“Jeni lodhur nga izolimi, por rreziku nuk ka kaluar ende”
Trendi i pandemisë së koronavirusit në Kosovë është në rënie dhe nëse do ta ketë një ecuri normale, kjo rënie do të vazhdojë edhe më tej, vlerësojnë zyrtarët shëndetësorë në vend. Por, sipas tyre, në rast se institucioneve të vendit dhe qytetarëve do t’iu mungojë vigjilenca, ekziston rreziku që trendi të marrë kahe negative.
Me vendimin e Ministrisë në detyrë të Shëndetësisë, më 4 maj ka nisur zbatimi i fazës së parë të lehtësimit të masave kufizuese kundër koronavirusit. Orari i qarkullimit të qytetarëve, sipas numrave të parafundit në letërnjoftimeve të tyre, i cili ka qenë 90 minuta në ditë, tashmë është zgjeruar dhe qytetarët mund të lëvizin dy herë në ditë nga 90 minuta.
Gjithashtu janë hapur edhe një numër i dyqaneve dhe bizneseve tjera.
Valbon Krasniqi, infektolog në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), thotë për Radion Evropa e Lirë që lehtësimi i masave kufizuese kundër koronavirusit, nuk duhet ta ulë vigjilencën e institucioneve dhe as të qytetarëve. Siç thekson ai, Kosova ende është në gjendje pandemie dhe vazhdon të ketë mbi 400 raste aktive në terren, të cilët janë pozitive me koronavirus, si dhe disa mijëra persona të tjerë që janë në mbikëqyrje, si persona të kontaktit, të cilët eventualisht mund ta zhvillojnë sëmundjen.
“Duhet të jemi realë dhe të kërkojmë një lloj drejtpeshimi në mes të periudhës, në të cilën gjendemi tani. E dimë që qytetarët janë lodhur. E dimë që kemi kaluar tashmë thuajse dy muaj dhe qytetarët mezi presin që të lirohen nga këto masa. Por, sidoqoftë, këshilla jonë është që të vazhdojnë edhe për pak që të jenë të kujdesshëm”, tha Krasniqi.
Artikullin e plotë e gjeni këtu.
Zyrtari gjerman: Pushimet e verës jashtë shtetit, “të mundshme”
Shefi për turizëm në Gjermani, Komisionari Thomas Bareiss ka thënë se gjermanët ndoshta do të mund të kryejnë pushimet verore jashtë shtetit.
Bareiss ka thënë për të përditshmen, Der Tagesspiegel se nëse pandemia me koronavirus është nën kontroll, njerëzit do të shkojnë diku jashtë shtetit për pushime.
Ai ka thënë se Gjermania ka qenë duke negociuar me kombet tjera rreth pushimeve të verës.
Qeveritë evropiane janë duke shqyrtuar një varg mundësish për të bërë të mundur periudhën e pushimeve.
Më shumë se 100,000 persona është konfirmuar të kenë vdekur si pasojë e koronavirusit në Evropë.
Mirëpo të dhënat e fundit tregojnë se shtetet e goditura më së keqi nga ky virus: Franca, Italia dhe Spanja, kanë kaluar pikun e shpërthimit.
Presidenti francez, Emmanuel Macron u ka thënë të martën gazetarëve se “ende është shumë herët për të kuptuar nëse do të kemi pushime” dhe se kjo gjë do të qartësohet në fund të muajit qershor.
“Ajo çfarë mund të them është se do të kufizojmë udhëtimin e madh ndërkombëtar, edhe gjatë muajve të verës. Ne do të qëndrojmë brenda Evropës dhe varësisht prej shkallës së pandemisë, do të mund ta zvogëlojmë perimetrin edhe pak më shumë”, ka thënë ai.
Mbretëria e Bashkuar, vendi i dytë me më së shumti viktima nga Covid-19
Deri më sot, Italia ka qenë shteti me më së shumti viktima në Evropë si pasojë e koronavirusit, dhe e dyta në botë pas Shteteve të Bashkuara.
Por pas raportimeve se 29,427 persona kanë humbur jetën si pasojë e këtij virusi në Mbretërinë e Bashkuar, në krahasim me 29,315 sa janë në Itali, Britania tani ka tejkaluar territorin italian për nga numri i viktimave.
Sekretari i Jashtëm britanik, Dominic Raab, ka thënë se vetëm në 24 orët e fundit në Britani janë regjistruar 693 vdekje të reja.
A mendoni se është e mjaftueshme vlera e Pakos Emergjente Fiskale të miratuar nga Qeveria në detyrë e Kosovës?