Ndërlidhjet

Spitalet në prag të limiteve


Klinika Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. 26 gusht 2021.

Aktualisht Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), është duke u përballur me fluks të madh të pacientëve të dyshuar se janë me COVID-19, thotë drejtori i këtij shërbimi, Valbon Krasniqi.

Sipas tij, më 30 gusht në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) dhe në shtatë spitalet e përgjithshme rajonale, kanë qenë të shtrirë 1.284 pacientë, ndërkohë që siç thotë ai, ky numër mund të rritet.

Krasniqi: Dhomat e stafit mjekësor plot me pacientë

Puna e spitaleve dhe klinikave që trajtojnë pacientët me COVID-19, siç thotë Krasniqi për Radion Evropa e Lirë, është vështirësuar për shkak se fluksi i pacientëve është shënuar brenda një periudhe të shkurtër kohore.

Përveç në dy ditët e fundit, sipas tij, në 10 ditët paraprake, për çdo ditë janë evidentuar rreth 80 pacientë të rinj të prekur nga COVID-19, të cilët janë shtrirë dhe marrin trajtim spitalor nëpër klinikat e QKUK-së dhe në spitalet e përgjithshme rajonale. Kapacitetet për pranimin e pacientëve me COVID-19, siç thotë ai, janë në prag të limiteve.

“Në shumicën e spitaleve të përgjithshme, sikurse edhe në klinikat e QKUK-së, situata është shumë e rënduar për faktin se jemi detyruar që shumë shërbime të tjera të pezullohen dhe të zëmë shtretërit për pacientët me COVID-19. Në disa spitale, madje kemi filluar që edhe dhomat e personelit shëndetësor t’i shndërrojmë në dhoma për pacientë, siç është rasti në spitalin e Gjilanit dhe në spitalin e Ferizajt. Po ashtu, në QKUK, tashmë kemi pesë klinika që janë shndërruar tërësisht në njësi për COVID-19”, tha drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi.

Ai shtoi se brenda QKUK-së, Klinika Infektive, Pulmologjia dhe Dermatologjia, objekti i Mjekësisë Sportive, një njësi e veçantë e kujdesit intensiv, tashmë janë shndërruar në njësi për trajtimin e pacientëve me COVID-19. Po ashtu, reparte të veçanta për pacientët me COVID-19 tashmë ka edhe në Pediatri dhe në Gjinekologji.

MSH: Situata e rënduar kërkon mobilizim shtesë

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë së Qeverisë së Kosovës, me pyetjen se cilat janë mundësitë për sigurimin e kapaciteteve shtesë për pranimin e pacientëve të prekur me COVID-19, marrë parasysh që kapacitetet aktuale janë në prag të limiteve për pranim.

Ministria e Shëndetësisë ka theksuar se “situata e rënduar epidemiologjike dhe ngarkesa e lartë spitalore kërkon mobilizim të kapaciteteve shtesë”.

“SHSKUK (QKUK dhe spitalet e përgjithshme) kanë mbi 4.000 shtretër për të gjitha shërbimet. Përveç ruajtjes së shërbimeve vitale në këto spitale, pjesa më e madhe e hapësirave do të shfrytëzohet për trajtimin e pacientëve me COVID-19. Pastaj është në dispozicion edhe pjesa shëndetësore (reparti) i FSK-së, ndërkohë që ka edhe opsione të tjera që do të aktivizohen, nëse ritmi i shtrimeve spitalore vazhdon kësisoj”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.

Të shtunën, më 28 gusht, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka thënë se kanë rritur kapacitetet spitalore deri në 1.600 shtretër pas rritjes së rasteve të reja me koronavirus.

“Të mendohet për kapacitete jashtëspitalore”

Sipas raportit të 30 gushtit të SHSKUK-së, prej 1.284 pacientëve që janë të shtrirë në kuadër të këtij shërbimi, 1.167 janë të konfirmuar me COVID-19 pozitivë, prej të cilëve 1.098 janë me oksigjeno-terapi dhe 60 nën kujdesin intensiv.

Në klinikat e QKUK janë të shtrirë 449 pacientë, ndërkaq në shtatë spitalet tjera të përgjithshme rajonale, në Prizren, Gjakovë, Pejë, Gjilan, Mitrovicë, Vushtrri dhe Ferizaj, janë të shtrirë 835 pacientë.

Drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, thotë se ky shërbim është duke u përpjekur maksimalisht, që me të gjitha kapacitetet t’iu dalë në ndihmë pacientëve.

“Pra, duke i shfrytëzuar në mënyrë racionale të gjitha resurset që i kemi në dispozicion aktualisht. Njëkohësisht, të shpresojmë që do të mendohet edhe për kapacitete jashtëspitalore sepse po duket që trendi është në rritje i të spitalizuarve”, tha Krasniqi.

Ai shtoi se vala aktuale e pandemisë, ndryshe nga valët paraprake, po karakterizohet me numër të madh të të infektuarve që kërkojnë hospitalizim brenda një periudhe të shkurtë kohore. Varianti Delta i koronavirusit, siç thotë ai, ka prekur edhe grupmoshat më të reja, duke mos kursyer as fëmijët.

Dedushaj: Shpresoj për rënie të numrit të infektuarve

Por, epidemiologu, Isuf Dedushaj, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin që vala aktuale e pandemisë e ka pikun e saj tash dhe se gradualisht do të nisin të ulen shifrat e të infektuarve, por edhe të atyre që përfundojnë me fatalitet.

“Fatkeqësisht, forma Delta (e koronavirusit) po i godet fëmijët prej një vit e lartë dhe shumica e fëmijëve, të atyre parashkollor dhe atyre shkollor, do ta kalojnë infeksionin padiktueshëm. Meqenëse sëmundja përhapet në mënyrë progresive, prej një deri në tetë ose dhjetë të prekur, atëherë shumë shpejt do të arrihet numri objektiv falë kësaj forme determinuese. Unë po shpresoj që të bie numri i viktimave”, tha Dedushaj.

Megjithatë, ai shtoi se ndryshimet që po pëson në vazhdimësi koronavirusi i quajtur SARS CoV-2, tashmë ka ngritur mjaft pikëpyetje në qarqet shkencore botërore. Ai druan që ky virus është vështirë të çrrënjoset tërësisht.

“Frika tjetër është që do të mund të shndërrohet sikur gripi sezonal dhe në të ardhmen do të duhet që për çdo vit, kategori të caktuara të popullatës të marrin vaksinë, që të mbrohen sikurse prej gripit sezonal”, tha Dedushaj.

Javët e fundit në Kosovë, rastet që kanë përfunduar me fatalitet nga COVID-19 janë shtuar dhe më 29 gusht është shënuar dita më tragjike, me 36 viktima, që prej kur është paraqitur pandemia, në mars të vitit të kaluar. Më 30 gusht, të hënën, po ashtu janë shënuar 20 viktima nga COVID-19.

Më 30gusht kanë hyrë në fuqi masat e reja kundër pandemisë, të cilat sipas Qeverisë së Kosovës, kanë për qëllim frenimin e përhapjes së mëtejme të koronavirusit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG