Falja në xhami pa besimtarë
Edhe dy persona të infektuar me koronavirus në Kosovë
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka konfirmuar të premten edhe për dy persona tjerë të prekur me koronavirus në Kosovë.
Ky Institut ka thënë se njëra e infektuar është 53-vjeçare nga Suhareka, ndërsa i infektuari i dytë është 43-vjeçar nga Gjakova.
Dy të infektuarit e fundit e dërgojnë në 24 numrin e të infektuarve me Covid-19 në Kosovë.
Mbyllen parqet në Kosovë
Grupi Ndërinstitucional për Menaxhimin e Incidenteve, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme në Kosovë ka marrë vendim për mbylljen e të gjitha parqeve në Kosovë nga ora 08:00 deri në ora 20:00, me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit të ri.
Në një komunikatë për media është thënë se Policia e Kosovës do të vëzhgojë të gjitha këto hapësira dhe nuk do të lejojë asnjë qytetar afër.
Përveç kësaj, ky Grup ka urdhëruar dyqanet, që lejohen të zhvillojnë veprimtarinë e tyre në kohën e përhapjes së koronavirusit, të vendosin shenjat për mbajtjen e distancës prej një metër.
“Gjithashtu nga nesër në të gjitha lokalet do të ndalohet shërbimi i kafes si brenda ashtu edhe për t’i marrë me vete (Take Away), pavarësisht llojit të shërbimit primar”, është thënë mes tjerash në njoftim.
Aktualisht në Kosovë është raportuar për 24 persona të infektuar me koronavirusin e ri.
Ministria e Jashtme u kërkon kosovarëve kthim vetëm në raste urgjente
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit, që vetëm në rastet urgjente të paraqiten në ambasadat dhe konsullatat e këtij shteti për t’u përfshirë në listën e kthimit.
Në një komunikatë për media është thënë se si pasojë e përhapjes së koronavirusit të ri, kosovarët që arrijnë në territorin e Kosovës përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës apo kufijve tokësorë, do të dërgohen në karantinë për 14 ditë.
Të premten në Kosovë kanë arritur rreth 96 shtetas këtij vendi, të cilët janë kthyer nga Duseldorfi i Gjermanisë.
Të gjithë të kthyerit janë dërguar në Qendrën e Studentëve në Prishtinë, e cila së fundmi, me kërkesë të Qeverisë së Kosovës, është shndërruar në karantinë.
Ndërkohë autoritetet kanë bërë të ditur se rreth 850 qytetarë janë lajmëruar në ambasadat që Kosova ka në botë me kërkesë për rikthim.
Aktualisht në Kosovë është raportuar për 24 persona të infektuar me koronavirusin e ri.