Ambasadori veteran Joey Hood, diplomat karriere, i cili ka shërbyer me fokus në Lindjen e Mesme nën disa administrata amerikane, thotë se Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë nxjerrë mësime të forta nga kapitulli i ri i dhunshëm në dekadat e armiqësisë mes tyre.
Përgjatë një interviste për Radion Evropa e Lirë, Hood - i cili shërbeu si zëvendësndihmëssekretar kryesor i Shtetit për çështjet e Lindjes së Afërt gjatë administratës së parë të presidentit amerikan, Donald Trump, dhe më parë si zëvendësshef i misionit në Irak dhe Kuvajt - tha se Teherani ka mësuar se SHBA-ja mund t’i eliminojë udhëheqësit e lartë sipas dëshirës, një realitet që do ta formësojë vendimmarrjen e ardhshme të Iranit.
Në të njëjtën kohë, ai tha se Uashingtoni ka mësuar se Irani - ose edhe aktorë joshtetërorë - mund ta bllokojnë në mënyrë efektive Ngushticën e Hormuzit duke përdorur mjete me kosto të ulët, sikurse dronë, mina, apo edhe kërcënime tjera, pa dislokuar forca detare konvencionale.
Nëse raportimet për pikat negociuese iraniane janë të sakta, Hood beson se hendeku midis palëve do të mbetet i madh. Në mungesë të asaj që ai e quajti një “tërmet politik”, rreziku për përshkallëzim të ri mbetet i lartë, pasi secila palë ende beson se mund t’i shkaktojë kosto të konsiderueshme tjetrës.
SHIKONI EDHE:
Tri gjëra që do të përcaktojnë nëse armëpushimi SHBA‑Iran do të çojë në paqeRadio Evropa e Lirë: Të nisim me mësimet që si SHBA-ja, ashtu edhe Irani, kanë nxjerrë nga ky kapitull konflikti që daton nga viti 1979. Cilat janë ato mësime, sipas jush, dhe si duhet të ndikojnë ato në strategjinë amerikane si në afat të shkurtër, ashtu edhe në afat të gjatë?
Joey Hood: Mendoj se keni të drejtë kur thoni se ky është thjesht kapitulli më i fundit i një konflikti që ka zgjatur tashmë 47 vjet, sepse kemi një histori të gjatë këtu që nisi me marrjen peng të diplomatëve tanë nga ky regjim në Teheran për 444 ditë, në vitet 1979 dhe 1980. Dhe ka kaluar nëpër etapa të tjera, përfshirë luftën e cisternave në fund të viteve 1980 dhe, natyrisht, sulmet e shumta nga milicitë e mbështetura nga Irani në Irak, Siri dhe Liban kundër forcave amerikane dhe personelit diplomatik.
Sa u përket mësimeve të nxjerra, mendoj se Teherani ka mësuar se Shtetet e Bashkuara mund të eliminojnë pothuajse çdo udhëheqës, në çdo kohë që dëshirojnë ta bëjnë këtë. Kjo, pra, do të duhet të merret parasysh në mënyrën e të menduarit të çdo udhëheqësi iranian që ngjitet në një rol drejtues dhe, rrjedhimisht, edhe në pozicionin e tij negociues - duke ditur se, nëse shkon shumë përtej vijave të kuqe të Amerikës, mund të jenë ata të radhës që eliminohen.
SHIKONI EDHE:
Vritet Ali Larijani - një nga figurat kryesore të pushtetit në IranSë dyti, mendoj se Shtetet e Bashkuara kanë mësuar se Irani, ose edhe aktorë të tjerë, mund ta kontrollojnë Ngushticën e Hormuzit thjesht duke lëshuar disa dronë apo mina të lira, apo edhe vetëm me kërcënimin për t’i përdorur ato. Nuk duhet më një armadë për ta bllokuar ngushticën, madje as fusha të thella me mina. Mjafton që kompanitë e sigurimeve të tremben aq sa anijet të mos lëvizin më - sepse sigurimi bëhet shumë i shtrenjtë, thjesht nuk është i disponueshëm, ose vetë kompanitë detare vendosin se nuk duan ta marrin atë rrezik.
Dhe kjo, në fakt, nuk është diçka që është plotësisht nën kontrollin e Uashingtonit apo Teheranit. Të dyja palët mund të thonë: “Në rregull, kemi një armëpushim të përkohshëm që anijet të mund të lëvizin”. Por, nëse kompanitë e sigurimeve dhe kompanitë detare nuk bien dakord, atëherë anijet nuk lëvizin. Dhe, deri tani, jo shumë anije janë vendosur në pozicion për ta kaluar ngushticën.
SHIKONI EDHE:
“Taksa” në Ngushticën e Hormuzit mund të jetë e kundërligjshme, paralajmërojnë ekspertëtRadio Evropa e Lirë: Ju keni shërbyer në disa administrata që nga koha e George W. Bushit. Duke pasur parasysh se struktura udhëheqëse e Iranit ka mbetur relativisht e qëndrueshme me kalimin e kohës - dhe njohuritë e reja që SHBA-ja ka fituar për vendimmarrjen dhe tolerancën ndaj rrezikut të Iranit, përfshirë aftësinë amerikane për të eliminuar udhëheqjen e lartë - si mendoni se kjo ndikon në mendësinë e vendimmarrësve iranianë sot, veçanërisht kur hyjnë në negociata ose shqyrtojnë përshkallëzimin?
Joey Hood: Epo, ata duhet ta kuptojnë - dhe jam i sigurt se e kuptojnë - se, nëse nuk arrijmë në një zgjidhje të negociuar, atëherë një rifillim i konfliktit të armatosur mund të nënkuptojë, personalisht, se ata nuk do të mbijetojnë më.
Prandaj, mendoj se kjo u jep atyre një shtysë për të qenë më seriozë, ndoshta për të lëvizur më shpejt sesa do të bënin ndryshe, sepse kemi parë nga përvoja se duhen muaj dhe ndonjëherë vite për të arritur te një zgjidhje me ta. Kthehem te vitet 1979–1980, kur algjerianët na ndihmuan të arrinim lirimin e pengjeve diplomatike - por kjo mori shumë, shumë muaj. Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit, e ashtuquajtura marrëveshja bërthamore e vitit 2015, kërkoi vite negociatash.
Dhe mendoj se kjo është një nga gjërat që e shtyu presidentin Trump të niste tani armiqësitë ushtarake, sepse ai nuk ishte i bindur se negociatorët iranianë ishin seriozë. Ai tha se ata po “zvarriteshin”, si kur troket me këmbë vetëm për të mbajtur ritmin e muzikës.
Prandaj, mendoj se ata tani ndoshta e kuptojnë se do të duhet të lëvizin më shpejt sesa do të vepronin zakonisht.
SHIKONI EDHE:
SHBA-ja thotë se Irani e refuzoi ofertën bërthamore para sulmeve parandaluesePërpjekje për të ngushtuar hendekun
Radio Evropa e Lirë: Duke kaluar te kornizat e raportuara të negociatave: Nëse propozimet iraniane të përmendura në media janë të sakta, ju keni sugjeruar se dy palët mbeten shumë larg njëra-tjetrës. Cilat janë pengesat kryesore përmbajtësore dhe sa e vështirë do të jetë t’i kapërcejnë ato pa atë që ju e keni quajtur “tërmet politik”?
Joey Hood: Duke iu kthyer pyetjes suaj të mëhershme, mendoj se SHBA-ja do të duhet ta përshtatë mënyrën se si mendon dhe planifikon për ta mbajtur të hapur transportin tregtar përmes Ngushticës së Hormuzit. Kjo do të përfshijë teknologji të re, aleanca të reja me disa nga shtetet e Gjirit dhe ndoshta konflikt të mëtejshëm, fatkeqësisht, për aq kohë sa regjimi në Teheran nuk e ndryshon në mënyrë thelbësore pikëpamjen dhe strategjinë e tij ndaj pjesës tjetër të botës.
Tani, çfarë duan të dyja palët? Të dyja palët duan të jenë fuqia dominuese në Lindjen e Mesme, dhe të dyja nuk mund ta arrijnë këtë në të njëjtën kohë.
Pra, nëse nuk ndodh një tërmet politik në njërën anë ose tjetrën, ato nuk do të jenë në gjendje të gjejnë një zgjidhje të negociuar që përmbush shumicën e - në mos të gjitha - objektivave të tyre strategjikë. Prandaj, fatkeqësisht, nuk mendoj se ka shumë arsye për optimizëm sa i përket këtij armëpushimi të përkohshëm, apo një fundi gjithëpërfshirës të këtij konflikti që ka vazhduar për 47 vjet.
SHIKONI EDHE:
Çfarë objektivash ka SHBA-ja në Iran dhe çfarë mund të ndodhë më pas?Që regjimi në Teheran ta pranojë dominimin amerikan në rajon, do t’i duhej të ndryshonte të gjithë ideologjinë e tij, e cila bazohet në rezistencën ndaj Shteteve të Bashkuara dhe Perëndimit. Dhe e kemi parë se çfarë u ka sjellë kjo qasje vendeve si Libani, Siria, Iraku dhe Jemeni.
Irani nuk ka asnjë mik, partner apo aleat të vetëm që është i begatë dhe i qëndrueshëm. Në vend të kësaj, ai mbështetet te milicitë - grupe të armatosura që veprojnë në vende të tjera me objektivin për t’iu kundërvënë llojit të zhvillimit ekonomik dhe stabilitetit që shihet nën ombrellën e sigurisë amerikane në shtetet e Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit.
Balanca e pushtetit në Teheran
Radio Evropa e Lirë: Duke pasur parasysh këtë vlerësim - dhe komentet e fundit të zyrtarëve amerikanë që i janë referuar udhëheqjes së Iranit si një “regjim i ri” - sa mirë e kuptojmë ne në të vërtetë balancën e brendshme të pushtetit në Teheran? Dhe sa ka rëndësi ky dallim në praktikë?
Joey Hood: Mendoj se ne, në mënyrë kolektive, kuptojmë shumë për sistemin iranian. Por ai kuptim kolektiv jo domosdoshmërisht po arrin te presidenti Trump.
Janë vetëm një grusht njerëzish që e këshillojnë atë, dhe shumë staf me përvojë në institucionet civile, ushtarake dhe diplomatike janë pushuar, janë dërguar në pension, ose janë larguar në forma të tjera. Prandaj, nuk mendoj se analiza dhe rekomandimet më të mira po i arrijnë personit që ka më së shumti rëndësi.
SHIKONI EDHE:
Trump: Ushtria amerikane mbetet pranë Iranit derisa të arrihet “marrëveshja e vërtetë”Tani, sa për atë që ai thotë për regjimin - ai teknikisht ka të drejtë kur thotë se ka ndryshuar, në kuptimin që Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë eliminuar një pjesë të madhe të udhëheqjes së lartë që ekzistonte vetëm disa muaj më parë. Pra, personalitetet kanë ndryshuar.
Por, a ka ndryshuar ideologjia? A kanë ndryshuar objektivat? Unë nuk shoh absolutisht asnjë dëshmi për këtë.
Qëllimet e regjimit mbeten t’iu kundërvihen Shteteve të Bashkuara dhe Perëndimit, si dhe të eksportojnë revolucionin e tyre - këto janë fjalët e tyre, jo të miat. Kjo nuk çon drejt një rajoni paqësor.
Pra, jo, unë nuk shoh ndryshim thelbësor të regjimit. Shoh udhëheqës të rinj dhe cenueshmëria e tyre mund t’i bëjë më të kujdesshëm në negociata - por kjo mbetet për t’u parë.
SHIKONI EDHE:
Pakistani përgatitet për bisedimet e paqes mes SHBA-së dhe Iranit midis armëpushimit të brishtëRadio Evropa e Lirë: Po ashtu duket se ka paqartësi lidhur me atë se çfarë përfshin realisht armëpushimi i shpallur - veçanërisht me vazhdimin e sulmeve që përfshijnë Izraelin dhe aktivitetin në vende si Bejruti. Sa domethënëse është kjo paqartësi dhe çfarë rreziqesh sjell ajo për ruajtjen e armëpushimit?
Joey Hood: Mendoj se është domethënëse, sepse i jep çdo sabotuesi mundësinë të thotë: “Pala tjetër e shkeli armëpushimin, kështu që unë do të vazhdoj të sulmoj”.
Kjo mund të jetë fare lehtë ajo që bën Irani - ose të paktën disa aktorë brenda sistemit iranian. Sepse si mund të jemi të sigurt se sistemi është plotësisht koheziv? Si e dimë, për shembull, që Trupat e Gardës Revolucionare Islamike do t’u binden urdhrave të udhëheqjes së re? Këto janë gjëra që do të bëhen më të qarta me kalimin e kohës.
Edhe pasi u shpall armëpushimi, kemi parë sulme ndaj vendeve të Gjirit. Dhe Izraeli ka thënë se Libani nuk është pjesë e armëpushimit fare.
Duhet të kujtojmë se Izraeli, megjithëse i lidhur ngushtë me Shtetet e Bashkuara, është një shtet sovran dhe mund të marrë vendimet e veta. Nëse presidenti Trump do të kërkonte publikisht që Izraeli t’i ndalte operacionet në Liban, kjo do ta vinte kryeministrin Benjamin Netanyahu në një pozitë shumë të vështirë. Por, në mungesë të kësaj, Izraeli do të vazhdojë të ndjekë objektivat e tij.
SHIKONI EDHE:
Edhe aeroplanët më të mirë amerikanë përballen me rreziqe: Mësimet nga incidenti i F-15 në IranRadio Evropa e Lirë: Së fundi, ju vutë në dukje se të dyja palët ende besojnë se mund t’i shkaktojnë kosto të konsiderueshme njëra-tjetrës. Në terma praktikë, cilët janë nxitësit më të mundshëm për një përshkallëzim të ri - dhe cilat sinjale duhet të ndjekin politikëbërësit për të dalluar mes pozicionimit rutinë dhe një rrëshqitjeje reale përsëri drejt konfliktit?
Joey Hood: Natyrisht, numri dhe ndikimi i sulmeve iraniane ndaj vendeve të Gjirit do të jetë një tregues kyç. Nëse ato nuk ndalen, atëherë në të vërtetë nuk ka armëpushim.
Do të jetë gjithashtu e rëndësishme të shihet nëse Irani përmbahet nga kërcënimi ndaj transportit detar në Ngushticën e Hormuzit - dhe megjithatë anijet ende nuk lëvizin. Si do ta interpretojë këtë presidenti Trump, është e vështirë të parashikohet.
Duhet të vëzhgojmë edhe dinamikat e brendshme në Iran. Mund të mos ketë komandë dhe kontroll të plotë nga ndonjë udhëheqës i vetëm. Nëse fraksionet fillojnë të mos pajtohen, mund të shihni sabotues - aktorë që i hedhin poshtë negociatat dhe nisin sulme në mënyrë të pavarur.
Dhe mënyra se si këto veprime interpretohen nga Shtetet e Bashkuara - kjo do të jetë një nga pyetjet më të vështira për t’iu përgjigjur.
Kjo intervistë është redaktuar për gjatësi dhe qartësi.