Ndërlidhjet

Talat Xhaferi ua mbyll derën deputetëve të opozitës


Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.
Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.

Opozita maqedonase ka kërkuar dorëheqjen dhe ndjekjen penale të kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, pasi ua ka mbyllur atyre derën e sallës së Kuvendit të mërkurën rreth mesnate për të siguruar kuorumin për caktimin e rendit të ditës.

Ky veprim i kryetarit të Kuvendit, ka shkaktuar reagime e tensione të shumta në sallë nga deputetët VMRO-DMNE-së, të cilët kanë bllokuar foltoren e Kuvendit, ndërsa kanë protestuar me brohoritje në sallë.

“Thirreni policinë të vijë këtu pasi na është mbyllur dera. Na është kufizuar liria e lëvizjes. Kjo është e turpshme. Kjo është diktaturë”, ka thënë kryetari i Grupit Parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski, në një video të regjistruar nga celulari brenda sallës së Kuvendit.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, në videon e publikuar dëgjohet duke u thënë deputetëve të opozitës se ka vepruar në përputhje me rregulloren për numërimin e deputetëve të pranishëm në sallë, por nga opozita thonë se në rregullore nuk qëndron se për numërimin e deputetëve të pranishëm në sallën duhet të mbyllet dera e sallës plenare.

“Tashmë është e qartë si kristali se Kuvendi nuk është më një institucion demokratik, por një institucion i kapur nga një autokrat. Ky autokrat i lejon vetes të veprojë sikur Kuvendi të jetë një pronë private, duke mos respektuar asnjë rregullore dhe mbi të gjitha duke cenuar të drejtat themelore të njeriut. Talat Xhaferi me metodat e tij diktatoriale dhe joparimore nuk guxon të udhëheqë legjislaturën as edhe një ditë. Ky njeri nuk ka respekt për askënd, as për shërbimin parlamentar që e shau dhe e nënçmoi në mënyrën më të turpshme, as për deputetët të cilëve guxoi t'u kufizonte të drejtën e lëvizjes dhe i mbylli në sallën plenare”, ka deklaruar Micevski.

Ai ka shtuar se veprimi i kreut të Kuvendit, sipas tij, është bërë me urdhër të Lidhjes Social Demokrate (LSDM).

Deputeti i partisë opozitare “E Majta”, Dimitar Apasiev, ka kërkuar ndjekjen penale të Talat Xhaferit, por fillimisht ka kërkuar shkarkimin e tij nga posti i kryetarit të Kuvendit.

“Me mbylljen e deputetëve në sallën plenare të Kuvendit, Talat Xhaferi jo vetëm që bëri krim, por humbi plotësisht kredibilitetin për të drejtuar Parlamentin! Nga gjithsej 120 deputetë, pesë janë të nevojshëm për fillimin e procedurës së interpelancës. Dy deputetët e së majtës janë në dispozicion. Kërkohen tre heronj të tjerë dhe që procesi të fillojë”, ka shkruar Apasiev në Facebook.

LSDM-ja nuk e ka komentuar veprimin e Xhaferit, por ka akuzuar opozitën për pengimin e punës së institucioneve në kohën kur Maqedonia e Veriut, sipas saj, po përballet me krizë ekonomike.

“Derisa LSDM-ja po e menaxhon me sukses krizën, duke zbatuar masa prej qindra miliona eurosh për t'i ndihmuar qytetarët dhe kompanitë, VMRO-DPMNE vazhdon me bllokada. Veprimi destruktiv i Hristijan Mickoskit është një përpjekje për të rrezikuar funksionimin normal të institucioneve në kohën e krizës më të madhe botërore, por këtë nuk do ta lejojnë partitë në pushtet”, ka deklaruar zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska.

Deputetët e VMRO-DPMNE-së e presin me pankarta kryetarin e Kuvendit Talat Xhaferi. Ata kërkojnë dorëheqjen e tij për shkak të sjelljes me zyrtarët parlamentarë.
Deputetët e VMRO-DPMNE-së e presin me pankarta kryetarin e Kuvendit Talat Xhaferi. Ata kërkojnë dorëheqjen e tij për shkak të sjelljes me zyrtarët parlamentarë.

Nga kryetari i Kuvendit maqedonas, Talat Xhaferi, po kërkohet përgjegjësi edhe për fyerjet e tij drejtuar punonjësve të Kuvendit, më 13 maj, të cilët sipas tij, nuk ishin në krye të detyrës. Pas heshtjes gati dyjavore Xhaferi ka thënë se nuk ndien asnjë përgjegjësi për veprimin e tij pasi bëhet fjalë për lëshime të rënda nga punonjësit e Kuvendit.

“Nuk do të lejoj që në orar pune të shëtisin rrugëve. Duhet t’i kryejnë detyrimet e tyre. Nëse i shkohet çështjes deri në fund, do të ketë pasoja për një gabim të tillë. Materialet që ishin përgatitur para votimit të rendit të ditës, ashtu siç ishin përgatitur, e kthenin seancën nga fillimi”, ka thënë Xhaferi në një takim me gazetarët.

Talat Xhaferi, me propozim të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) për herë të parë në postin e kryetarit të Kuvendit u zgjodh në një atmosferë kaotike më 27 prill të vitit 2017 që shkaktoi dhunë të përgjakshme pasi Kuvendi ishte pushtuar nga ithtarë të VMRO DPMNE-së që kundërshtonin zgjedhjen e tij për kryetar.

Në pozitën e të parit të Kuvendit Xhaferi u zgjodh edhe pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që u mbajtën në 15 korrik të vitit 2020.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG