Rusët ndërtojnë spital në qytetin Golokhvastov për pacientët me koronavirus
Vetizolohet kryenegociatori i Britanisë për Brexit-in
Kryenegociatori për Brexit i Britanisë së Madhe, David Frost, është vendosur në vetizolim pasi ka pasur simptome të koronavirusit.
Njoftimi i tij vjen një ditë pasi kryenegociatori i Bashkimit Evropian për Brexit-in, Michel Barnier, ka bërë të ditur se testet e tij për koronavirus kanë dalë pozitive.
Barnier është dashur të zhvillojë bisedime këtë javë në Londër, rreth daljes së Britanisë nga BE-ja (Brexit), por ato janë anuluar për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Aktualisht në Evropë janë pezulluar shumë takime, janë mbyllur kufij, janë ndërprerë mësimet në shkolla e të tjera, për shkak të situatës së krijuar me koronavirus.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Evropa është tani epiqendër e pandemisë.
Ministria e Shëndetësisë e Kosovës me disa masa kundër koronavirusit
Me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit, Ministria e Shëndetësisë e Kosovës ka marrë të premten vendim për disa masa specifike për institucionet shëndetësore.
Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se ajo i ka urdhëruar institucionet publike stomatologjike në Kosovë që të punojnë vetëm në raste urgjente.
Me masat e reja urdhërohen të ndërpresin punën edhe institucionet private spitalore që ofrojnë shërbime për rehabilitim fizikal dhe klimatik dhe shërbime të terapisë fizikale me rehabilitim (Banja e Kllokotit, Nëna Naile dhe Onix Spa).
“Urdhërohen menjëherë të ndërpresin punën të gjitha institucionet shëndetësore private jashtëspitalore në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, si ambulancat stomatologjike, ambulancat e terapisë fizikale dhe ambulancat specialistike të mjekësisë fizikale”, thuhet po ashtu në njoftim.
Kosova ka aktualisht 21 persona të infektuar me koronavirus.
Qeveria e Kosovës ka shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik.
Shkon në 70 numri i të infektuarve në Shqipëri
Ministria e Shëndetësisë e Shqipërisë, në përditësimin e fundit për media dhe qytetarë, ka bërë të ditur së në këtë vend janë shënuar gjashtë raste të reja me koronavirus, duke e çuar në 70 numrin e të prekurve.
Zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale, Mira Rakacolli, ka thënë se në 24 orët e fundit janë testuar 35 persona, prej të cilëve gjashtë kanë dalë pozitivë.
Në Shqipëri, deri më tash, dy pacientë kanë humbur jetën si pasojë e koronavirusit.
Shqipëria është duke u përballur me masa të rrepta të sigurisë, të urdhëruara nga qeveria, në mënyrë që të parandalohet përhapja masive e sëmundjes.
Të gjitha shkollat dhe vendet që grumbullojnë njerëz janë mbyllur dhe është reduktuar lëvizja e këmbësorëve me vetëm dy orare në ditë.
Po ashtu, asnjë makinë pa leje të posaçme qarkullimi nuk mund të lëvizë.