Çfarë duhet të bëni nëse keni pasur kontakte të ngushta me dikë që ka COVID-19?
Në rast se keni pasur kontakt me dikë që është i infektuar me COVID-19, kjo është këshilla që jepet nga Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve:
"Njoftoni autoritetet e shëndetit publik në zonën tuaj, të cilët do të ju udhëzojnë për hapat e mëtejshëm që duhet të ndërmerrni. Nëse shfaqni ndonjë simptomë, duhet menjëherë të thërrisni mjekun për këshilla, duke i treguar që keni qenë në kontakt me dikë me COVID-19."
Rritet numri i vdekjeve nga koronavirusi në Iran
Irani ka njoftuar edhe për 123 vdekje nga koronavirusi i ri. Numri i përgjithshëm i viktimave ka arritur në 1.556, raporton Reuters.
Në këtë vend janë konfirmuar 20,610 raste të të infektuarve me koronavirusin e ri.
Sëmundja Covid-19 u paraqit për herë të parë në Kinë, në dhjetor të vitit të kaluar.
Ndërkohë, sipas të dhënave të Universitetit John Hopkins, në gjithë botën, janë 275,434 raste të konfirmuara, të shëruar janë raportuar 88,256 raste, ndërkaq nga sëmundja Covic-2 që e shkakton virusi Sars-Cov-19 kanë vdekur 11,399 persona.
Ende nuk ka një protokoll shërimi ose vaksinë kundër virusit.
Zyrtari i Shtëpisë së Bardhë del pozitiv në testin e koronavirusit
Një pjesëtar i zyrës së nënpresidentit amerikan, Mike Pence, është infektuar me koronvirusin e ri. Ai është testuar dhe ka dalë pozitiv.
“Presidenti Donald Trump dhe nënpresidenti Mike Pence nuk kanë pasur kontakte të ngushta me këtë person”, tha Katie Miller sekretare për shtyp e nënpresidentit Pence.
Miller tha se zyra e nënpresidentit Pence ishte njoftuar të premten në mbrëmje për rezultatet e testimit të zytarit të saj.
Në deklaratë nuk u bë i ditur identiteti i këtij personi.
Pence është duke udhëhequr grupin e punës të Shtëpisë së Bardhë për të luftuar shpërthimin e koronavirusit.
Zyra e nënpresidentit amerikan nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për detaje të mëtejshme dhe nëse Mike Pence do të kryejë një test të koronavirusit, raporton Reuters.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka dalë negativ për koronavirusin, tha mjeku i tij javën e kaluar.
Rritet numri i të infektuarve në Gjermani
Numri i rasteve të konfirmuara nga koronavirusi në Gjermani brenda një dite është rritur për 2.705 persona.
Numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 16.662, tha të shtunën Instituti për Sëmundje Infektive, Robert Koch.
Ndëkohë, sipas të dhënave të Universitetit John Hopkins, në gjithë botën, që nga paraqitja e parë e të infektuarve në dhjetor të vitit 2019, janë 275,434 raste të konfirmuara, të shëruar janë raportuar 88,256 raste, ndërkaq nga sëmundja Covic-2 që e shkakton virusi Sars-Cov-19 kanë vdekur 11,399 persona.