Ndërlidhjet

Arrestohet për shpërdorim detyre ish-kryebashkiaku i Durrësit


Fotografi ilustruese.
Fotografi ilustruese.

Ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, u arrestua pasditen e 6 qershorit. Arrestimi i tij u bë me me urdhër të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK). Së bashku me të janë lëshuar edhe urdhër arrestime për tetë zyrtarë dhe ish-zyrtarë të qytetit bregdetar të Durrësit dhe një ndërtues.

Prokuroria e Posaçme ende nuk ka dalë me një njoftim zyrtar për mediat për akuzat që janë ngritur ndaj ish-kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako.

Burimet bëjnë të ditur se Dako akuzohet për shpërdorim detyre dhe akuzat kanë të bëjnë me hetimet e kryera për dy çështje. E para ka të bëjë me një leje ndërtimi për një pallat që u dëmtua nga tërmeti në nëntor të vitit 2019, ndërsa e dyta lidhet me një kallëzim të bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, për tenderin për ndërtimin e një shëtitoreje në zonën e bregdetit. Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, dëmi që i është shkaktuar shtetit përmes abuzimeve, me këtë tender kap shifrën e 18 milionë lekëve.

Pas arrestimit të Vangjush Dakos, ka reaguar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

“Kemi hyrë në fazë të re. Duhet bërë durim edhe në luftën kundër korrupsionit. Për herë të parë në historinë e popullit tonë po goditen njerëz të lidhur me pushtetin. Nuk ke si ndihesh mirë kur sheh që dikush që ka qenë përkrah teje, është përkrah avokatit përballë prokurorit apo gjykatësit. Me siguri diçka ka ndodhur”, tha Rama.

Vangjush Dako ka mbajtur për tri mandate rresht postin e kryetarit të bashkisë së Durrësit nga viti 2007 deri në qershor të vitit 2019. Më 30 korrik të vitit 2019, ai u sanksionua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës si i përfshirë në raste madhore korrupsioni dhe për këtë arsye atij dhe familjes së tij (bashkëshortes, djalit dhe vajzës) iu ndalua hyrja në SHBA.

Para se të shpallej person i padëshiruar nga SHBA-ja, opozita në Shqipëri e ka akuzuar Dakon për lidhje me grupe kriminale që veprojnë në zonën e Durrësit dhe blerje votash përmes tyre. Ai rezultoi se kishte qenë i përgjuar në biseda të ndryshme që nga blerja e votave e deri te trafiku i drogës me disa elementë kriminalë si pjesë e një hetimi që njihet si “Dosja 339”, por ndaj tij nuk u ndërmorën veprime hetimore apo vendime të tjera nga institucionet e drejtësisë.

Emri i Dakos lidhet gjithashtu me lirimin e një prej personave të rrezikshëm të botës së krimit që në Shqipëri njihet si “kreu i bandës së Durrësit” Lulzim Berisha. Për të, Vangjush Dako në 2016, si kryebashkiak i Durrësit dha garanci për ta punësuar në institucionin që drejtonte, duke lehtësuar kështu kushtet për lirimin e tij të parakohshëm.

XS
SM
MD
LG