Ndërlidhjet

Daka: Zgjedhjet e parakohshme janë sfiduese për shkak të afateve kohore


Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka
Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka

Procesi për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit do të jetë një sfidë për Komisioni Qendror të Zgjedhjeve, për shkak të aftit të shkurtër kohor, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në bashkëpunim me të gjithë aktorët tjerë, nënvizoi Daka, do të mundohet të krijojnë një ambient të sigurt, të qetë për të gjithë ata që kanë të drejtë vote dhe të cilët dëshirojnë të votojnë më 6 tetor.

Procesi zgjedhor do të vëzhgohet nga një mision i Bashkimit Evropian si dhe shoqëria civile në Kosovë.

Radio Evropa e Lirë: Zonja Daka, Qeveria e Kosovës tanimë ka ndarë buxhetin prej rreth 6 milionë euro për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit. Si janë duke shkuar përgatitjet rreth këtij procesi?

Valdete Daka: Ne menjëherë pas shpalljes së zgjedhjeve nga presidenti i Kosovës kemi filluar përgatitjet dhe tani jemi në zbatim të planit operacional për ditën e zgjedhjeve të datës 6 tetor. Deri më tani i kemi përfunduar të gjitha ato që janë paraparë me këtë plan operacional. Shpresoj që edhe pjesa tjetër e këtij plani të shkojë ashtu siç e kemi planifikuar. Jemi në afatet e parashikuara më këtë plan dhe deri më tani nuk i kemi shkelur këto afate, që është një kënaqësi për mua se këto janë zgjedhjet të jashtëzakonshme.

Radio Evropa e Lirë: Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka të përcaktuara afatet e aktiviteteve zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme të cilat janë në një periudhë të shkurtër. Sa mund të arrihen të përmbyllen suksesshëm këto afate?

Valdete Daka: Zgjedhjet e rregullta parlamentare do të duhej të mbaheshin prej 4 deri në 6 muaj. Tani ne i kemi pasur vetëm 40 ditë, duke llogaritur edhe ditën kur janë shpallur zgjedhjet dhe kjo natyrisht kërkon që të gjitha afatet e parapara me ligj të shkurtohen. Këto afate të shkurtra janë sfidë edhe për ne edhe për të gjithë akterët e zgjedhjeve, siç janë edhe subjektet politike, sepse të gjitha afatet që kishin me qenë të gjata, tani janë të shkurtuar dhe të gjithë duhet të veprojnë në të njëjtën mënyrë. Për KQZ-në kjo është një sfidë, por me siguri se do të kalojmë.

Radio Evropa e Lirë: Për shkak të specifikave të proceseve zgjedhor në komunat veriore, cili do të jetë roli i OSBE-së në këtë proces?

Valdete Daka: Ai që ka qenë edhe herën e kaluar, do të thotë vetëm rol këshillues. Pra, OSBE-ja do t’i këshillojë Komisionet Komunale Zgjedhore. Ndërkaq, në ditën e zgjedhjeve do të jetë prezentë në qendrat e votimit dhe do t’i këshillojë anëtarët e këshillave të vendvotimit në rast nevoje. Pra, atëherë kur të ketë ndonjë paqartësi sepse ne e dimë që zgjedhjet në veri janë duke u mbajtur vetëm nga viti 2013 dhe kemi komisionarë të rinj, ndërkaq në pjesën tjetër të shtetit ne kemi pasur zgjedhje dhe komisionarët kanë qenë më me përvojë. Pra, OSBE-ja nuk ka rol organizativ, ka rol këshillëdhënës, ashtu siç e ka pasur edhe në dy proceset e kaluara.

Radio Evropa e Lirë: A ka ndonjë angazhim shtesë të KQZ-së në komunat në veri të vendit lidhur me procesin zgjedhor?

Valdete Daka: Ne e dimë që pjesa veriore është një pjesë specifike e Republikës së Kosovës dhe e dimë që atje gjithmonë, të them ashtu, pritet ndonjë ndodhi. Por, unë thash, ne i kemi organizuar (zgjedhjet) në vitin 2013 me sukses, në vitin 2014, 2017. Tash së voni, në maj kemi pasur zgjedhje për kryetarë të komunave në pjesën veriore dhe nuk kemi pasur ndonjë problem të theksuar.

Natyrisht që prapaskenat e politikës janë pjesë e cila nuk i takon KQZ-së. Ne vetëm i organizojmë zgjedhjet, ndërsa çështjet politike, skenën politike, çështjet e sigurisë janë çështje të cilat ne nuk i kemi në kompetencë, por gjithsesi ne në bashkëpunim edhe me organet e rendit dhe sigurisë, si dhe me të gjithë akterët e tjerë që janë përgjegjës për sigurinë, do të mundohemi të krijojmë një ambient të sigurt, të qetë për të gjithë ata që kanë të drejtë vote dhe të cilët dëshirojnë të votojnë më 6 tetor.

Radio Evropa e Lirë: A ka interesim të monitoruesve ndërkombëtarë për këtë proces zgjedhor?

Valdete Daka: Po, ne dje kemi nënshkruar një marrëveshje administrative me Bashkimin Evropian për ardhjen e një misioni vëzhgues, të cilët me ftesën e presidentit të Republikës, kanë shprehur gatishmërinë që të jenë prezent edhe këtë herë, sikur edhe në dy proceset e kaluara zgjedhore dhe të cilët do të kenë mundësi që për së afërmi, që nga dita e sotme, – sepse me sa e di unë ata qysh sot do të fillojnë ardhjen e tyre dhe janë çështje logjistike derisa ata të akomodohen në Kosovë – që nga tani do të fillojnë vëzhgimin e gjithë procesit zgjedhor, pra jo vetëm në ditën e zgjedhjeve, por do të vëzhgojnë punën e KQZ-së, punën e Komisioneve Komunale Zgjedhore, përgatitjet për zgjedhje, punën në ditën e zgjedhjeve në veçanti, por, edhe në ditët deri në certifikimin e rezultateve. Pas kësaj, do të lëshojnë një raport të detajuar lidhur me të gjitha gjetjet e tyre, sikurse edhe me rekomandimet eventuale për punën e KQZ-së dhe për zgjedhjet në përgjithësi.

Radio Evropa e Lirë: Organizatat joqeveritare që merren me organizimin e diasporës, në vazhdimësi janë ankuar se diaspora ka hasur në pengesa në ushtrimin e të drejtës së tyre për të votuar në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017. A janë bërë lehtësira për votuesit nga diaspora?

Valdete Daka: Unë me keqardhje duhet të them se faji për këtë nuk është i KQZ-së. KQZ nuk mund të bartë përgjegjësinë për faktin se çdo herë kemi organizuar zgjedhje të jashtëzakonshme. Ne bëjmë të pamundurën që të gjithëve me të drejtë vote të ju ofrojmë mundësitë e barabarta. Edhe këtë herë si dhe herëve tjera ne kemi dal edhe përtej ligjit, pasi që Ligji për votimin jashtë Kosovës siguron dy mënyra të regjistrimit përmes postës dhe me faks, ne kemi dal përtej kësaj dhe e kemi hapur në ueb faqen tonë postën elektronike, emailat tonë ku qytetarët nga diaspora mund të regjistrohen nëpër mjet emilave dhe këtë herë për dallim nga vitet tjera kemi shtuar numrin e këtyre emialave.

Tani për tani me njoftimet të cilat i kam nga shërbimi i votuesve nuk kemi asnjë problem, emialat janë duke ardhur në mënyrë të rregullt, nuk ka rënie të sistemit ashtu si zakonisht thuhet, tani të shohim sa do të jetë numri i atyre që kanë kërkuar të regjistrohen si votues jashtë Kosovës dhe sa prej tyre do ta marrin njoftimin tonë se janë regjistruar suksesshëm për të qenë votues jashtë Kosovës.

Duhet ta cekim se procedurat e votimit jashtë Kosovës janë të ndërlikuara ligjërisht pasi që ashtu e kërkon ligji, por ne nuk mund këto procedura t’i anashkalojmë pasi që tani do të kishim vërejtje nga subjektet politike. Afatet janë jashtëzakonisht të shkurtra, procedurat janë të komplikuara dhe kjo është ajo të cilën ne nuk mund të ndryshojmë përkundër dëshirës. Jemi duke punuar me kapacitete të plotë në tre ndërrime që të regjistrohen qytetarët të cilët kanë të drejtë vote.

Radio Evropa e Lirë: Zgjedhjet e 11 qershorit, në përgjithësi ishin vlerësuar të suksesshme, përjashtuar disa vërejtje që janë dhënë në lidhje me listën e papërditësuar të votuesve dhe disa parregullsive, por të cilat sipas vëzhguesve, nuk kishin ndikuar në proces. A janë eliminuar këto probleme?

Valdete Daka: Probleme të theksuar nuk kemi pasur në vitin 2017. Ne vitin 2017 i kemi pasur vetëm 30 ditë, ajo është përtej imagjinatës që të organizohet një proces i tillë për vetëm 30 ditë dhe të gjithë të jenë të kënaqur. Organizimi i zgjedhjeve është një projekt i jashtëzakonshëm edhe për demokracitë më të arritura se ajo e Kosovës, por megjithatë ne kemi arritur që të organizojmë zgjedhje për 30 ditë dhe edhe këtë herë do të arrijmë t’i tejkalojmë të gjitha. Gjithsesi ne do të tentojmë këtë herë t’i eliminojmë të gjitha ato sfida që i kemi pasur në procesin zgjedhor 2017.

XS
SM
MD
LG