Ndërlidhjet

Taksa falimenton industrinë e prodhimit të miellit në Kosovë


Një fermer duke korrur grurë.

Industria e miellit në Kosovë, brenda një periudhë të shkurtër kohore mund të falimentojë si pasojë e mungesës së rezervave të grurit, të cilat janë duke u shpenzuar, bëjnë të ditur përfaqësuesit e mullisëve.

Kosova ka importuar grurin në masën më të madhe nga Serbia, por që nga nëntori i vitit 2018, kur Qeveria e Kosovës vendosi tarifën doganore 100 për qind për importet nga Serbia, blerja e grurit nga ky shtet ka rënë tërësisht. Kurse sigurimi i grurit si lëndë e parë për prodhimin e miellit nga vendet tjera të rajonit dhe të Bashkimit Evropian, ka ngritur koston, duke përfshirë këtu koston e transportit, thonë përfaqësues të shoqatës se mullisëve të Kosovës.

Kosova asnjëherë nuk ka arritur të sigurojë nevojat e popullatës me miell nga rendimentet e grurit. Ajo vazhdimisht është varur nga importi që kryesisht ka ardhur nga shteti i Serbisë.

Ndërkaq, nga koha e zbatimit të taksës doganore për importet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, mullinjtë në Kosovë nuk janë më konkurrentë me vendet e rajonit, sidomos me Maqedoninë e Veriut.

Aktualisht, sipas të dhënave të Doganave të Kosovës, importi i miellit për dy muajit e parë të këtij viti nga Maqedonia e Veriut në Kosovë ka arritur në mbi 340 mijë euro, kurse në periudhën e njëjtë të vitit 2018, kjo shumë ka qenë rreth 3000 mijë euro.

Të dhënat e Doganave të Kosovës për importet e miellit nga Maqedonia e Veriut
Të dhënat e Doganave të Kosovës për importet e miellit nga Maqedonia e Veriut

Bashkim Zejnullahu, kryetar i shoqatës se mullisëve të Kosovës në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tregon se në Kosovë veprojnë 98 fabrika të miellit. Aktualisht, sipas tij, 50 tashmë kanë ndërprerë aktivitetin, kurse mbi 40 të tjera janë duke punuar më rezerva të vogla të grurit.

“Industria e miellit në Kosovë nuk mbijeton. Rezervat i kemi shumë afër (shpenzimit) apo në zero. Jemi në obligime shumë të mëdha ndaj qytetarëve, të cilët e kanë deponuar grurin në mullinj për t’u përpunuar. Rezervat që janë grumbulluar nga korrje-shirjet e vitit të kaluar, tashmë janë harxhuar. Për këtë shumica e mullinjve kanë falimentuar dhe pritet që edhe pjesa tjetër të falimentojë shumë shpejtë”, tha Zejnullahu.

Edhe përfaqësues të Shoqatës së Prodhuesve të Grurit, konfirmojnë se rezervat e grurit vendor janë shpenzuar shumë herët, kurse afaristët kanë punuar më import nga Serbia dhe vendet tjera të rajonit. Kryetari i kësaj shoqate, Pal Gjuraj tha për Radion Evropa e Lirë se aktualisht nuk ka import të grurit nga Serbia, kurse mielli është duke u importuar nga vendet e rajonit dhe të Evropës. Ai thotë se pas vendosjes së tarifës doganore, çmimi i miellit është shtrenjtuar nga 28 euro për 100 kilogramë në 38 euro për 100 kilogramë.

“Për nevojat e Republikës së Kosovës, për një vit i duhen 410 mijë tonë grurë, kurse në vitet më të suksesshme kemi prodhuar 260 mijë tonë. Çka do të thotë se Kosova vazhdimisht ka pasur nevojë për 141 mijë tonë të importuar. Kështu që ne kemi importuar shumicën nga Serbia, sepse dihet se Serbia ka rezerva të mëdha të grurit. Fermerët tashmë janë dorëzuar dhe po e blejnë miellin të gatshëm, në vend që të kenë rezerva të gatshme”, thekson Gjuraj.

Për shkak të mungesës së grurit në treg, Bashkim Zejullahu thotë se mielli në tregun e Kosovës po hynë nga Maqedonia e Veriut, me çmim shumë më të lirë sesa produkti final i miellit në vend.

Maqedonia e Veriut, sipas tij, lëndën e parë, apo grurin e siguron në Serbi, e përpunon atë dhe e paketon në Maqedoni. Kurse në tregun e Kosovës hyn me çmim më të lirë. Sipas tij, mielli nga Kosova në treg paraqitet deri në 15 për qind më shtrenjtë sesa mielli nga Maqedonia e Veriut.

“Maqedonia nuk është prodhues i grurit, kurse tashmë janë eksportues për Kosovë. Ata e blejnë grurin në Serbi, e përpunojnë në Maqedoni, sepse kanë të drejtë tregtare, mirëpo e eksportojnë në Kosovë miellin. Maqedonia nuk e ka atë shpenzimin prej 20 ose 30 euro shtesë, qe ne kemi nga vendet më të larta. Kurse aplikimi i kësaj takse, nuk e di, produkti i Serbisë është duke hyrë në Kosovë, por në formë tjetër”, tha Zejnullahu .

Zejnullahu tregon se fabrikat e mullisëve në Kosovë nuk mund të jenë konkurrente me produktin final, miellin, pasi që sipas tij, furnizimi nga vendet tjera me grurë për shkak të transportit, në tregun e Kosovës paraqitet më i shtrenjtë për 20 euro në 100 kilogramë, sesa mielli që vjen nga Maqedonia e Veriut.

Në anën tjetër, afaristët që merren me këtë veprimtari në Maqedoninë e Veriut, pranojnë se është rritur sasia e eksportit të miellit në Kosovë, por jo në përqindje të lartë.

Ramadan Vejseli, pronar i Fabrikës se Mullirit “Balkan” në Tetovë, njëherësh kryetar i grupit të mullisëve në Odën Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tha se eksporti i miellit nga Maqedonia e Veriut në Kosovë është rritur deri në 30 për qind.

“Mielli i tipit 400 dhe 500 fillimisht në Kosovë më së shumti është futur nga Serbia dhe pas vendosjes së taksës, është filluar të rritet importi nga Maqedonia, por jo në përqindjet që po trumbetohet në Kosovë. Unë nuk besoj se as 30 për qind hyn miell në Kosovë nga Maqedonia, në krahasim me periudhën para vendosjes se taksës”.

“Sasia më e madhe është vendore (e Maqedonisë së Veriut), kurse sasia tjetër importohet nga Hungaria, Serbia, Austria dhe Kroacia. Kurse importi më së shumti na konvenon nga Serbia, për shkak se është më afër”, thotë Vejseli.

Në Kosovë në vitin 2016, janë importuar 37 milionë kilogramë miell në vlerë prej 8 milionë eurosh, kurse gjatë vitit 2017 nga shteti i Serbisë në Kosovë, kanë hyrë 22 milionë kilogramë miell, që kalon shifrën prej 4 milionë eurosh.

Qeveria e Kosovës më 6 nëntor të vitit të kaluar, fillimisht kishte vendosur taksën doganore 10 për qind për produktet e importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina. Kjo taksë doganore u ngrit në 100 për qind më 21 nëntor.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës po kërkojnë nga Prishtina zyrtare që të pezullojë këtë taksë, në mënyrë që t’i jepet mundësi vazhdimit të dialogut në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se nuk do të marrë pjesë në dialog, pa u hequr taksa.

Por, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj po këmbëngulë se taksa do të hiqet vetëm kur Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG