Demokraci Plus: Opozita e ka edhe një mundësi të fundit për ta parandaluar bllokadën e radhës
Albert Krasniqi nga organizata joqeveritare Demokraci Plus ka thënë përmes një postimi në Facebook se “opozita e ka vetëm edhe sot një mundësi të fundit për ta parandaluar bllokadën e radhës” që, sipas tij, po përgatitet nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për t’ua hapur rrugën zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
“Kjo mund të arrihet duke nominuar një kandidat të dytë për president, krahas Konjufcës tashmë të propozuar, dhe duke qëndruar në sallë vetëm gjatë raundit të parë të votimit, për t’u larguar në raundet pasuese. Thirrja e një seance të jashtëzakonshme për këtë proces mund të bëhet me 40 nënshkrime. Në këtë mënyrë aktivizohet rrjedhja e afatit kushtetues prej 60 ditësh për zgjedhjen e presidentit. Nëse brenda këtij afati presidenti nuk zgjidhet, vendi shkon automatikisht në zgjedhje të jashtëzakonshme”, ka thënë Krasniqi.
Nëse nuk veprohet kështu, sipas tij, duke filluar nga nesër vendi rrezikon të hyjë në një cikël të ri bllokade institucionale, “përmes manovrave procedurale dhe lojës me Gjykatën Kushtetuese, ku koha e zgjedhjeve do të diktohet nga momenti politik më i përshtatshëm për LVV-në”.
Qëndrimi i LDK-së
Prej partive më të mëdha opozitare, vetëm pjesëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) nuk janë deklaruar sot për mediat, ndonëse e kanë bërë të qartë një ditë më parë se nuk kanë votë për Konjufcën.
Radio Evropa e Lirë ka pyetur përfaqësues të partisë nëse do të kenë ndonjë kandidat për president sot dhe nëse do të ketë diskutime me ndonjë parti për mundësinë e ofrimit të mbështetjes për ndonjë kandidat, por nuk ka marrë ndonjë përgjigje.
Osmani pyetet nëse do të kandidohet nga Kurti
Pas përfundimit të seancës për Epopenë e UÇK-së, presidentja Osmani është pyetur nga mediat nëse do të kandidohet nga kryeministri Kurti për presidente.
"Është Epopeja e UÇK-së sot, ju lus që bashkërisht ta respektojmë", ka thënë shkurt ajo.
Çitaku: PDK-ja e ka kryer punën e vet
Vlora Çitaku, nënkryetare e Kuvendit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) ka thënë para mediave se beson që partia të cilës i takon ajo, e ka bërë pjesën e vet të punës, duke iu përgjigjur pozitivisht kërkesave të kryeministrit Kurti për të diskutuar pozitën e presidentit.
“Jemi munduar të ofrojmë zgjidhje mirëpo çfarë është kërkuar nga ne është nënshtrim ndaj vullnetit politik të Kurtit. Ai ka fituar mbi 50 për qind të votave dhe për atë arsye qeveris i vetëm, e udhëheq Kuvendin, mirëpo presidenti i republikës duhet të jetë një grua apo burrë që përfaqëson unitetin qytetar dhe mbi të gjitha i cili, apo e cila do të ishte gardiane e Kushtetutës së Kosovës”.
Kurti është takuar të paktën dy herë me kreun e PDK-së, Bedri Hamza, mirëpo palët nuk kanë arritur pajtueshmëri. PDK-ja ka thënë se i ka ofruar Kurtit që ajo ta bëjë kandidimin për president, por Kurti nuk është pajtuar.
Megjithatë, PDK-ja nuk ka përmendur ndonjë kandidat për president në publik.
“Ne nuk mund ta propozojmë një emër vetëm sa për të marrë pjesë dhe sa për t’i ofruar dhe siguruar kourumin Albin Kurtit, ne kemi qenë të qartë. Ne kërkojmë që presidenti i ardhshëm të jetë produkt i një procesi politik, i dialogut dhe marrëveshjeve, dhe jo imponimeve”, ka thënë mes tjerash ajo.