Ndërlidhjet

Kuvendi i Kosovës, 5 mars 2026.
Kuvendi i Kosovës, 5 mars 2026.

Kuvendi dështon ta zgjedhë presidentin e Kosovës në mungesë të kuorumit, Haxhiu i drejtohet Kushtetueses

E përditësuar

• Më 5 mars, ditën e fundit kur Kosova duhej t’i nisë procedurat për zgjedhjen e presidentit të ri sipas afatit kushtetues, Kuvendi dështoi ta zgjedhë atë.

• Seanca u ndërpre në mungesë të kuorumit, pasi në sallë mungoi opozita.

• Në garë ishin Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçaku-Mullhaxha, të dy nga partia në pushtet.

• Tani, Kuvendi do të duhet ta zgjedhë presidentin brenda 60 ditësh, ose vendi shkon drejtpërdrejt në zgjedhje.

• Si pasojë, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, i kërkoi Gjykatës Kushtetuese t’i pezullojë afatet kushtetuese përkohësisht për zgjedhjen e presidentit të ri.

• Paraprakisht presidentja Vjosa Osmani solli amendamente kushtetuese që presidenti të zgjidhet nga vota e popullit, por Kuvendi dështoi të mbledhë mbështetje për kalimin e tyre.

01:00

Të dashur lexues, këtu po e mbyllim për sonte mbulimin tonë të drejtpërdrejtë të zhvillimeve në Kuvendin e Kosovës. Më poshtë mund ta lexoni një përmbledhje të shkurtër të ngjarjeve më 5 mars:

Një natë e gjatë mbaroi pa ndonjë zgjidhje dhe Kosova nuk ka president të ri.

E enjtja e 5 marsit ishte afati i fundit kur Kuvendi i Kosovës duhet t’i niste procedurat për zgjedhjen e kreut të shtetit, pasi presidentes së tanishme, Vjosa Osmani, i mbaron mandati më 4 prill.

Dita nisi me vetëm një kandidat të propozuar për president, ani pse nevojitej të paktën dy për të pasur garë, zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca i partisë në pushtet Lëvizja Vetëvendosje.

Derisa propozimi për kandidatin e dytë po mungonte, në një kthesë të papritur, presidentja Osmani i kërkoi Kuvendit të bëjë ndryshime kushtetuese për ta mundësuar zgjedhjen e presidentit përmes votës së popullit, e jo votimit në Kuvend siç kërkohet.

Ndryshimet e propozuara kushtetuese nuk kaluan në Kuvend dhe partia e kryeministrit Albin Kurti doli me kandidatin e dytë për president në çastin e fundit: Fatmire Kollçaku-Mullhaxha.

Për ta filluar votimin për president, sipas ligjit, duhej të ishin të paktën 80 deputetë të pranishëm në seancë, por opozita e braktisi sallën.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, nuk pati rrugëdalje tjetër pos ta ndërpresë seancën në mungesë të kuorumit.

Ajo më pas njoftoi se i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese t’i pezullojë afatet kushtetuese përkohësisht lidhur me zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, pak minuta para afatit për emërimin e tij.

Tani, Kuvendi do të duhet ta zgjedhë presidentin brenda 60 ditësh, ose vendi shkon drejtpërdrejt në zgjedhje.

00:15

Rashiti thotë se Kosova do të futet në krizë të thellë “pa rrugëdalje”

Drejtori i Grupit Ballkanik për Politika në Prishtinë, Naim Rashiti, tha se partitë politike bënë “shumë veprime të gabueshme”, ndër to, “dy të mëdha”.

“Që opozita nuk propozoi emra (ka mjaftë) për kandidatë për president, dhe që Vetëvendosje nuk pranoi dhe ofroi hapësirë serioze për kandidatë më gjithëpërfshirës për postin e presidentit”, shkroi Rashiti në Facebook.

Ai mori shembull Bosnje e Hercegovinën si një vend që arrin t’i shmangë telashet e tilla, pavarësisht se ka një sistem më të ndërlikuar politik.

“Sa për dijeni, boshnjakët, kroatët e serbët gjithmonë arrijnë t’i formojnë të gjitha institucionet dhe ndajnë të gjitha pozitat udhëheqëse federale të shtetit në Bosnje”, shkroi ai.

Por, në Kosovë, theksoi ai, ka vite që partitë shqiptare “nuk mund të merren vesh për gjë…keq shumë keq”.

“Do të futemi në krizë të thellë pa rrugëdalje…”

Naim Rashiti.
Naim Rashiti.
23:33 5.3.2026

Haxhiu i kërkon Kushtetueses t’i pezullojë afatet për zgjedhjen e presidentit

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese t’i pezullojë afatet kushtetuese përkohësisht lidhur me zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, pak minuta para afatit për emërimin e tij.

Haxhiu shkroi në Facebook pak para mesnatës se “sapo i jemi drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës për zgjedhjen e presidentit të Kosovës”.

“Kemi kërkuar që Gjykata Kushtetuese të vendosë masë të përkohshme për pezullimin e afatit kushtetues që lidhet me procedurën e zgjedhjes së Presidentit, deri në publikimin e aktgjykimit”, shkroi ajo.

Ajo theksoi se për ketë është njoftuar edhe presidentja Vjosa Osmani.

Ndërkohë, Arbërie Nagavci nga partia në pushtet, tha se gjykatës do t’i kërkojnë edhe masa kundër deputetëve të opozitës, të cilët nuk morën pjesë në seancë dhe kështu pamundësuan votimin për president.

“Presim dhe bëjmë thirrje që të shqyrtohet me prioritet kjo kërkesë e jona, sepse besojmë se deputetët që nuk morën pjesë në seancë kanë shkelur Kushtetutën”, tha Nagavci.

23:24 5.3.2026

A shkon vendi në zgjedhje pas dështimit për ta zgjedhur presidentin?

Afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit, 5 marsi, mbaron brenda minutash, dhe Kuvendi nuk arriti të zgjedhë presidentin e ri.

Ka pasur interpretime të ndryshme nëse Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje.

Në nenin e Kushtetutës për zgjedhjen e presidentit thuhet se presidenti i ri duhet të zgjidhet 30 ditë para se të përfundojë mandati i presidentit aktual, që në rrethanat e tanishme është data 5 mars.

Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, tha për Radion Evropa e Lirë se edhe nëse Kosova nuk e zgjedh presidentin deri më 5 mars, vendi nuk do të përballet me zgjedhje.

Sipas tij, nëse nuk përmbushet ky afat 30-ditor, bëhet shkelje kushtetuese, por nuk ka pasojë juridike si shkuarja në zgjedhje.

Miftaraj shtoi se nuk ekziston një nen ku mund të bazohej dekreti për shpërndarjen e Kuvendit.

“Janë vetëm dy situata në të cilat shkohet në zgjedhje. E para, nëse, ta zëmë, më 5 mars fillon procesi për zgjedhjen e presidentit, dhe i njëjti nuk përmbyllet brenda 60 ditësh, automatikisht vendi shkon në zgjedhje. Dhe, në situatën e dytë, nëse në rundin e tretë të votimit për president nuk janë votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur presidenti”, sqaroi Miftaraj.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG