Ndërlidhjet

Sulmet ngadalësojnë evakuimin e afganëve drejt Maqedonisë së Veriut


Afganistan: refugjatë afganë, presin jashtë Aeroportit të Kabulit, (25 gusht 2021)
Afganistan: refugjatë afganë, presin jashtë Aeroportit të Kabulit, (25 gusht 2021)

Maqedonia e Veriut është në pritje të 780 civilëve afganë, të cilët do të strehohen përkohësisht në këtë shtet, por që ende nuk dihet se kur saktësisht mund të arrijnë në Shkup.

Nga qeveria thonë se “ardhja e tyre varet nga kushtet e sigurisë dhe organizimi i fluturimeve për evakuimin e tyre. Deri në këto momente nuk kemi ndonjë konfirmim se kur mund të arrijnë civilët e parë”.

“Numri i tyre ndryshon dhe për momentin nuk mund të themi se sa do të jetë numri i saktë i atyre që do të vinë, nëse do të jenë 780 persona, 800 apo më shumë, pasi gjithçka varet nga kërkesat që arrijnë nga partnerët tanë perëndimorë, por edhe nga mundësitë tona si qeveri dhe shtet që të kujdesimi për këta njerëz në nevojë”, ka deklaruar Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, ndërkohë ka siguruar qytetarët se ardhja e civilëve afganë nuk paraqet asnjë rrezik për qytetarët e Maqedonisë së Veriut, pasi bëhet fjalë për persona civilë që kanë punuar për organizatat joqeveritare, misionet ushtarake, përfshirë edhe ushtarët maqedonas që kanë shërbyer në Afganistan.

“Sigurisht se ne e kemi për obligim të kujdesimi për sigurinë e shtetit dhe të qytetarëve tanë. Por, gjithashtu më duhet të theksojë se civilët afganë që duhet të vijnë këtu, janë kryesisht njerëz që kanë punuar për organizatat ndërkombëtare, për shtetet anëtare të NATO-s, përfshirë edhe kontingjentin tonë që ishte atje. Janë civilë që nuk janë aspak radikalë, apo që mund të shkaktojnë probleme. Ne në vitet 2015/2016, jemi përballur me mbi një milion imigrantë dhe gjithçka ka shkuar mirë, e për këtë edhe kemi marrë vlerësime pozitive”, ka deklaruar Spasovski.

Pavle Trajanov, njohës i çështjeve të sigurisë, thotë se gjendja e krijuar në Kabul, përkatësisht sulmet terroriste atje, mund të ngadalësojnë procesin e evakuimit të afganëve, por institucionet, thotë Trajanov duhet të kenë kujdes që në mesin e civilëve të mos infiltrohet ndonjë ekstremist.

“Gjendja atje është kaotike dhe kjo do të ngadalësoj procesin e evakuimit të shtetasve të huaj, por edhe të afganëve që kanë bashkëpunuar me forcat e NATO-s, SHBA-së, por edhe me trupat maqedonase atje. Ne duhet të kemi shumë kujdes, normalisht se duhet t'i mbështesim dhe t'i ndihmojmë këta njerëz që kërkojnë ndihmë, apo që po bëjnë gjithçka për të shpëtuar jetët e tyre, por duhet kujdes se mos do të ketë persona që mund të infiltrohen në grupin e atyre që evakuohen, ndonjë pjesëtar i Shtetit Islamik apo ndonjë ekstremist tjetër. Megjithatë, besoj se procesi i sjelljes së tyre në vendin tonë është mirë i organizuar dhe se nuk do të ketë probleme”, thotë Trajanov, duke shtuar se Maqedonia e Veriut, pa dyshim se duhet të jetë pjesë e grupit të shteteve që edhe në të ardhmen të pranojë dhe strehojë njerëz në nevojë.

Vendimi për pranuar civilët afganë kishte nxitur reagime të shumta nga disa parti opozitare, por edhe shoqata e reagime tjera në rrjetet sociale, duke e vlerësuar atë si të rrezikshëm për sigurinë e vendit, por kryeministri Zoran Zaev, në disa raste ka siguruar qytetarët, se vendi jo që nuk rrezikohet, por me vendimin që ka marrë, ka dëshmuar humanitetin dhe gatishmërinë duke u rreshtuar pranë shteteve të tjera që po bëjnë gjithçka për të shpëtuar jetët e njerëzve të pafajshëm.

Në Afganistan kishte edhe rreth 100 shtetas maqedonas, të angazhuar në organizata të ndryshme ndërkombëtare, por të gjithë janë kthyer në vend.

Maqedonia e Veriut ka marrë pjesë në Afganistan edhe me trupa ushtarake. Që nga viti 2002, në kuadër të trupave të NATO-s, kanë marrë pjesë rreth 3,500 ushtarë maqedonas.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG