Ndërlidhjet

Çka nëse bojkotohen zgjedhjet në veri?


Pamje nga një protestë e serbëve në veri të Kosovës kundër vendimit të Qeverisë për regjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe. Pankarta mban mbishkrimin: "Ne kemi një shtet - Serbinë". Nëntor, 2022.
Pamje nga një protestë e serbëve në veri të Kosovës kundër vendimit të Qeverisë për regjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe. Pankarta mban mbishkrimin: "Ne kemi një shtet - Serbinë". Nëntor, 2022.

Zgjedhjet për kryetarë të katër komunave në veri të Kosovës mund të nxjerrin probleme politike dhe jo ligjore, nëse pjesëmarrja në to bojkotohet, ashtu siç është paralajmëruar, thonë njohës të çështjeve zgjedhore dhe të administrimit të pushtetit lokal.

Këto probleme, sipas tyre, mund të kenë pastaj pasoja në funksionalizimin e institucioneve të vetëqeverisjes lokale.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të katër komunave me shumicë serbe - Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan - do të mbahen më 18 dhjetor.

Kryetarët e këtyre komunave kanë dhënë dorëheqje në fillim të nëntorit, duke kundërshtuar një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave në veri, që bartin targa të paligjshme serbe.

Të katërtit kanë ardhur nga Lista Serbe - subjekti më i madh politik i serbëve në Kosovë.

Kjo parti, e cila kontrollohet nga Beogradi zyrtar, refuzon të marrë pjesë në zgjedhjet e muajit të ardhshëm.

Përfaqësues të saj, po ashtu, kanë thënë se “95 për qind e votuesve” të kësaj partie, nuk do të dalin në votime.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka njoftuar më 28 nëntor se ka certifikuar 12 kandidatë nga gjashtë subjekte politike, të cilat do të garojnë në zgjedhjet në veri.

Ata vijnë nga: Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Iniciativa Qytetare Mitrovica, Partia e Serbëve të Kosovës, Iniciativa Qytetare Mbijetesa Serbe dhe një kandidate është e pavarur.

Kandidatët për kryetar të komunave në veri të Kosovës

Për kryetar të Komunës së Mitrovicës së Veriut do të garojnë: Betim Osmani nga Iniciativa Qytetare Mitrovica, Taulant Kelmendi nga PDK-ja, Erden Atiq nga LVV-ja dhe Aleksandar Arsenijeviq nga Iniciativa Qytetare Mbijetesa Serbe.

Për kryetar të Komunës së Lesapoviqit do të garojnë: Albulena Behluli - Hetemi nga PDK-ja, Lulzim Hetemi nga LVV-ja dhe Aleksandar Jabllanoviq nga Partia e Serbëve të Kosovës.

Për kryetar të Komunës së Zveçanit do të garojnë: Ilir Peci nga PDK-ja, Fetah Peci nga LVV-ja dhe kandidatja e pavarur Sllagjana Pantoviq.

Për kryetar të Komunës së Zubin Potokut do të garojnë: Izmir Zeqiri nga PDK-ja dhe Flatron Hasani nga LVV-ja. Në këtë komunë nuk ka kandidatë nga partitë serbe. ​

Qytetarët e anketuar serbë: “Nuk do të dalim në zgjedhje”

Disa qytetarë që jetojnë në komunat në veri të Kosovës, e me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë, thonë se nuk do të dalin për të votuar në zgjedhjet e 18 dhjetorit.

Radovan Millkoviq thotë se e ka marrë këtë vendim, pavarësisht faktit se disa subjekte politike serbe i kanë kandidatët e tyre në garë.

“Kjo, për shkak se tek ata nuk i shohim përfaqësuesit e popullit tonë në Kosovë”, thotë Millkoviq.

Me mospjesëmarrjen e Listës Serbe, kjo garë nuk i ka njerëzit e duhur, thotë Predrag Radovanoviq. Për të, kandidatët e partive serbe që marrin pjesë në zgjedhje, janë “të panjohur”.

“Këta njerëz nuk janë të qartë për mua. Mendoj për ata që tash duan të kandidojnë për të arritur në pushtet, ndërsa e dinë se nuk kanë pasur kurrfarë mbështetjeje nga njerëzit, nga unë personalisht dhe as nga miqtë e mi në veri të Kosovës”, thotë Radovanoviq.

A kanë legjitimitet zgjedhjet nëse bojkotohet pjesëmarrja?

Ish-kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, thotë se Ligji për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë nuk parasheh ndonjë prag të pjesëmarrjes së qytetarëve në zgjedhje.

Kjo, sipas saj, vlen edhe në rastin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarët e katër komunave në veri të Kosovës.

“Ato [zgjedhjet] do të jenë legale. Mirëpo, se sa do të jenë rezultatet e pranueshme, kjo është çështje tjetër, të cilën nuk mund ta rregullojë ligji”.

