Për të tretën ditë me radhë, studentët iranianë kanë organizuar protesta antiqeveritare në disa universitete, sipas videove të publikuara online, që janë verifikuar nga Radio Evropa e Lirë.
Protestat e reja janë të parat që kur autoritetet vranë mijëra njerëz gjatë shtypjes së paprecedent të protestave mbarëkombëtare kundër regjimit klerikal të Iranit muajin e kaluar.
Trazirat e reja vijnë në kohën kur Irani po përballet me mundësinë e një veprimi ushtarak nga Shtetet e Bashkuara. Presidenti amerikan, Donald Trump, ka paralajmëruar Teheranin kundër dhunës së mëtejme ndaj protestuesve dhe ka kërcënuar se do ta godasë Republikën Islamike për shkak të refuzimit të saj që të heqë dorë nga programi bërthamor.
Dhjetëra studentë zhvilluan protesta më 23 shkurt në të paktën katër universitete në kryeqytetin iranian, Teheran, përfshirë Universitetin Al-Zahra, Universitetin e Teheranit, Universitetin e Teknologjisë Sharif dhe Universitetin e Teknologjisë Amir Kabir.
Video në rrjetet sociale shfaqën studentet në Universitetin Al-Zahra duke brohoritur: “Ky është viti i gjakut. Sayed Ali do të rrëzohet”, duke iu referuar liderit suprem ajatollah Ali Khamenei.
Ndërkaq, video të tjera shfaqën studentë në Universitetin e Teheranit duke brohoritur: “Grua, jetë, liri”, një referencë për protestat mbarëkombëtare të vitit 2022, që u nxitën nga vdekja e një gruaje të re në paraburgim, e cila akuzohej nga autoritetet iraniane se kishte shkelur ligjin për hixhabin.
Protestat e reja përkojnë me fillimin e semestrit të ri universitar dhe me qindra ceremoni që janë mbajtur në të gjithë vendin gjatë javës së kaluar për të përkujtuar viktimat e vrara gjatë shtypjes së protestave masive në janar.
Sipas grupeve për të drejtat e njeriut, të paktën 7.000 persona u vranë gjatë protestave që shpërthyen në fund të dhjetorit të vitit 2025, edhe pse besohet se numri real i të vdekurve është shumë më i lartë.
Shumica e vrasjeve raportohet se ndodhën midis 8 dhe 10 janarit, kur konsiderohet se ishte kulmi i shtypjes.
Këto protesta ishin ndër më të mëdhatë në Iran që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979.
Protestat e reja në Teheran po zhvillohen teksa SHBA-ja vazhdon të kërcënojë me sulme Iranin për shkak të programit të tij të kontestuar bërthamor, pavarësisht disa rundesh të negociatave indirekte.
Trump ka dërguar në rajon dy aeroplanmbajtës me avionë luftarakë dhe bombardues, si dhe forca mbështetëse janë parë duke fluturuar drejt bazave ajrore në Lindjen e Mesme.
Në shfaqjen më të madhe të raportuar të kundërshtimit në kryeqytet që nga shtypja vdekjeprurëse e muajit të kaluar, studentët iranianë duke brohoritur slogane antiqeveritare u përballën me forcat e sigurisë jashtë Universitetit të Teknologjisë Sharif më 21 shkurt. Tubime të ngjashme u raportuan edhe në universitete të tjera.
Më 22 shkurt, studentët u përballën me ushtarë nga Basiji, një forcë vullnetare paramilitare që ka luajtur një rol të rëndësishëm në shtypjen e protestave politike në të kaluarën, jashtë Universitetit të Teknologjisë Amir Kabir.
Studentët dëgjoheshin duke brohoritur slogane antiqeveritare, sipas videove të publikuara në rrjetet sociale. Të tjerë u panë duke valëvitur flamurin kombëtar iranian.
Universitetet në Teheran shpesh kanë qenë skenë e protestave studentore që kanë ndodhur që nga revolucioni i vitit 1979, dhe që kanë rezultuar në shtypje brutale nga forcat e sigurisë.