Ndërlidhjet

Ish-ministri i Mbrojtjes: Sulmet e Iranit ndaj Shqipërisë nuk do të ndalen


Ish-ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Fatmir Mediu. Fotografi nga arkivi.
Ish-ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Fatmir Mediu. Fotografi nga arkivi.

Ish-ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Fatmir Mediu, paralajmëron se Irani nuk do të ndalet në veprimtarinë, siç e quan ai, terroriste ndaj Shqipërisë dhe eksponentëve të rezistencës iraniane të strehuar në këtë shtet, pavarësisht ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike dhe dëbimit të diplomatëve iranianë.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Mediu thotë se ekziston një rrjet i gjerë fondacionesh, që sponsorizohen nga Qeveria iraniane, të cilat, sipas tij, bëjnë propagandë për Qeverinë e Republikës Islamike dhe kundër Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK), pjesëtarë të së cilës strehohen në Shqipëri.

Ai shton se siguria kibernetike është prioritet për çdo shtet anëtar të NATO-s dhe se autoritetet shqiptare duhet të ndërtojnë sa më shpejt një strukturë bashkëkohore të sigurisë kibernetike.

Radio Evropa e Lirë: Si e komentoni dëbimin e diplomatëve iranianë dhe ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike të Shqipërisë me Iranin, i cili u tha se fshihej pas sulmeve kibernetike në Shqipëri?

Fatmir Mediu: Dua të theksoj që në fillim se ka një përshkallëzim të marrëdhënieve me Iranin, sidomos që nga momenti që ne kemi pranuar në Shqipëri rezistencën iraniane, me kërkesë të SHBA-së.

Përveç kësaj, Shqipëria ka mbështetur në mënyrë të vazhdueshme rezistencën iraniane edhe në aktivitetet e përvitshme që organizon rezistenca iraniane MEK.

Ka pasur edhe në të kaluarën akte dhe veprime të tjera të shërbimeve iraniane, çka sollën edhe largimin e ambasadorit dhe dy diplomatëve iranianë para dy vjetësh. Pra, duket që ka pasur një aktivitet armiqësor në zhvillim e sipër dhe përpara se të ndodhte sulmi kibernetik.

Irani “do të ndërmarrë veprime të mëtejme ndaj MEK-ut”

Shërbimet shqiptare të inteligjencës në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë arritur që të zbulojnë një tentativë tjetër për një komplot terrorist në muajin korrik të vitit 2022, i cili kishte për synim ambientet e kampit Ashraf, në zonën e Manzës (Shqipëri), ku do të zhvillohej aktiviteti i radhës i rezistencës iraniane me përfaqësues nga të gjitha parlamentet e vendeve perëndimore nga SHBA-ja, BE-ja, Kanadaja, nga vende që kanë mbështetur dhe mbështesin fuqishëm lëvizjen e rezistencës iraniane. Si pasojë, nuk u lejua që të zhvillohej aktiviteti. Pas disa ditësh ka ndodhur edhe sulmi kibernetik.

Video: Diplomatët iranianë dëbohen nga Shqipëria

Dokumentet e Ambasadës iraniane zhduken në flakë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:11 0:00

Ky moment është një moment mjaft i rëndësishëm që nuk duhet parë në mënyrë spontane për faktin që nuk është vetëm shkëputja e marrëdhënieve diplomatike, por ndikon edhe në veprimet e mëtejshme që do të ndërmarrë Irani ndaj rezistencës së MEK-ut, por edhe ndaj shtetit shqiptar. Nuk mendoj se veprimtaria subversive e inteligjencës iraniane do të frenohet për shkak se nuk ka përfaqësi në Shqipëri.

Për më tepër, dua të nënvizoj edhe një fakt që prej kohësh Irani, nëpërmjet fondacioneve të ndryshme, ka zhvilluar një aktivitet në Shqipëri dhe ka lidhjet e veta në Shqipëri.

Radio Evropa e Lirë: Ju përmendët ekzistencën e fondacioneve dhe grupeve iraniane që ndodhen aktualisht në Shqipëri dhe punojnë kundër rezistencës iraniane të strehuar në kampin Ashraf, si dhe për interesat e Republikës Islamike të Iranit. Sipas jush, a po punohet gjithashtu për individualizimin dhe dëbimin e tyre?

Fatmir Mediu: Unë mendoj që ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Historia e vendit tonë me Iranin pas viteve ’90, për shkak të nevojave ekonomike, ka pasur një zhvillim jo të vogël, sidomos në sferën e edukimit apo të bamirësisë. Por, dihet që në shumicën e rasteve pas këtyre marrëdhënieve, jo vetëm rasti i Iranit, por edhe në raste me vende tjera, ka interesa gjeopolitike apo interesa tjera, të cilat nuk janë interesa tona si vend anëtar i NATO-s.

“Shqetësuese lidhjet Iran-Rusi-Kinë”

Por, ajo që më shqetëson është një kombinim i marrëdhënieve të Iranit si një autoritet për të mos u neglizhuar edhe në [raportet] me Rusinë dhe me Kinën. Duke pasur në konsideratë faktin që Rusia kërkon gjithmonë pika tjera konflikti apo probleme në rajonet tjera, këtu dihet qartësisht tashmë që ka një marrëdhënie të dukshme të Kinës, Iranit dhe Rusisë në bashkëpunim me njëra–tjetrën, kjo ka qenë edhe gjatë zhvillimeve në Siri, në zhvillime tjera, bashkërendime politike e ushtarake apo të interesave gjeopolitike.

Pra, Shqipëria një vend i vogël, me atë çka po ndodh, kthehet në një lloj fokusi të interesave më të mëdha sesa që mund t’i përballojnë shpatullat e Shqipërisë. Dhe, këtu ne duhet të mendojmë si shërbime të inteligjencës shqiptare për të parë se kush është i infiltruar, çfarë veprimtarie bën, por edhe i gjithë shteti shqiptar dhe gjithë politika shqiptare se çfarë strategjie të sigurisë kombëtare duhet të ndërtojë dhe ç’lloj partneriteti me SHBA-në, por edhe me vendet anëtare të NATO-s, sepse nuk është çështje thjesht vetëm e Shqipërisë.

Efekte të tilla janë shtrirë padyshim edhe në rajon, në mënyrë që ne të paktën të dimë të ndërtojmë një plan veprimi të qartë, jo vetëm të sigurisë kibernetike, por edhe në aspekte të tjera të sigurisë, sepse siguria është primare. Dua t’ju them edhe një aspekt tjetër të rëndësishëm që e ka përmendur sekretari i NATO-s, Jens Stoltenberg, gjatë takimit të Davosit, që jo çdo marrëdhënie ekonomike është e pranueshme.

Forcimi i mbrojtjes kibernetike, “në bashkëpunim me SHBA-në”

Radio Evropa e Lirë: Në mendimin tuaj si ish-ministër i Mbrojtjes, a ka Shqipëria kapacitetet, si vend anëtar i NATO-s, për të përballuar dhe parandaluar sulmet kibernetike?

Fatmir Mediu: Çështja e sulmeve kibernetike është një çështje aktuale dhe një prej kërkesave kryesore të NATO-s, dhe padyshim edhe Shqipëria duhet të bëjë hapat e saj. Shpresoj që me kompanitë amerikane që janë mjaft të njohura në fushën e sigurisë kibernetike, ne të arrijmë një stad të mirë të vlerësimit kibernetik dhe të ndërtimit të masave për të parandaluar sulme të tilla. Sidomos në infrastrukturën kritike ku përfshihet sektori energjetik dhe struktura që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.

Shqipëria duhet të punojë në këtë drejtim, duhen fonde të jashtëzakonshme për këtë çështje. Dhe, me asistencën e SHBA-së, si partnerja kryesore në NATO, të ndërtohet një strukturë e sigurisë kibernetike bashkëkohore.

Ka nevojë për një rikonceptim të konceptit të sigurisë jo vetëm nga shërbimet e inteligjencës, por nga të gjitha institucionet që merren me sigurinë. Shqipëria ka nevojë të ndërtojë një agjenci të sigurisë kombëtare. Këshilli i Sigurisë Kombëtare që kemi ne nuk është funksional për t’u përballur me probleme të tilla, të cilat e tejkalojnë atë që kemi parë ne deri tani në çështjen e sigurisë në Shqipëri.

XS
SM
MD
LG