Arrestohen tre persona pasi organizuan faljen e namazit në shtëpi
Policia e Kosovës ka njoftuar se në komunën e Gjilanit janë arrestuar tre të dyshuar, të cilët “në një shtëpi kishin organizuar faljen e namazit” duke mos përfilluar kështu masat që janë ndërmarrë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.
Arrestimi i tyre është bërë për shkak të mosveprimit sipas dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë.
“Të dyshuarit pas intervistimit dhe me urdhër të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e policisë.
Kosova ka shpallur gjendjen e emergjencës shëndetësore, pas paraqitjes së rasteve me koronavirusin e ri.
Deri më tani janë konfirmuar 24 raste të të infektuarve me këtë virusin Sars-Cov-2.
Mbani distancë nga njëri-tjetri për të parandaluar përhapjen e koronavirusit
Distanca fizike mbi 1 metër është këshilla më e shpeshtë e ekspertëve mjekësorë, për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Kjo fotografi e agjencisë Reuters, tregon sesi Cameron Shaver dhe Callie Johnson, banorë të Anapolis në SHBA, po e praktikojnë distancimin.
Kosova me masa shtesë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit
Qeveria e Kosovës ka vendosur mbylljen e më shumë operatorëve ekonomik, si masë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.
Ministrja e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike në Kosovë, Rozeta Hajdari, tha se shqetësim i qeverisë së Kosovës është krijimi i turmave që ka ndodhur nga operimi i këtyre bizneseve.
“Do të mbyllen qendrat e hapura tregtare, përfshirë qarshitë, gjelltoret, qebaptoret, dhe veprimtaritë tjera për shërbim të pijeve dhe ushqimeve që mund të jenë piceritë e të tjera”, tha ministrja Hajdari.
“Ajo që u kemi lejuar këtyre operatorëve është shërbimi i marrjes së ushqimit me vete. Pra jo hyrja e konsumatorit në lokal”, shtoi ministrja.
Këto masa bëjnë pjesë në përditësimin e një urdhërese të datës 17 mars e cila ishte publikuar pas paraqitjes së rasteve të para me koronavirusin në Kosovë.
Në Kosovë deri më tani janë konfirmua 24 raste me koronavirusin e ri.
Shkon në 85 numri i të infektuarve me koronavirus në Maqedoninë e Veriut
Numri i të infektuarve me koronavirus në Maqedoninë e Veriut ka arritur në 85 persona.
Ministria e Shëndetësisë njoftoi se gjatë ditës së sotme janë regjistruar edhe 9 raste të reja me Covid 19.
Raste me koronavirus deri më tani janë regjistruar në Shkup, Dibër, Shtip, Kavadar, Gostivar dhe Ohër.
“Pacienti i vetëm që është nën aparat të frymëmarrjes, është në fazë kritike. Të gjithë pacientët e tjerë janë në gjendje të qëndrueshme”, ka bërë të ditur ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.
Në vet izolim janë mbi 4 mijë persona, ndërsa qeveria ka njoftuar se në dispozicion të personave të prekur janë vendosur të gjitha objektet shtetërore por edhe hotelet.
Ministri e Punëve të Jashtme ka bërë të ditur se 2300 shtetas të Maqedonisë së Veriut janë të bllokuar në shtete tjera dhe se për evakuimin e tyre nga e hëna do të organizohen fluturime humanitare me qëllim kthimin e tyre në vend dhe vendosjen në karantinë, si masë për parandalimin të përhapjes së koronavirusit.