Ndërlidhjet

Zgjedhjet (s')zgjidhin krizën në Maqedoninë e Veriut


Zgjedhje në Maqedoninë e Veriut - Fotografi nga arkivi.
Zgjedhje në Maqedoninë e Veriut - Fotografi nga arkivi.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë zgjidhja e vetme për kapërcimin e krizës politike, ekonomike dhe zhbllokimin e procesit të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, vlerëson partia opozitare maqedonase, VMRO DPMNE.

Ajo konsideron se Qeveria aktuale, respektivisht kryeministri Dimitar Kovaçevski, nuk ka legjitimitet meqë, sipas saj, ka trashëguar në këtë post ish kryeministrin Zoran Zaev.

Veç kësaj, opozita fajëson Qeverinë për thellimin e krizës ekonomike, për shkak të, siç thotë, paaftësisë për përballje me pasojat e krizës globale, korrupsionit të lartë, drejtësisë selektive, mungesës së stabilitetit politik dhe për marrëveshje të dëmshme me Bullgarinë për zhbllokimin e procesit të integrimit evropian.

“Mohohet identiteti maqedonas, gjuha, kultura, historia dhe tradita e popullit maqedonas. Maqedonia bëri kompromise të dhimbshme duke ndryshuar emrin kushtetues. Ndërkohë, po na ndodh katastrofa ekonomike, inflacioni po lulëzon si pasojë e kësaj Qeverie të keqe. Në Maqedoni mund të jetohet më mirë, por kur Kovaçevski të japë dorëheqje dhe të mbahen zgjedhje të parakohshme parlamentare ”, thotë Aleksandar Nikollovski, nënkryetar i VMRO DPMNE-së.

Pavarësisht kësaj, kryeministri Dimitar Kovaçevski konsideron se zgjedhjet nuk janë zgjidhje për gjendjen në të cilën ndodhet Maqedonia e Veriut andaj edhe e përjashton një mundësi të tillë.

“Zgjedhje të parakohshme parlamentare nuk duhet të ketë pasi kemi Qeveri, e cila kujdeset për interesat kombëtare dhe dinjitetin e qytetarëve pa i ndarë ata në baza etnike ose fetare. Kujdesemi pa dallime për të gjithë. Zgjedhje do të ketë, por në afatin e rregullt, në vitin 2024”, thotë Kovaçevski.

Qëndrim të ngjashëm kanë edhe partitë tjera të shumicës parlamentare, në veçanti Bashkimi Demokratik për Integrim, si partia e dytë për nga numri i deputetëve në koalicionin qeverisës.

Shumica parlamentare ka 64 deputetë nga 120 sa ka gjithse Kuvendi, apo vetëm tre me shumë se numrat e nevojshëm për funksionimin e Qeverisë dhe të Kuvendit, por kjo shumicë e brishtë ka bërë që shumë ligje akoma të mos miratohen, ndërsa seancat vazhdimisht të bllokohen nga ana e opozitës.

Bllokimi i punës së Kuvendit maqedonas nga ana e opozitës.
Bllokimi i punës së Kuvendit maqedonas nga ana e opozitës.

Njohësit e çështje politike, thotë se Maqedonia e Veriut ndodhet në krizë, si politike, ashtu edhe ekonomike, por njohësit e rrethanave politike, Arsim Sinani dhe Marko Trashanovski, kanë mendime të ndryshme nëse duhet ose jo të ketë zgjedhje të parakohshme.

“Këto zhvillime në Maqedoninë e Veriut ia kanë humbur legjitimitetin kësaj Qeverie. Por, se a duhet të mbahen zgjedhje është një çështjet që duhet të diskutohet, por me këto konstelacione që i ka vendi, mendoj se një qeveri e tillë nuk do të arrijë që për kohë të gjatë t'i mbijetojë kësaj trysnie dhe ka shumë gjasa që vendi të futet në një cikël të ri zgjedhor”, vlerëson Sinani, njohës i çështjeve politike.

Ai thotë se zgjedhjet do të ishin efikase sikur të arrihej të formohej një shumicë stabile, pasi sipas Sinanit, Maqedonia e Veriut ka nevojë për stabilitet politik dhe një forcë të qëndrueshme për zgjidhjen e shumë sfidave që ndodhen para këtij vendi.

Por, Marko Trashanovski, nga Instituti për Demokraci thotë se para se të vendoset nëse do të ketë ose jo zgjedhje, partitë, sipas tij, duhet të hartojnë një platformë të përgjithshme për t'u marrë vesh lidhur me orientimet strategjike mbi të cilat duhet të lëvizë shteti, siç janë sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit si një problem serioz për shtetin që mund të mund të marrë përmasa edhe më shqetësuese duke marrë parasysh krizën ekonomike.

“Të gjitha këto kërkojnë aksione të përbashkëta që individë apo grupe të caktuara të mos përfitojnë në kohë krize. Kjo është ajo më kryesorja që partitë duhet të bëjnë dhe më pas të flitet për zgjedhje, të cilat në këtë situatë të krijuar edhe nuk do të sillnin ndonjë ndryshim të madh, edhe pse gjendja edhe në aspektin politik është kritike, duke nisur që nga Parlamenti, Qeveria e kështu me radhë”, thotë Trashanovski.

Qeveria, që drejtohet nga Dimitar Kovaçevski, u formua në janar të këtij viti duke zëvendësuar Zoran Zaevin, i cili dha dorëheqje pas disfatës në zgjedhjet lokale, më 31 tetor të vitit 2021.

Zgjedhjet e fundit parlamentare në Maqedoninë e Veriut janë mbajtur më 15 korrik të vitit 2020.

XS
SM
MD
LG