Ndërlidhjet

Gjykata Kushtetuese ka fuqinë të krijojë stabilitet politik


Qeveria e Kosovës - ilustrim
Qeveria e Kosovës - ilustrim

Në kohën kur Kosova po përballet me pandeminë e koronavirusit, skena politike dhe institucionale është duke u përballur edhe me një ngërç politik dhe kushtetues, vlerësojnë njohesit e zhvillimeve politike në vend.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tashmë ka paralajmëruar se do t’i japë mandatin për formimin e qeverisë së re një partie, e cila është e gatshme që të bëjë shumicën parlamentare për formimin e qeverisë.

Në anën tjetër, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar që me veprimet e tilla, presidenti është duke e shkelur Kushtetutën e vendit.

Analistja Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se ngërçi aktual në skenën politike ka nisur që para mocionit të mosbesimit, i cila e rrëzoi qeverinë e drejtuar nga Albin Kurti.

Sipas saj, në vazhdim, veprimet e institucioneve dhe partive politike kanë quar drejtë krizës politike, e cila mund të thellohet edhe më tej.

“Marrë parasysh që nuk kemi pasur në situatë të ngjashme në të kaluarën dhe meqë jemi shtet i ri dhe jemi duke e testuar qoftë demokracinë tonë, qoftë Kushtetutën e vendit, është më se e nevojshme që Gjykata Kushtetuese të thotë fjalën e vet dhe që të mund t’i nxjerrë palët nga ky diskurs politik, duke tentuar që të krijojë një stabilitet politik në këtë situatë, që nuk është aspak stabile. Në këtë mënyrë të evitojë thellimin e mëtejshëm të krizës politike, si dhe të evitojë një krizë e cila mund të prekë gjithë shoqërinë”, tha Krasniqi.

Sipas saj, e gjithë kjo krizë politike ka të bëjë me procesin e dialogut Kosovë-Serbi, i cili edhe më herët është konsideruar që duhet të jetë prioritet i cilësdo qeveri që do të udhëheqte vendin.

Pikërisht ky proces, siç thotë ajo, ka ndikuar edhe në jetëgjatësinë e qeverisë aktuale, e cila tashmë është në detyrë, por edhe të partive politike.

Sfidë e tanishme për partitë politike dhe institucionet, siç thotë ajo, do të jenë veprimet të clat do t’i ndërmarrin e që nuk duhet të rrezikojnë të shkelin Kushtetutën dhe të cenojnë demokracinë e institucioneve dhe kushtetutshmërinë e funksionimit të shtetit.

Analisti Arton Demhasaj nga Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet – Çohu, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë që tashmë me emërimin e Avdullah Hotit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, si kandidat për kryeministër të ri, me pretendimin se mund të krijojë shumicën për formimin e qeverisë së re, bllokada kushtetuese shumë shpejt mund të merr një rrugë.

“Tashmë ekziston një veprim dhe kur kemi një veprim hapet rruga për ta dërguar kërkesën në Gjykatën Kushtetuese për të interpretuar nëse veprimi i presidentit është ose jo në përputhje me Kushtetutën, pas nëj kërkese që potencialisht mund ta dorëzojë Vetëvendosja".

"Me nxjerrjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, atëherë gjithçka bëhet e qartë dhe ose njihet si kushtetues veprimi i presidentit dhe zgjedhja e qeverisë nga ana e LDK-së, nëse zgjidhet, ose kthimi në pikën zero, ku konsiderohet që presidenti e ka shkelur kushetutën me dekretimine dikujt nga LDK për kryeministër”, tha Demhasaj.

Ai shtoi se megjithatë, veprimet e partive politike në ditët në vijim, mund të krijojnë situata, të cilat mund të ndikojnë edhe në çështjen e menaxhmit të përballjes me pandeminë e koronavirusit.

“Situata është kjo: në rast se zgjidhet qeveria e Hotit në kuvend, por qeveria e Kurtit refuzon që ta lirojë vendin në qeveri për shkak se konsideron që nuk janë zgjedhur në mënyrë kushtetuese, atëherë mund të hyjmë në një situatë të një bllokade që mund të ketë pasoja edhe te kjo çështja e menaxhimit të pandemisë së COVID-19."

"Ne po po e shohim se sa shumë ka nevojë për stimulim financiar sektori privat, sektori publik dhe sektore tjera, kështu që mund të ketë pasoja shumë të rënda edhe te çështja e menaxhimit të pandemisë”, u shpreh Demhasaj.

Thellimi i mëtejmë i krizës politike dhe kushtetuese, siç thotë analistja Krasniqi, do të vështirësonte edhe më shumë qasjen ndaj sfidave edhe më të mëdha që e presin vendin, pas tejkalimit të pandemisë së koronavisrusit.

“Të gjitha institucionet duhet të jenë të fokusuar edhe në aspektin ekonomik, sepse shumë shpejt do të jetë e nevojshme që të ketë nevojë edhe për ndërhyrje ekonomike, për të mos pësuar kolaps ashtu siç po paralajmërohet në gjithë botën. Prandaj kriza politike duhet të lihet me një anë për të parë interesin e qytetarëve. Por, pë fat të keq, nuk jemi duke e parë këtë gjë. Jemi duke parë që spektri politik ka vënë në fokus dhe në rol parësor interesat e ngushta politike, të cilat patjetër që do të ndikojnë drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve”, u shpreh Krasniqi.

Krijmi i jostabilitetit shoqëror, si rezultat i përplasjeve politike, siç thanë njohësit e zhvillimeve politike, mund të krijojë situata të rrezikshme për stabilitetin e vendit, në kohën kur po përballet me pandeminë, e cila ka pëfshirë gjithë botën.

XS
SM
MD
LG