi i OKB-së.
Qytetarët detyrohen të mbajnë maska në Maqedoninë e Veriut
Disiplina në respektimin e masave për frenimin e përhapjes së koronavirusit është çelësi i suksesit për të luftuar infeksionin nga ky virus, theksojnë nga Instituti i Shëndetit Publik në Maqedoninë e Veriut duke komentuar masat e fundit të qeverisë, me ç`rast qytetarët detyrohen të mbajnë maska mbrojtëse edhe në ambientet e hapura për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.
Autoritetet zyrtare të vendit kanë theksuar se zbutja e masave për sa i përket kufizimit të lëvizjes është e varur ngushtë nga disiplina e qytetarëve për të respektuar rekomandimet që kanë të bëjnë me mbajtjen e maskave dhe distancën fizike.
Artikullin e plotë mund ta lexoni këtu.