Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar. 
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
08:57 6.5.2020

Rihapen shkollat në Hubei të Kinës

Provinca Hubei, epiqendra e shpërthimit të koronavirusit në Kinë, ka rihapur shkollat të mërkurën.

Megjithatë, vetëm nxënësit e klasave të 8-ta dhe 12-ta do të rikthehen në shkollë, për shkak të provimeve.

Pjesa tjetër do të vazhdojë mësimin në distancë, raporton BBC.

Të gjithë nxënësit që janë rikthyer në shkolla, është dashur të bëjnë paraprakisht testin për koronavirus.

Provinca Hubei e Kinës besohet se është vendi i origjinës së koronavirusit.

Rastet e para atje janë shfaqur në fund të vitit të kaluar.

09:19 6.5.2020

Facebook fshin qindra llogari që keqpërdorën edhe postimet për koronavirus

Facebook ka fshirë qindra llogari - më shumë se gjysma e tyre me qendër në Rusi, Iran dhe Gjeorgji - pasi ka zbuluar se ato u përkisnin rrjeteve që bëjnë fushata të ndryshme me ndikim.

Facebook njoftoi se llogaritë janë fshirë në prill, në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme për të pastruar platformën e tij nga informacionet mashtruese dhe llogaritë e rreme, që krijohen për të shkaktuar "përçarje në shoqëri".

Llogaritë e fshira kanë qenë aktive edhe në Instagram - aplikacionin që e zotëron Facebooku - dhe kanë qenë të lidhura me tetë rrjete, tha gjiganti i medias sociale, me seli në Kaliforni.

Sipas tij, rrjetet në Rusi dhe Iran e kanë përqendruar përmbajtjen e tyre ndërkombëtarisht, ndërsa dy rrjete në Gjeorgji, dy në SHBA, një në Mauritani dhe një në Mianmar kanë operuar me audiencat e brendshme.

Të gjitha rrjetet janë krijuar para pandemisë së koronavirusit, por Facebook tha se disa prej tyre i kanë përdorur pastaj postimet e lidhura me koronavirus, për të ndërtuar audiencat e tyre.

"E dimë se njerëzit që përpiqen t’i mashtrojnë të tjerët, i përdorin krizat për t’i çuar përpara qëllimet e tyre. Dhe, pandemia e koronavirusit nuk është ndryshe", tha përmes një deklarate Facebook.

09:53 6.5.2020

Guterres: Njerëzit me aftësi të kufizuara, ndër më të goditurit nga koronavirusi

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, tha se një miliard njerëzit në botë, që jetojnë me aftësi të kufizuara, janë ndër më të goditurit nga koronavirusi dhe kërkoi që ata të kenë qasje të barabartë në parandalimin dhe trajtimin e sëmundjes.

Guterres tha se pandemia është duke zbuluar shkallën, në të cilën njerëzit janë të margjinalizuar, dhe se është duke i forcuar pabarazitë, me të cilat përballen personat me aftësi të kufizuara.

Video-mesazhi i tij u lëshua së bashku me një raport të OKB-së, i cili thotë se njerëzit me aftësi të kufizuara llogaritet se përbëjnë 15% të popullsisë së botës.

Guterres tha se koronavirusi shpesh godet më rëndë njerëzit me probleme ekzistuese shëndetësore, duke e rritur rrezikun e tyre për të vdekur.

Në disa vende, tha Guterres, vendimet për racionalizimin e kujdesit shëndetësor bazohen në kritere diskriminuese, siç janë mosha ose aftësitë e kufizuara.

“Nuk mund të lejojmë që kjo të vazhdojë”, tha Guterres.

“Ne duhet të garantojmë të drejta të barabarta për njerëzit me aftësi të kufizuara, që të kenë qasje në kujdesin shëndetësor”, shtoi ai.

Raporti nënvizon veprimet që duhen bërë, për të mbrojtur njerëzit me aftësi të kufizuara nga kontraktimi i virusit dhe për t’ua lehtësuar atyre ndikmet që mund t’iu shkaktojë distancimi fizik ose izolimi.

Raporti bën thirrje për mbështetje të madhe dhe për angazhim politik, për të siguruar se personat me aftësi të kufizuara "kanë qasje në shërbime thelbësore”.

 

09:58 6.5.2020

Infografikë:

 

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG