Ndërlidhjet

Shqipëria shënoi 107 vjet shtetësi nën ankthin e tërmeteve


Thumanë, Shqipëri.
Thumanë, Shqipëri.

Së paku 49 persona kanë vdekur dhe qindra të tjerë janë plagosur nga tërmetet që e goditën Shqipërinë që prej orëve të para të mëngjesit të së martës.

Tërmeti i 26 nëntorit me magnituë 6,4 ballësh të Rihterit njëherësh ishte më i fuqishmi në dekada që ka goditur Shqipërinë. Epiqendra e tij ishte në Detin Adriatik, rreth 30 kilometra në veriperëndim të Tiranës.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, tha se 25 viktima janë në Durrës, 23 në Thumanë dhe një në Laç.

Qindra persona kanë humbur shtëpitë e tyre nga Tërmeti, teksa kryeministri Rama ka njoftuar edhe për akomodimin në komplekse hoteliere të personave që tashmë kanë mbetur pa shtëpi ose që shtëpitë e tyre paraqesin rrezik, si pasojë e dëmve që kanë marrë nga tërmetet.

Ekipet e shpëtimit nga më shumë se 10 shtete u janë bashkuar ekipeve në Shqipëri, më 27 nëntor, për të kërkuar personat që mund të kenë mbetur nën rrënoja.

*Video: Dyzetetetë orët e tërmetit

Dyzetetetë orët e tërmetit
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:03:47 0:00

Shqipëria të enjten shënoi 107-vjetorin e shpalljes së pavarësisë, ditë kjo që e gjeti vendin në panik dhe pa qetësi.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, tha se kjo ditë e gjeti vendin në zi dhe i ftoi qytetarët të qëndrojnë të bashkuar për të ndihmuar kthimin në normalitet të familjeve të prekura nga tërmeti.

“Në këtë ditë që është më e rëndësishmja për shtetin dhe kombin tonë, por që na gjeti në zi dhe në betejë me pasojat e tmerrshme të një tërmeti të pamëshirshëm, ju ftoj të angazhohemi për të nderuar Flamurin tonë Kombëtar dhe të qëndrojmë të bashkuar deri në rikthimin e normalitetit të plotë të jetës për të gjithë familjet shqiptare dhe fëmijët e tyre”, tha Meta.

Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në Facebook ka thënë se Dita e Flamurit e gjeti Shqipërinë në errësirë.

“Hyri Dita e Flamurit Kuqezi në errësirën që na rrethon përkohësisht, përpara daljes së diellit. Zoti e bekoftë Shqipërinë, shqiptarët pa asnjë dallim, kudo që janë e pavarësisht bindjeve që kanë dhe flamurin më të bukur në botë sigurisht”, shkruan Rama.

Edhe kryetari i opozitës, Lulzim Basha, ka thënë se me rastin e 107-vjetorit të pavarësisë “mendimet dhe lutjet e shqiptarëve” janë me të lënduarit dhe familjet e viktimave.

“Mëngjesin e të martës, ndërkohë që shqiptarët përgatiteshin për të përkujtuar 107-vjetorin e Pavarësisë, një tërmet i tmerrshëm goditi vendin tonë. Ende nuk e dimë përmasën e plotë të dëmeve. Ajo që dimë deri tani është se me dhjetëra shqiptarë kanë humbur tragjikisht jetën nën rrënoja, qindra janë lënduar dhe shtëpitë e tyre janë shkatërruar. Mendimet dhe lutjet tona janë me të lënduarit, me ata që vuajnë dhe me familjet që përjetuan dhimbjen më të madhe, atë të humbjes së njerëzve të tyre të shtrenjtë”, tha Basha.

Ndërkaq, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se gjatë një bisede telefonike me kryeministrin Rama, e ka njoftuar se Kosova do të dërgojë trupa shtesë të Forcës së Sigurisë, për të ndihmuar në zonat më të prekura nga tërmetet.

Përveç telegrameve të ngushëllimeve, vendet nga e gjithë bota i kanë dalë në ndihmë Shqipërisë, me donacione monetare dhe ushqimore.

Departamenti Amerikan i Shtetit ka shprehur ngushëllimet e Shteteve të Bashkuara për viktimat e tërmetit në Shqipëri.

“Sot ne lutemi për familjet e tyre, si edhe për ata që janë lënduar. Në emër të popullit amerikan, u urojmë të gjithë atyre që janë prekur, shërim të shpejtë. Sot, ashtu si në kohë të tjera të vështira, Shtetet e Bashkuara janë në krah të miqve tanë në Shqipëri”, thuhet në një deklaratë të Sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo, me rastin e 107-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.

Zyra e Bashkimit Evropian në Tiranë, me anë të një postimi në Twitter, ka shprehur solidaritetin me Shqipërinë.

“Në Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, mendimet tona janë me popullin shqiptar dhe në veçanti me të prekurit nga tragjedia dhe familjarët e tyre. Më shumë se kurrë, Bashkimi Evropian qëndron i bashkuar me popullin shqiptar”, shkruan mesazhi i BE-së.

Presidenti në largim i Komisionit Evropian, Jean Claude Junker, i ka dërguar një letër kryeministrit Edi Rama dhe presidentit Ilir Meta, ku shpreh ngushëllimet për viktimat e tërmetit dhe konfirmoi mbështetjen e Bashkimit Evropian ndaj Shqipërisë në këto çaste të vështira për vendin.

"Me pikëllim të madh mësova për shkatërrimin që shkaktoi tërmeti në Shqipëri, i dyti në dy muajt e fundit. Dëshiroj të shpreh ngushëllimet e mia të thella për viktimat, familjet e tyre dhe për të gjithë qytetarët e Shqipërisë. Bashkimi Evropian solidarizohet me Shqipërinë në këto çaste tragjike dhe ju mund të mbështeteni në ndihmën tonë”, shkruan Junker.

Edhe NATO ka shënuar ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, duke thënë se "zemrat dhe mendjet tona janë të rënduara dhe solidarizohemi me aleatin tonë në këto kohë të vështira".

Familja nga Durrësi gjen strehim në Deçan
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:45 0:00

Një tjetër tërmet i magnitudës 5,3 goditi Shqipërinë në orën 15:45 të ditës së mërkurë, duke shkaktuar lëvizje të mëtejshme të rrënojave të godinave tashmë të shembura. Epiqendra e tërmetit ishte në Detin Adriatik, 24 kilometra në veri të Durrës, me thellësi 10 kilometra.

Shqipëria goditet sërish nga tërmeti
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:54 0:00

Kryqi i Kuq në Shqipëri ka thënë se rreth 2,500 persona janë zhvendosur. Si pasojë e kësaj situate, Shqipëria ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme.

Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit të Shqipërisë ka bërë të ditur se vendi është goditur me qindra lëkundje tjera të tokës që nga goditja e madhe e mëngjesit të së martës.

Pas tërmetit të fuqishëm të mëngjesit të së martës, Ministria e Arsimit të Shqipërisë, ka njoftuar se mësimi në mbarë vendin do të ndërpritet për dy ditë.

Shqipëria edhe dy muaj më parë është goditur nga një tërmet me një magnitudë 5.8 gradë të shkallës Rihter dhe intensitet 7.5 ballë. Ai u konsiderua si më i madhi i regjistruar në 20-30 vitet e fundit.

Ai tërmet u pasua nga të paktën 350 lëkundje me një intensitet më të ulët.

XS
SM
MD
LG