Lista Serbe nuk është e pranishme në seancë
Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, mungon në seancën e sotme, një mungesë e rëndësishme për atë çfarë pritet në vijim.
Për të kaluar ndryshimet kushtetuese të propozuara nga presidentja Vjosa Osmani për zgjedhjen e presidentit të vendit përmes votës së popullit, nevojiten edhe ca vota nga Lista Serbe.
Lista Serbe ka 9 prej 20 vendeve të rezervuara për komunitetet joshumicë dhe kalimi i amendamenteve kërkon 2/3 e votave të këtyre komuniteteve, që nënkupton të paktën tri vota nga kjo parti.
LDK i mbështet amendamentet e Osmanit
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, tha se partia e tij i mbështet në parim dhe i voton këto amendamente.
Por, sipas tij, këto ndryshime nuk janë miratuar për tërë këto vite si shkak i mungesës së votave nga deputetët e pakicës.
“Edhe po t’i kalojmë, duket se nuk i kemi pakicat këtu”, tha ai.
Nuk kalojnë amendamentet e Osmanit
Ndryshimet kushtetuese të propozuara nga presidentja Vjosa Osmani – që presidenti i Kosovës të zgjidhet përmes votës së popullit e jo nga Kuvendi – nuk kanë kaluar.
Të pranishëm ishin vetëm 93 deputetë, përfshirë 9 nga komuniteti joshumicë, nga 120 deputetë sa ka Kuvendi.
Për kalimin e tyre nevojiteshin votat e dy të tretave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, përfshirë dy të tretat e të gjithë deputetëve nga komunitetet joshumicë.
Në seancë munguan deputetët e Listës Serbe, e cila ka 9 vende.
Prandaj, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu nuk i hodhi fare në votim amendamentet dhe tha se do të ketë seancë të re.
Seanca e radhës në orën 22:00
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, njoftoi se seanca e ardhshme do të mbahet pas gjysmë ore, pra në orën 22:00.
Nuk është e qartë nëse pas 30 minutave do të ketë deputetë të mjaftueshëm për t’i kaluar ndryshimet kushtetuese në votim.