Ndërlidhjet

Pandemia thellon varfërinë në Maqedoninë e V.


Shkup, Maqedoni e Veriut. Fotografi nga arkivi.
Shkup, Maqedoni e Veriut. Fotografi nga arkivi.

Pandemia ka thelluar hendekun mes të pasurve dhe të varfërve për 35 për qind në krahasim me periudhën para pandemisë. Derisa të parët edhe gjatë krizës me sëmundjen COVID-19 kanë vazhduar të rrisin pasurinë e tyre, të varfërve u është përkeqësuar gjendje ekonomike-sociale për shkak të masave të ndryshme për mbrojtje nga pandemia, që kanë çuar në humbjen e vendeve të punës, shkurtimin e pagave, rritjen e kostos për jetesë e pasoja tjera.

Me këto vlerësime ka dalë Qendra për Kërkime Ekonomike dhe Analiza në Maqedoninë e Veriut, sipas së cilës, për shkak të masave, vendet e punës janë zvogëluar për 2.7 për qind. Ekspertët e qendrës thonë se për shkak të pandemisë, të rinjtë dhe gratë e punësuara janë goditur më së shumti dhe të cilëve pagat u janë ulur deri në 30 për qind.

"Derisa kemi thellim të hendekut mes këtyre dy kategorive, atëherë me të drejtë konstatojmë se gjatë pandemisë, më të varfrit janë bërë më të varfër, kurse të pasuritë kanë vazhduar të shtojnë pasurinë e tyre. Kjo kryesisht ndodh për shkak të uljes së të ardhurave në sektorin privat. Ulja e vëllimit të punës vetvetiu çon në uljen e të ardhurave personale. Kompanitë gjithashtu kanë hequr dorë nga pagesat shtesë, shpërblimet, bonuset dhe kjo gjithashtu ka rritur pabarazinë sepse realisht kemi humbur shumë vende pune", ka deklaruar Viktor Mitevski nga Shoqata për Kërkime dhe Analiza.

Të dhënat e Entit të Punësimit bëjnë të ditur për së paku 18 mijë persona kanë humbur punës gjatë pandemisë, kryesisht në sektorin privat, por jo zyrtarisht ky numër shkon deri në 50 mijë persona, meqë shumë kompani, siç bëhet e ditur, nuk kanë dorëzuar të dhënat në institucionet përkatëse.

Arben Halili, ish-drejtor i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore thotë për Radion Evropa e Lirë se rritja e varfërisë ka të bëjnë kryesisht me masat shtetërore, të cilat nuk ishin dedikuar për punëtorët, por për kompanitë.

“Normalisht se masat shtetërore kryesisht ishin të fokusuara drejtpërdrejt te kompanitë dhe shumë pak te qytetarët e zakonshëm apo tek ata të papunët, të cilët i mbështesin në ndonjërën nga fazat e ndihmës me 6 mijë denarë (100 euro) apo 9 mijë denarë (150 euro), por që ishin tërësisht të pamjaftueshme për të përballuar nevojat elementare ditore apo edhe mujore të një familjeje. Në këtë drejtim, vlerësoj se përfituesit më të mëdhenj të masave rezultuan të jetë ata që bën qarkullimin më të madh të parave gjatë krizës, kompanitë apo personat më të pasur”, thekson Halili.

Se ndihma shtetërore është ndarë vetëm për kompanitë flet edhe analiza e Qendrës për Kërkime Ekonomike dhe Analiza, sipas së cilës, ndihma shtetërore përmes paketave të krijuara të masave ekonomike, është shpërndarë proporcionalisht te kompanitë. Mbështetje më të madhe ka marrë industria e tekstilit, ose rreth 11 për qind e mjeteve totale të siguruara. Ekspertët e Qendrës kërkojnë nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut që masat të projektohen më mirë dhe që ndihma të shkojë direkt te punëtorët.

Sipas tyre, aplikimi i tatimit progresiv do të ishte një nga mënyrat për ta zvogëluar hendekun midis të pasurve dhe të varfërve. Por, zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi ka vlerësuar të kundërtën.

"Tatimi progresiv mund ta thellojë edhe më shumë hendekun midis të pasurve dhe të varfërve sepse lufta nuk është e drejtpërdrejtë. Ne po bëjmë gjithçka për të ndihmuar si kompanitë ashtu edhe punëtorët. Deri tani kemi ndarë ndihma të theksuara përmes katër pakove ekonomike. Jemi në fazë të miratimit edhe të pakos së pestë”, ka deklaruar Bytyqi.

Për përballje me pasojat nga pandemia, qeveria deri tani ka ndihma në vlerë prej rreth 1 miliard euro, por ato kryesisht kanë shkuar për kompanitë si ndihmë për pagat dhe kontributet e punëtorët, por mjete janë ndarë edhe për turizëm vendore, blerje të prodhimeve vendore, për nxënës, pensionist dhe kategori tjera në nevojë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG