Deklarimet e PDK-së dhe AAK-së
Para fillimit të seancës solemne për nder të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Kuvend, disa deputetë opozitarë janë deklaruar për gazetarët lidhur me çështjen e presidentit.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda tha se moszgjedhja e presidentit sot do të çojë vendin automatikisht në zgjedhje.
“Nuk do duhej të kishim zgjedhje se njerëzit janë lodhur nga zgjedhjet. Por, kjo është situata”, tha ai.
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri tha se deputetët janë totalisht të painformuar se çfarë po ndodh.
“Nuk di askush kur ka seancë [për zgjedhjen e presidentit]. Sot është dita e fundit. Na ka ardhur vendi në rrethana jashtëzakonisht eksperimentale”, tha ai.
E çka tha LVV-ja?
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Adnan Rrustemi nuk komentoi shumë.
“Le të shpresojmë se sot zgjidhet presidenti... E prej nesër flasim për aspekte kushtetuese”, tha ai.
Arianit Koci vetofrohet si kundërkandidat i Konjufcës
Duke qenë se Konjufca nuk e ka ende një kundërkandidat, avokati Arianit Koci është vetofruar publikisht për të hyrë në garë për, siç ka thënë ai, “shmangien e bllokimit të institucioneve”.
“Për ta formalizuar kandidimin duhen 30 nënshkrime deputetësh. Prandaj, i ftoj deputetët, qoftë të pozitës apo të opozitës, të m’i japin nënshkrimet sot, në mënyrë që të plotësohet kushti i dy kandidatëve për zgjedhjen e presidentit. Me vetëdije dhe vullnet të plotë po e bëj këtë hap, edhe pse e di se mund të më dëmtojë personalisht”.
Ai ka thënë se nuk e ka kontaktuar asnjë deputet për të kërkuar votë, por këtë hap e ka marrë “si një qytetar që nuk dëshiron ta shohë vendin e tij keq”.
Më 2025, kur Kosova përballej me krizë institucionale, Koci ka protestuar në forma të ndryshme para hyrjes së Kuvendit të Kosovës.
Osmani mund të mbajë konferencë pasdite
Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka sinjalizuar se ajo mund të mbajë një konferencë për media më vonë gjatë ditës.
“Pritet të ketë, mbase, pasdite. Ju njoftojmë”, ka thënë shkurt Kupina për mediat.