“Kjo është çështje që do të varet prej partive që janë atje, konkretisht nga Lista Serbe. Kjo parti, me vetë faktin që po i thërret qytetarët që të mos dalin në votime, po tregon se nuk i pranon këto zgjedhje. Ky është problem politik që nuk mund të zgjidhet me zgjedhje”, thotë Daka për Radion Evropa e Lirë.

Nëse kandidatët fitojnë mandatin me pjesëmarrje të ulët të votuesve, shton Daka, legjitimiteti i përfaqësimit të tyre mund të vihet në dyshim.

“Ai apo ajo e përfaqëson një numër të vogël të qytetarëve që kanë votuar. Se sa ka legjitimitet që t’i përfaqësojë të gjithë qytetarët e asaj komune, më pas është çështje për diskutim”, thotë Daka.

Problemet si pasojë e bojkotit të mundshëm të zgjedhjeve

Sipas Ligjit për vetëqeverisje lokale, kryetari i komunës ka një varg përgjegjësish ndaj ekzekutivit, administratës, por edhe kuvendit komunal.

Ish-ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, thotë se mospjesëmarrja eventuale e qytetarëve serbë në zgjedhjet e 18 dhjetorit - pavarësisht se nuk mund ta kontestojë ligjshmërinë e procesit - mund të prodhojë probleme në funksionalizimin e institucioneve të vetëqeverisjes lokale.

“Nëse do të ketë bojkot pothuajse të plotë nga komuniteti serb, atëherë nuk do të prodhohet ndonjë kualitet dhe nuk do të prodhohen struktura që do të mund ta normalizonin funksionimin e këtyre institucioneve”.

“Në anën tjetër, në rast se instalohet një strukturë, pra, një kryetar joserb, atje do të pasojë bojkoti që administrata mund t’ia bëjë atij kryetari. Mendoj se prapë do ta kemi një situatë jo të rregullt”, thotë Ferati për Radion Evropa e Lirë.

*Video: Dyer të hapura dhe institucione boshe në komunat në veri


Ai shton se në rast se qytetarët serbë i bojkotojnë zgjedhjet, atëherë ata mund t’i bojkotojnë edhe institucionet komunale - pavarësisht se rezultati i zgjedhjeve do të jetë i ligjshëm.

“Nëse qytetarët fillojnë ta bojkotojnë atë institucion dhe, në anën tjetër, administrata që është përbrenda [komunës] i nënshtrohet presionit për t’i shërbyer stafit politik, pra kryetarit, ne mund të ballafaqohemi me situata... që [mund] të numërohen se cila është më e keqe”, thotë Ferati.

Përgjegjësitë e kryetarit të komunës

Sipas nenit 58 të Ligjit për qeverisje lokale, kryetari i komunës udhëheq ekzekutivin dhe administratën e saj, si dhe mbikëqyr administrimin financiar të komunës. Ai i ushtron të gjitha kompetencat, të cilat nuk i jepen në mënyrë eksplicite kuvendit të komunës apo komiteteve të tij.

Kryetari i komunës organizon punën dhe drejton politikën e komunës, ekzekuton aktet e kuvendit të komunës, propozon rregullore apo akte të tjera për miratim në kuvendin e komunës, propozon zhvillimin komunal, planet rregullative dhe investuese, propozon buxhetin vjetor për miratim në kuvendin e komunës dhe ekzekuton buxhetin e miratuar.

Ai duhet të raportojë para Kuvendit të Komunës për situatën ekonomiko - financiare të komunës dhe për zbatimin e planeve investuese të komunës, së paku një herë në gjashtë muaj apo kurdoherë që kërkohet nga kuvendi i komunës.

Gjithashtu, ai mund të kërkojë që Kuvendi i Komunës ta shqyrtojë një akt komunal para hyrjes në fuqi, kur konsideron se akti cenon legjislacionin në zbatim dhe/apo interesin e komuniteteve.

Për dallim nga kryetarët e komunave të tjera të Kosovës, katër kryetarët e komunave në veri propozojnë te Qeveria e Kosovës edhe komandantin e Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, i cili më pas emërohet nga Ministria e Brendshme e Kosovës.

Kjo kompetencë u është dhënë me një marrëveshje që kanë arritur Kosova dhe Serbia në vitin 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Në fillim të nëntorit, drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, është suspenduar, pasi ka refuzuar të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa serbe.

Në shenjë pakënaqësie me këtë vendim, dorëheqje - përveç kryetarëve të komunave në veri - kanë dhënë edhe zyrtarë të tjerë serbë nga veriu, si nga niveli lokal, ashtu edhe ai qendror.

*Video: Rritja e tensioneve në veri të Kosovës


Serbia e ka mbështetur largimin e tyre nga institucionet e Kosovës dhe është zotuar se do t’ua kompensojë rrogat që kanë marrë nga institucionet e Kosovës.

Nuk është e qartë nëse ata do të mund të kthehen në punë dhe, nëse po, si?!

Për çështjen e targave, ndërkohë, Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje, në bazë të së cilës Prishtina pezullon zbatimin e planit të saj për riregjistrimin e makinave, ndërsa Beogradi ndalon lëshimin e targave të reja për serbët në veri.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG