Merkel: Faza e parë e pandemisë është mbrapa nesh
Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka thënë se ka folur me liderët e të 16 landeve gjermane, teksa ka bërë të ditura lehtësimin e disa masave të izolimit, pas shpërthimit të koronavirusit.
“Faza e parë e pandemisë është mbrapa nesh”, ka thënë ajo, ndonëse ka përmendur se “kjo është faza e hershme e pandemisë, e cila do të jetë aty gjatë”.
Distancimi fizik do të mbetet në fuqi në Gjermani deri më 5 qershor, ndonëse masat tjera do të lehtësohen gradualisht.
Pjesëtarë të të dy familjeve tani do të lejohen që të takohen në publik, ka thënë ajo.
Merkel ka thënë edhe se të dhënat e fundit nga Instituti gjerman Robert Koch, që raporton rreth të rejat të fundit për koronavirus, janë “lajme shumë të mira”.
“Shifrat tani janë të ulëta, kjo është diçka për të cilën jam e kënaqur”, ka thënë ajo.
Megjithatë, kufizimi i sërishëm i masave do të fillojë të zbatohet nëse numri i të infektuarve rritet sërish.
Gjermania deri më tani ka regjistruar më shumë se 167,000 të infektuar me koronavirus dhe më pak se 7,000 persona të vdekur.
Arrin në 88 numri i viktimave nga koronavirusi në Maqedoninë e Veriut
Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar të mërkurën për dy viktima tjera nga koronavirusi, me çka numri i të vdekurve ka arritur në 88. Viktimat janë nga Prilepi dhe Manastiri, dy të moshuar që kishin edhe probleme tjera shëndetësore.
Sipas raportit të Ministrisë, gjatë 24 orëve të fundit, janë regjistruar 13 raste të reja me koronavirus, që paraqet rritje në krahasim me tre ditët e fundit, kur numri i të infektuarve ishte nën dhjetë persona.
Numri i personave që ende janë aktivë me sëmundjen COVID-19, që shkakton ky virus është 394 ndërsa i personave të shëruar ka arritur në 1,057. Që nga paraqitja e pandemisë, me koronavirus janë evidentuar 1,539 ndërsa numri i testeve të kryera është 17,836.
Drejtuesit e institucioneve kanë njoftuar se nga java tjetër do të nisin me masat lehtësuese të lëvizjes dhe për rifillimin e punës së disa prej bizneseve, por në përputhje me kushtet e përcaktuara nga komisioni i sëmundjeve ngjitëse.
Restorantet dhe kafenetë do të rihapen vetëm për shërbime në ambiente të jashtme, edhe atë me kapacitete të përgjysmuara për shkak të respektimit të distancës fizike.
Nga Ministria e Shëndetësisë ka thënë se janë në kontakt me ministritë përkatëse të shteteve të rajonit, por edhe me ato të Bashkimit Evropian për shqyrtimin e mundësive për hapjen e kufijve, sapo të konstatohet se mundësitë e lejojnë një gjë të tillë.
Bundesliga rikthehet në fushë
Liga gjermane e futbollit, Bundesliga do të jetë liga e parë e madhe në botë që do të rikthehet në fushë, pas shpërthimit të pandemisë me koronavirus.
Ndeshja e fundit është luajtur më 11 mars, andaj secili klub tani ka nëntë deri në 10 ndeshje që duhet t’i përfundojë.
Këto organizime do të zhvillohen me dyer të mbyllura.
Ekipet angleze dhe ato spanjolle pritet të rikthehen në fushë muajin e ardhshëm, derisa ekipit italian i është mundësuar që të zhvillojë stërvitje indivuduale.
Vetëm një numër i vogël i ligave të futbollit, jo shumë të popullarizuara, në shtetet si Bjellorusia dhe Nikaragua kanë vazhduar aktivitetet gjatë pandemisë me koronavirus.
Në Belgjikë dyqanet rihapen javën e ardhshme
Belgjika është shteti i fundit që ka vendosur të lejojë rihapjen e dyqaneve nga dita e hënë, teksa nisin të lehtësohen masat e izolimit, ka thënë kryeministrja e këtij vendi, Sophie Wilmes.
Bizneset që nuk kanë kontakt me publikun tashmë janë rikthyer në punë, ndonëse shkollat dhe restorantet vazhdojnë të jenë të mbyllura.
Ky shtet ka një prej shkallëve më të larta të mortalitetit në botë nga sëmundja Covid-19, që shkakton koronavirusi.
Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, autoritete belge kanë regjistruar 50,781 persona të infektuar dhe 8,339 të vdekur si pasojë e këtij virusi.