Ndërlidhjet

Uganda do t'i pranojë afganët që po i ikin regjimit të talibanëve


Qinde afganë para aeroportit në Kabul, gusht 2021.

Uganda do të pranojë 2,000 refugjatë, të cilët kanë ikur nga Afganistani, pasi talibanët kanë marrë pushtetin më 15 gusht.

Marrëveshja është arritur pas kërkesës së Shteteve të Bashkuara, ka thënë ministrja për refugjatë, Esther Anyakun për transmetuesin britanik BBC.

Grupi i parë me 500 afganë ishte planifikuar të arrinte më 17 gusht, mirëpo zyrtarët kanë thënë se janë ende duke diskutuar për hollësitë.

Uganda ka histori të gjatë të mikëpritjes së refugjatëve dhe aktualisht strehon 1.3 milion të tillë.

Ky komb i Afrikës Lindore ka numrin më të madh të refugjatëve në Afrikës dhe të tretin në botë.

Afganët do të testohen për koronavirus para se të dërgohen në qendra izolimi ka thënë ministrja Anyakun.

Shtetet e Bashkuara pritet të mbulojnë këto shpenzime.

Edhe Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë shprehur gatishmëri për të strehuar disa migrantë afganë.

Autoritetet në Shqipëri dhe Kosovë kanë konfirmuar se kanë negociuar me autoritetet amerikane për këtë çështje, mirëpo ende nuk janë dhënë detaje se kur apo nga sa migrantë pritet të strehojnë.

Talibanët kanë pretenduar fitore më 15 gusht, pasi kanë marrë kontrollin e kryeqytetit, Kabulit, pas gati 20 vjetëve të dhënies fund të prezencës ushtarake të forcave të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara.

Qeveria ka rënë dhe presidenti Ashraf Ghani ka ikur nga shteti.

Ende nuk dihet vendndodhja e tij.

Trupat amerikane janë duke kontrolluar aeroportin ndërkombëtar të Kabulit, ndërkohë që banorë të dëshpëruar janë duke tentuar të ikin nga shteti.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka mbrojtur vendimin e tij për tërheqje nga Afganistani duke thënë se “misioni asnjëherë nuk ka pasur për qëllim shtet-ndërtimin”.

"Jam shumë i trishtuar me faktet me të cilat përballemi tani, por nuk më vjen keq për vendimin tim për t'i dhënë fund luftës në Afganistan", tha Biden në një fjalim drejtuar kombit më 16 gusht.

"Amerikanët nuk mund dhe nuk duhet të vdesin dhe të luftojnë në një luftë që afganët nuk janë të gatshëm të luftojnë për veten e tyre", ka thënë presidenti Biden.

Sipas tij interesi kombëtar i Shteteve të Bashkuara në Afganistan ka qenë gjithmonë kryesisht në parandalimin e sulmeve terroriste.

Presidenti amerikan ka thënë se Qeveria afgane nuk arriti të dëgjojë këshillën e tij dhe të negociojë një zgjidhje politike me talibanët, duke shtuar se kolapsi i Qeverisë afgane ndodhi shumë më shpejt sesa që kishte pritur administrata e tij.

Forcat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara kanë rrëzuar talibanët nga pushteti në tetor të vitit 2001.

Talibanët kanë qenë duke strehuar atëbotë Osama Bin Laden dhe figura tjera të Al-Kaidës, të lidhura me sulmet e 11 shtatorit të po atij viti në Shtetet e Bashkaura.

Presidenti amerikan Joe Biden ka thënë se tërheqja amerikane tani është e arsyeshme, pasi forcat amerikane janë siguruar që Afganistani nuk do të bëhet më bazë për xhihadistë të huaj që të kryejnë komplote kundër Perëndimit.

XS
SM
MD
LG