Ndërlidhjet

Zaev thotë se ka siguruar votat për ndryshimet kushtetuese


Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev
Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev

Partitë në pushtet besojnë se kanë arritur të sigurojnë shumicën prej dy të tretave të votave për miratimin e ndryshimeve kushtetuese, të domosdoshme për zbatimin e marrëveshjes me Greqinë për emrin. Kryeministri, Zoran Zaev tha se nga bisedat që ka zhvilluar me deputetë të opozitës, ka fituar përshtypjen se ata do të mbështesin ndryshimin e Kushtetutës, por se këtë për momentin nuk do ta thonë publikisht për shkak të kritikave që mund të kenë apo edhe pasojave tjera të mundshme.

“Numri i mbështetësve është i madh, pasi njerëzit besojnë në këtë proces dhe me siguri se për shkak të kërcënimeve e presioneve të ndryshme, ata nuk i tregojnë qëndrimet e tyre deri në fund. Sikur unë edhe ata e dinë se këtë shans duhet ta shfrytëzojmë se mundësi tjetër nuk do të ketë. Ata gjithashtu e dinë se Marrëveshja me Greqinë është e drejtë dhe se më të mirë nuk mund të ketë, sikur që nuk mund të ketë as NATO dhe as BE pas zbatimin e marrëveshjes së arritur”, ka deklaruar kryeministri, Zoran Zaev duke besuar në votimin e suksesshëm për të ardhmen e Maqedonisë.

Ai ka hedhur poshtë edhe njoftimet për gjoja blerjen me shuma të mëdha të parave të deputetëve të opozitës.

“Edhe një herë i bëj thirrje opozitës për mirëkuptim. Plan ‘B’ nuk ka, nuk e kemi pasur në tryezën e bisedimeve dhe nuk do të ketë, pasi nuk ka alternativë tjerë. Andaj të gjithë duhet të jemi të ndërgjegjshëm për procesin dhe t’i parashtrojmë pyetjen vetes se çfarë më tej nëse edhe kjo mundësi dështon”, u shpreh kryeministri Zaev në një manifestim me rastin e shënimit të festës kombëtare të 11 tetorit, ditës së fillimit të luftës nacional-çlirimtare.

Opozita nga ana tjetër mbetet në qëndrimin se deputetët e saj nuk do të mbështesin “marrëveshjen kapitulluese për emrin”, ndërsa pretendimet e kryeministrit i cilësojnë si ‘blof’ dhe panik para dështimit të ri, siç shprehen ata. Këtë në seancën e Komisionit parlamentar për çështje kushtetuese e deklaroi, ish--kryetari i Kuvendit, Trajko Veljanovski, deputet i VMRO-së. Ai tha se shumica duhet të respektojë rezultatin e referendumit në të cilin nuk u arrit pragu prej 50 për qind.

Njohësit e çështjeve politike thonë ndërkohë se ndryshimet kushtetuese duhet të bëhen sa më parë që të jetë e mundur, pasi çdo variant tjetër i kërkimit të zgjidhjes, qoftë edhe zgjedhjet e parakohshme, paraqesin rrezik, për shkak të epilogut të paparashikuar që mund të kenë.

“Ndryshimet kushtetuese janë domosdoshmëri, se a do të ndodhin këtyre ditëve, apo edhe më vonë, kjo nuk dihet saktë, por nuk ka asnjë dilemë se ato do të ndodhin. Të parashikohet është shumë e vështirë. Ka kontakte mes partive në pushtet dhe atyre në opozitës, por nuk do të merrja guximin të prognozoj se çfarë mund të sjellë e nesërmja. Në tërë këtë situatë një gjë është e sigurt, nëse tani nuk bëhen ndryshimet (kushtetuese) vendi shkon në zgjedhje, nuk kohë të humbë asnjë ditë. Ato shihet si mundësi tjetër për të siguruar shumicën prej dy të tretave dhe për të bërë ndryshimet kushtetuese dhe për të zbatuar Marrëveshjen me Greqinë, pa të cilat Maqedonia nuk ka të ardhme”, thotë analisti Nikolla Dujoski.

Debati në Komisionin parlamentar vazhdon të premten, ndërsa të hënën është caktuar seanca plenare për miratimin e kërkesës së qeverisë për ndryshimin e Kushtetutës, me qëllim harmonizimin e saj me Marrëveshjen me Greqinë që parasheh emrin Maqedonia e Veriut.

Pas këtij debati që mund të zgjasë deri dhjetë ditë, ndryshimet sërish kalojnë në komisionet amë, për t’u rikthyer më pas në seancë plenare për votimin përfundimtar. E gjithë procedura mund të zgjasë deri nga mesi i janarit të vitit të ardhshëm, kur edhe mbyllet detyrimet e Maqedonisë për zbatimin e marrëveshjes, për të kaluar më pas për ratifikim edhe në Parlamentin e Greqisë.

XS
SM
MD
LG