Autoritetet ligjzbatuese në Shqipëri i kanë arrestuar të mërkurën katër të dyshuar si pjesë e një hetimi ndaj një zjarri të madh në një ndërtesë shumëkatëshe banimi një ditë më parë në kryeqytetin e vendit, Tiranë, ndërsa katër të dyshuar të tjerë janë duke u hetuar në liri, thanë autoritetet.
Policia e Tiranës tha se të arrestuarit janë administratori i kompleksit të pallateve, inxhinieri që kishte udhëhequr punimet për ndërtimin e tij, si dhe administratori i subjektit që ka bërë punimet për fasadën e pallatit.
Që të tre akuzohen për shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë, një ditë pasi zjarri përfshiu ndërtesën 12-katëshe, si pasojë e të cilit u lënduan 11 njerëz.
Ndërkohë, i arrestuari i katërt është menaxherja e një dyqani në katin e parë të ndërtesës së prekur nga zjarri, e cila akuzohet për shkatërrim të pronës nga pakujdesia dhe për shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë.
Policia theksoi se po i heton edhe për katër njerëz të tjerë, në mesin e cilëve edhe pronarin e kompleksit të pallatit dhe dy punonjëset e subjektit tregtar, prej të cilit nisi zjarri që përfshiu tërë ndërtesën.
Hetimet e para kanë treguar se dyshohet se në pjesën e pasmë të dyqanit, në rrethana të paqarta, nisi djegia e zjarrit në një vend ku ishin grumbulluar mbeturina.
Policia thotë se menaxherja e dyqanit nuk kishte marrë masa për heqjen e mbeturinave.
Ndërsa, administratori i kompleksit të banimit dyshohet se nuk ka kryer veprimet e nevojshme për kontrollin e funksionalitetit të masave mbrojtëse për zjarrin dhe shpëtimin.
Policia sqaron se nga zjarri u lënduan 11 njerëz, përfshirë zjarrfikës dhe banorë të ndërtesës, të cilët vijojnë të marrin mjekim në spital.
Ndërkaq, autoritetet janë duke i bërë përllogaritjet për ta përcaktuar dëmin material të shkaktuar nga zjarri.
Kryeministri i vendit, Edi Rama, tha të mërkurën se ndërtesa e djegur do të rindërtohet “100 për qind nga vetë ndërtuesi”, pavarësisht se të dhënat paraprake tregojnë se shkaku i zjarrit nuk ka asnjë lidhje me ndërtimin.
“Nuk mund t'i lëmë vetëm njerëzit e dëmtuar në pronën e tyre, dhe nga ana tjetër, taksapaguesit nuk mund të paguajnë për një humbje që duhet të mbulohet nga sigurimi - një rast i qartë për të gjithë që të kuptojnë se sigurimi i shtëpive kundër fatkeqësive është absolutisht thelbësor”, tha kryeministri.
Zjarri – që nisi rreth orës 17:00 të martën pasdite – u vu nën kontroll rreth tri orë më vonë, sipas autoriteteve.
Fasada e pallatit mori flakë tërësisht deri në katin e 12-të dhe, pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë të zjarrfikëseve zjarri, depërtoi edhe brenda në banesa.