Ndërlidhjet

Të konkurrosh në tregun e punës pa shkollim dhe aftësim


Ilustrim

Mbi 50 për qind e të rinjve në Kosovë, sipas shifrave zyrtare, llogaritet se janë të papunë. Papunësia, sipas këtyre shifrave, llogaritet që nga mosha 15 deri 24 vjeç. Shifrat e njëjta tregojnë se te femrat, papunësia është mbi 60 për qind, kurse te meshkujt 40 për qind.

Një e treta e këtyre personave konsiderohet se janë pothuajse të shkëputur nga tregu i punës, pasi që janë të papunë për më gjatë se 12 muaj.

Sipas anketës së Fuqisë Punëtore, e publikuar ditë më parë nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, 27 për qind ose rreth 100 mijë të rinj të kësaj moshe, të cilët nuk janë të punësuar, nuk ndjekin as shkollimin, as nuk trajnohen për sektorë të ndryshëm.

Kjo kategori shihet me shqetësim më të madh, kështu që në mungesë të shkollimit, të paktën provohet që të organizohen trajnime apo aftësime për t’i përgatitur ata për tregun e punës.

Por, rruga deri te një vend i punës duket mjaft sfiduese për këta të rinj.

Blerina 22-vjeçare nga rrethi i Prishtinës, ka ndërprerë studimet, por nuk vazhdon ndonjë trajnim. Sipas saj, punësimet me “lidhje” apo familjarizimi ka ndikuar që ajo të humbë shumë shpresat se mund të sigurojë ndonjë vend pune në një të ardhme të afërt.

Në institucione janë krijuar klane të ndryshme dhe punësimi bëhet përmes lidhjeve familjare. Kështu që më ka humbur besimi se mund të gjej një vend pune”, thotë Blerina.

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale vazhdimisht organizon trajnime në sektorë të ndryshëm.

Taulant Selmani, zyrtar i lartë për projekte dhe programe në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, tha për Radion Evropa e Lirë se aktualisht janë duke u realizuar 30 trajnime në shtatë qendra rajonale në gjithë territorin e Kosovës.

Ai thotë se edhe pse ka mungesë të informacioneve për këto projekte, interesimi i të rinjve për programe nuk mungon. Madje, thotë ai, në shumicën e rasteve personat e trajnuar sigurojnë edhe punë.

E mira e gjithë kësaj është se ata pajisen me certifikata dhe ato certifikata janë të pranuara si në tregun e punës në Kosovë, ashtu edhe jashtë vendit".

"Interesimi është shtuar kohëve të fundit, sidomos për ata që kanë synime për migracion të rregullt të punës në shtetet e jashtme, ku disa prej profesioneve janë edhe të akredituara nga Agjencia e Akreditimit të Kosovës”, thotë Selmani.

Sipas Raportit të Punës për vitin 2016 të kësaj ministrie, rreth 7 mijë të papunë kanë hyrë në trajnime të shpërndara në 30 profesione të Qendrave të Aftësimit Profesional.

Në anën tjetër, ekspertë për çështje ekonomike dhe sociale kërkojnë nga autoritetet kompetente që të krijojnë kushte për këtë kategori të shoqërisë.

Behxhet Gaxhiqi, profesor i shkencave sociale në Universitetin e Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë se ministritë përkatëse në Qeverinë e Kosovës duhet të identifikojnë profilet e kërkuara në treg dhe pastaj të organizojnë trajnime.

Në këtë rast ,Ministria e Inovacionit dhe Agjencia Kombëtare e Punësimit duhet të bëjnë identifikimin me kohë për sektorët e nevojshëm. Jo vetëm për të ndjekur trajnimin sa për të marrë një certifikatë, por të sigurojnë punë në treg pas përfundimit të trajnimit”, thotë Gaxhiqi.

Kurse, Ismet Mulaj, nga Oda Tregtare e Afarizmit, thotë se ekonomia e Kosovës nuk paraqitet shumë atraktive për fuqinë punëtore të moshës së re.

“Një pjesë e madhe të rinjve që nuk i vazhdojnë studimet apo që nuk përfundojnë aftësimet e ndryshme, e shohin si mundësi, si potencial tregun ndërkombëtar. Kjo nënkupton se ekonomia e Kosovës është e vjetërsuar dhe rinia perspektivë​n e sheh në perëndim”, thotë Mulaj për Radion Evropa e Lirë

Edhe në një hulumtim të publikuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Prishtinë thuhet se gjetja e kuadrove të kualifikuara për profile të caktuara është identifikuar si një problem serioz për shumë kompani në sektorin privat, gjë që drejtpërdrejt ndikon në konkurrueshmërinë e tyre.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG