Rritet numri i vdekjeve në Spanjë
Ministria e Shëndetësisë e Spanjës njoftoi të shtunën se brenda 24 oëve vendi ka shënuar 324 vdekje nga koronavirusi.
Numri i përgjithshëm i të vdekurve është 1.326 persona.
Gjithashtu, njoftohet ka pasur një rritje të konsiderueshme të numrin të përgjithshëm të të infektuarve me Covid-19 në të gjithë vendin.
Gati 5,000 raste më shumë janë konfirmuar, duke e ngritur numrin e përgjithshëm në 24.926.
Spanja tani mendohet të jetë vendi i tretë me përhapjen më të madhe të koronavirusit, pas Italisë dhe Kinës.
Distancimi shoqëror po praktikohet anëmbanë botës si masë kundër koronavirusit
Ministri britanik bën thirrje për blerje "të përgjegjshme"
Sekretari britanik për Ambient, Ushqim dhe Çështje Rurale, George Eustice u ka kërkuar njerëzve që të jenë më të përgjegjshëm kur furnizohen me ushqime.
“Nëse bleni më shumë sesa që duhet nënkupton se të tjerët mund të përballen me mungesa”, ka thënë ai.
“Përderisa bleni, mendoni për të tjerët që përfundojnë vonë ndërrimin e natës dhe u duhet të vizitojnë dyqanet lokale”.
Mes tjerash, Eustrice ka thënë se të gjithë personat kanë rolin e tyre ashtu që të tejkalohet kjo krizë.
Ai ka thënë se dyqanet ushqimore kanë angazhuar më shumë staf për të mbajtur të furnizuara hapësirat.
“Neve na duhet që secili qytetar në këtë shtet të luajë rolin e tij”.
Ministri britanik u ka rikujtuar sërish qytetarëve që të tregojnë respekt për punëtorët në dyqane dhe konsumatorët tjerë.
Kurti qytetarëve: Rrini në shtëpi
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u ka bërë thirrje qytetarëve që të qëndrojnë nëpër shtëpitë e tyre, teksa ka mbajtur një konferencë për media me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia.
“Grumbullimi paraqet rrezik dhe nuk guxojmë ta lëmë të kthehet në krizë. Ne shpresojmë që gjendja të mos na paraqitet e rëndë në javët në vijim, por siç kemi parë në shtetet e zhvilluara, lakorja e përhapjes së virusit po zgjerohet dhe duhet ta frenojmë”, ka thënë mes tjerash Kurti.
Ndërkohë ministria Vitia ka njoftuar se autoritetet kanë porositur 50 respiratorë të rinj, për dallim nga 122 sa janë aktualisht në këtë shtet.
Sipas tij, autoritetet janë duke bërë gjithçka që situata të mos dalë nga kontrolli.
“ Pasi nuk ka ilaç për shërim, duhet të rrini në shtëpi me të dashurit tuaj. Fatin e përballjes e kemi bashkërisht të gjithë në duart tona”, ka thënë mes tjerash Vitia.
Në këtë konferencë po ashtu u është rikujtuar edhe një herë të gjithë shtetasve të Kosovës që të shmangin udhëtimet drejt këtij shteti, përveç ndonjë rasti urgjent, meqë të gjithë do të dërgohen në karantinë për 14 ditë.