Bosnja vendos orë policore
Shtabi i Mbrojtjes Civile në Bosnje-Hercegovinë dha urdhër për vendosjen e orës policore në këtë vend, si masë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Sipas urdhrit të lëshuar, ndalimi i lëvizjes së qytetarëve në Bosnje do të bëhet nga ora 18:00 deri në 5:00 të mëngjesit.
Ky urdhër hyn në fuqi të dielën.
Megjithatë, ai nuk do të vlejë për punonjësit e përfshirë në zbatimin e masave që janë ndërmarrë për trajtimin e situatës me koronavirus.
Deri më tani në Bosnje-Hercegovinë është raportuar për 93 persona të infektuar me Covid-19.
Shkon në 31 numri i të infektuarve me koronavirus
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se ka shkuar në 31 numri i personave të prekur me koronavirus në Kosovë.
Rasti i fundit që ka rezultuar pozitiv është thënë të jetë një 31-vjeçar nga fshati Senik i Malishevës.
Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins në gjithë botën, në total janë: 298,393 njerëz të infektuar,12,755 të vdekur dhe 91,540 të shëruar.
Miliona amerikanë urdhërohen të qëndrojnë në shtëpi
Në disa shtete të SHBA-së është urdhëruar izolimi, si masë për frenimin e përhapjes së koronavirusit.
Konektikat dhe Nju Xhërsi u janë bashkuar Illinoisit dhe Kalifornisë, duke i urdhëruar qytetarët të qëndrojnë në shtëpi.
Shteti i Nju Jorkut i ka urdhëruar bizneset jothelbësore të mbyllen.
Afro 230 njerëz kanë humbur jetën si pasojë e koronavirusit në SHBA, ndërsa mbi 18,500 janë konfirmuar si të infektuar.
Në gjithë botën, mbi 307,000 pacientë kanë dalë pozitivë, ndërsa mbi 13,000 kanë vdekur.
Ndalesa e udhëtimeve jo të domosdoshme në kufirin SHBA-Kanada ka hyrë në fuqi mesnatën e së shtunës.
Duke folur në Shtëpinë e Bardhë, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se guvernatorët, kryebashkiakët dhe qytetarët janë duke vepruar me “urgjencë dhe shpejtësi” në “luftën kundër virusit”.
Anulohet Kampionati Botëror i Hokejit në Akull
Kampionati Botëror i Hokejit në Akull, i cili është dashur të niste në muajin maj në Zvicër, është anuluar, për shkak të pandemisë së koronavirusit.
“Ky është një realitet i hidhur me të cilin përballet familja e hokejit në akull, por ne duhet ta pranojmë atë”, tha presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Hokejit në Akull, Rene Fasel.
“Koronavirusi është problem global dhe kërkon përpjekje të mëdha nga organet qeveritare për të luftuar përhapjen e tij”, shtoi ai.
Kampionati është dashur të zhvillohet nga data 8 deri më 24 maj në Cyrih dhe Llozanë të Zvicrës.
Pasi koronavirusi është përhapur gjithandej në glob, Federata Ndërkombëtare e Hokejit në Akull tha se është e pamundur që kampionati të zhvendoset në ndonjë vend tjetër.