Nënpresidenti amerikan dhe gruaja e tij dalin negativë në testet për koronavirus
Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, Mike Pence, dhe gruaja e tij, Karen, kanë dalë negativë në testet për koronavirus.
Sekretarja për media e Pence, Katie Miller, e bëri njoftimin në një postim në Twitter.
Pence ka thënë më herët se ai dhe gruaja e tij do të testohen për koronavirus, pasi një anëtar i stafit të tij ka dalë pozitiv.
“Marrë parasysh pozitën unike që kam si nënpresident dhe si udhëheqës i task-forcës së Shtëpisë së Bardhë për koronavirusin, unë dhe gruaja ime do të testohemi”, ka thënë ai.
Pence po ashtu ka thënë se pjesëtari i stafit të tij që ka dalë pozitiv, është në gjendje të mirë.
Lombardia me masa edhe më të ashpra kundër koronavirusit
Rajoni italian i Lombardisë ka ndërmarrë masa edhe më të ashpra për të trajtuar përhapjen e koronavirusit.
Nën rregullat e reja, të shpallura të shtunën vonë, aktivitetet sportive dhe fizike jashtë do të ndalohen, qoftë edhe individualisht.
Përdorimi i makinave shitëse po ashtu ndalohet.
Lombardia është në izolim qysh më 8 mars.
Masat e reja vijnë pasi Italia ka raportuar të shtunën për afro 800 njerëz të vdekur, brenda 24 orësh, nga koronavirusi.
Në aspektin global, Italia ka numrin më të madh të viktimave nga kjo sëmundje: 4,825.
Lombardia është rajoni i prekur më së keqi, me 3,095 njerëz të vdekur.
Presidenti i Lombardisë, Attilio Fontana, ka kërkuar nga bizneset t’i mbyllin të gjitha operacionet, duke i përjashtuar vetëm ato që ofrojnë furnizime të domosdoshme.
Të gjitha tregjet e hapura javore po ashtu do të mbyllen, tha ai.
Në Vuhan, dita e katërt pa të infektuar të rinj
Në Vuhan të Kinës - qytetin ku ka shpërthyer koronavirusi në fund të vitit të kaluar - është shënuar dita e katërt me radhë pa asnjë të infektuar të ri.
Autoritetet raportuan për 46 raste të reja në gjithë Kinën - në 24 orët e fundit - nga të cilat 45 thanë se janë të importuara.
Ministria e Shëndetësisë nuk bëri të ditur se në cilin qytet është regjistruar rasti, i cili nuk është i lidhur me të ardhurit në Kinë nga jashtë.
Ministria raportoi edhe për gjashtë vdekje të reja.
Numri i viktimave nga koronavirusi në Kinë ka kaluar 3,100.
Vuhani duhet t’i kalojë 14 ditë me radhë pa raste të reja, për të dalë nga izolimi.
Si shpërndahet koronavirusi dhe si ta mbroni veten kundër tij?
Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.
Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
Shikojeni videon e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për të mësuar se si ta ruani veten kundër këtij virusi: