Rumania shënon viktimën e parë nga koronavirusi
Autoritetet në Rumani thanë se një burrë, 67 vjeç, ka vdekur si pasojë e koronavirusit.
Kjo është viktima e parë nga kjo sëmundje në këtë vend.
Grupi i Komunikimeve Strategjike i Qeverisë rumune tha se personi vuante edhe nga kanceri.
Autoritetet nuk treguan se si është infektuar viktima, porse ai ka qenë duke u trajtuar në një spital të qytetit Kraiova.
Njëzetetre punonjës mjekësorë që kanë qenë në kontakt me viktimën, janë testuar për koronavirus.
Nga 18 rezultatet që kanë dalë deri më tash, të gjitha janë negative.
Rumania ka aktualisht 367 raste me koronavirus.
Qeveria ka shpallur gjendje emergjente më 16 mars.
“Së paku edhe një vit” deri te vaksina
Mike Ryan, drejtor ekzekutiv i Programit për Emergjenca Shëndetësore pranë Organizatës Botërore të Shëndetësisë, tha se do të duhet “së paku edhe një vit” për të krijuar vaksinën kundër koronavirusit.
Duke folur për BBC-në, ai tha se, megjithatë, është bërë “përparim i mirë” në zhvillimin e trajtimeve me barna.
Ryan shtoi se është e rëndësishme që mjekët të lejohen të sjellin prova që trajtimet funksionojnë dhe janë të sigurta.
Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka cilësuar Evropën si epiqendër të koronavirusit, i cili besohet se e ka origjinën në Kinë.
Numrin më të madh të vitimave në botë e ka Italia, me mbi 4,800 të vdekur nga koronavirusi.
Në Kosovë konfirmohet viktima e parë nga koronavirusi
Në Kosovë u konfirmua të dielën viktima e parë nga koronavirusi.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK) njoftoi se viktima është një burrë 82 vjeç nga Dumnica e Podujevës.
“Pacienti i lindur më 1938, fshati Dumnicë, Komuna e Podujevës, është pranuar në Klinikën Infektive më 16.03.2020, në ditën e 6 të sëmundjes me shenja të infiltrimit pulmonar dhe pneumonisë masive majtas”.
“Pacienti ka pasur edhe sëmundje shoqëruese kronike: kardiake dhe sëmundje kronike mushkërore”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.
Ministri Vitia kërkon masa shtesë kundër koronavirusit
Ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Arben Vitia, kërkoi nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që t'i propozojë Qeverisë masa shtesë kundër koronavirusit, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit publik.
“Këto masa do të diskutohen sot edhe me ministritë e linjave dhe do paraqiten në mbledhjen e Qeverisë. Të gjitha këto masa do të shpjegohen saktë për qytetarët pasi të kenë marrë miratimin”, tha Vitia në një postim në Facebook.
Kosova, javën e kaluar, ka shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik, për shkak të situatës së krijuar me koronavirus.
Në kuadër të masave të ndërmarra janë mbyllur shkollat, kafiteritë, parqet, janë pezulluar disa linja tokësore dhe ajrore e të tjera.
Në Kosovë aktualisht janë 31 raste të konfirmuara me koronavirus, ndërsa të dielën është regjistruar viktima e parë.