Thaçi: Në rast nevoje, të shpallet menjëherë gjendja e jashtëzakonshme
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të dielën se institucionet e shtetit duhet të jenë të gatshme, që në rast nevoje, të shpallet menjëherë gjendja e jashtëzakonshme, për shkak të situatës së krijuar me koronavirus.
Thaçi, përmes një postimi në Facebook, i shprehu ngushëllime një familjeje nga Dumnica e Podujevës, një anëtar i së cilës ka humbur jetën nga koronavirusi, duke u bërë viktima e parë nga kjo sëmundje në Kosovë.
“Ne duhet t’i ndihmojmë mjekët, duke qëndruar të mbyllur në shtëpitë tona dhe duke i zvogëluar mundësitë e përhapjes më të madhe të këtij virusi. Institucionet e shtetit duhet të jenë të gatshme, që në rast nevoje të shpallet menjëherë gjendja e jashtëzakonshme. Duke punuar së bashku do ta tejkalojmë edhe këtë sfidë”, tha Thaçi.
Më 17 mars, Thaçi për herë të parë ka propozuar shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, por ajo është kundërshtuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Qeveria e Kosovës, ditë më parë, ka shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik.
Rastet e para me koronavirus në Kosovë janë konfirmuar më 13 mars.
Deri më tash janë 31 persona të prekur, ndërsa një pacient ka humbur jetën.
Edhe 29 raste të reja me koronavirus në Kroaci, situatën e rëndon edhe tërmeti
Në Kroaci të dielën u regjistruan edhe 29 raste të reja me koronavirus, të cilat e çojnë në 235 numrin total të të infektuarve në këtë vend.
Situatën atje, për më tepër, e rëndoi edhe tërmeti që goditi në veri të Zagrebit, mëngjesin e sotëm.
Shefja e Shtabit të Krizave, pranë Ministrisë së Shëndetësisë në Kroaci, Maja Gërba Bujeviq, u bëri thirrje qytetarëve që kanë dalë në rrugë për shkak të tërmetit, të vishen mirë dhe të kenë kujdes nga i ftohti.
Ajo po ashtu kërkoi nga ta që t’i respketojnë masat e distancës nga njëri-tjetri, për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Pamje nga pasojat e tërmetit në Kroaci:
Në Spanjë, 1,720 viktima nga koronavirusi
Autoritetet në Spanjë raportuan për 394 viktima nga koronavirusi qysh të shtunën.
Kjo shifër e çon në 1,720 numrin total të të vdekurve si pasojë e sëmundjes COVID-19 në Spanjë.
Mbi 3,600 raste të reja të të infektuarve janë konfirmuar po ashtu.
Sipas zyrtarëve shëndetësorë, në total 28,572 njerëz janë identifikuar si të prekur nga koronavirusi, ndërsa 2,575 janë shëruar.
Pas Italisë dhe Kinës, Spanja ka numrin më të madh në botë të rasteve me koronavirus.
Shumica e viktimave në këtë vend janë regjistruar në kryeqytetin Madrid.
Kalon 100 numri i të infektuarve në Maqedoninë e Veriut
Ka shkuar në 114 numri i të infektuarve me koronavirus në Maqedoninë e Veriut.
Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 29 raste të reja, ka bërë të ditur Ministria e Shëndetësisë.
Numri më i madh i rasteve të reja është në Shkup, gjithsej 19, që e çojnë në 65 numrin e të infektuarve në kryeqytet.
Një person vazhdon të jetë në gjendje kritike, ndërsa të tjerët janë në gjendje të qëndrueshme, kanë thënë autoritetet shëndetësore.
Si masë për frenimin e përhapjes së koronavirusit, në Maqedoninë e Veriut, nga e diela, hyn në fuqi ora policore, e cila nis në orën 21:00 dhe do të zgjasë deri në orën 06:00.