Edhe Mali i Zi i ndalon tubimet fetare për shkak të koronavirusit
Policia e Malit të Zi njoftoi se do t’i ndalojë të gjitha tubimet e qytetarëve, përfshirë edhe ato që organizohen nga udhëheqësit fetarë, si masë për pengimin e përhapjes së koronavirusit.
Përmes një postimi në Twitter, policia malazeze kërkoi respektim të plotë të këtij urdhri.
Në të kundërtën, tha policia, individët e papërgjegjshëm do të bartin përgjegjësinë dhe pasojat.
Urdhri vjen pasi disa priftërinj të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi kanë thirrur tubime fetare në kishat lokale.
Tubimet fetare i kanë ndaluar edhe vende të tjera në Ballkan, që po përballen me pandeminë e koronavirusit.
Më 14 mars, myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka njoftuar për pezullimin e përkohshëm të faljeve të organizuara në xhamitë e Kosovës.
Rreth 850 kosovarë kërkojnë të kthehen në Kosovë
Derisa Kosova vazhdon të sfidohet nga menaxhimi i situatës së shkaktuar nga shfaqja e koronavirusit, një numër i madh i shtetasve të Kosovës që kanë mbetur nëpër vende të ndryshme të botës, kanë kërkuar të kthehen në Kosovë.
Rreth 850 qytetarë janë lajmëruar në ambasadat që Kosova ka në botë, të cilët kanë bërë kërkesë që të rikthehen.
Vetëm të premten, rreth 180 kosovarë të kthyer nga Gjermania, do të vendosen në Qendrën për Studentë në Prishtinë, e cila është shndërruar në karantinë me kërkesë të Qeverisë së Kosovës.
Alban Zogaj, shef i kabinetit të ministrit të Transportit, thotë se institucionet janë duke bërë gati një listë me kërkesat e qytetarëve që aktualisht janë jashtë vendit dhe që kanë kërkuar kthimin në Kosovë.
- Artikullin e plotë lexojeni këtu.
“Evropa nuk do të rimëbkëmbet” pa Italinë
Bashkimi Evropian mund të mos rimëkëmbet kurrë nëse blloku e lë Italinë vetëm gjatë pandemisë së koronavirusit, tha ministri i Financave i Francës, Bruno Le Maire.
“Nëse secili vepron për vete, nëse ne i lëmë vetëm disa shtete, nëse i themi Italisë për shembull ‘dilja vetë’, Evropa nuk do të rimëkëmbet kurrë”, tha Le Maire.
Italia është vendi i goditur më së keqi në Evropë nga koronavirusi.
Mbi 41,000 njerëz janë infektuar atje, ndërsa mbi 3,400 pacientë kanë humbur jetën.
Banka Qendrore Evropiane ka aktivizuar këtë javë një paketë të ndihmës, në vlerë prej 750 miliardë eurosh, për të lehtësuar ndikimin e pandemisë së koronavirusit në vendet e Eurozonës, ku bën pjesë edhe Italia.
Shkon në 22 numri i të infektuarve me koronavirus në Kosovë
Instituti i Shëndetit Publik ka njoftuar se të premten në Kosovë është regjistruar edhe një rast me koronavirusin e ri.
Numri i përgjithshëm i të infektuarve tani ka arritur në 22 persona.
“Rasti pozitiv është nga Komuna e Malishevës, i gjinisë mashkullore, moshës 67 vjeçare”, thuhet në komunikatë.