Ndërlidhjet

Trump: Denuklearizimi i Koresë Veriore nuk do të bëhet me nxitim


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump gjatë një konference për media në Nju Jork. 26 shtator, 2018.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump gjatë një konference për media në Nju Jork. 26 shtator, 2018.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se nuk ka afat kohor për denuklearizimin e Koresë së Veriut, edhe pse më herët ka kërkuar që shteti komunist t’i dorëzojë armët bërthamore sa më parë që të jetë e mundur.

“Mendoj se do të bëjmë diçka që do të jetë shumë e rëndësishme, por nuk do të bëjmë lojë me kohën”, tha Trump në një konferencë për media në Nju Jork.

“Nëse merr dy vjet, tre vjet ose pesë muaj – kjo nuk ka rëndësi”, tha presidenti amerikan.

Komentet e tij vijnë pasi Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, zhvilloi një takim me ministrin e Jashtëm verikorean, të cilin e cilësoi si shumë pozitiv. Pompeo do të vizitojë sërish Phenjanin muajin e ardhshëm, për të përgatitur takimin e dytë të Trumpit me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un.

Trump dhe Kim janë takuar për herë të parë më 12 qershor në Singapor. Atëbotë, Kim është zotuar se do të punojë drejt denuklearizimit të Gadishullit Korean.

Angazhimet dhe veprimet e Kimit, megjithatë, nuk i kanë plotësuar kërkesat e Uashingtonit për të bërë listën e plotë të armëve që posedon dhe për të bërë hapa të pakthyeshëm në dorëzimin e arsenalit bërthamor që mund të kërcënojë Shtetet e Bashkuara.

Trump zbuloi se ka marrë një letër “të jashtëzakonshme” nga Kim dhe tha se do të takohet me të së shpejti.

Presidenti Trump ka treguar letrën që ka marrë nga lideri verikorean, Kim Jong Un.
Presidenti Trump ka treguar letrën që ka marrë nga lideri verikorean, Kim Jong Un.

Trump e cilësoi letrën si “copëz të bukur arti”, por nuk tha se çfarë është shkruar në të.

“Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Veriut po zhvillojnë marrëdhënie të mrekullueshme. Kim dëshiron marrëveshje. Unë dua marrëveshje. Ai më pëlqen mua, unë e pëlqej atë”, tha Trump.

Ai po ashtu tha, pa paraqitur prova, se paraardhësi i tij, Barack Obama, ka qenë gati të shkojë në luftë me Korenë e Veriut në javët e fundit të presidencës, porse zgjedhja e tij “e ka shpëtuar botën nga “gjëma”.

“Po të mos zgjidhesha unë, ju do të shkonit në luftë. Ai ka qenë gati të shkojë në luftë. Ju do të kishit luftë dhe do të humbnit miliona, jo mijëra”, tha Trump.

Është raportuar se Obama e ka paralajmëruar Trumpin gjatë tranzicionit presidencial se Koreja e Veriut paraqet kërcënim serioz, por kriza është përkeqësuar në vitin e parë të administratës Trump, kur Phenjani ka testuar një bombë termonukleare dhe disa raketa balistike ndërkontinentale.

Vitin e kaluar, në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Trump e ka kërcënuar Korenë e Veriut me "shkatërrim total", ndërsa Kimin e ka quajtur "njeri të raketave".

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG