Dyzet e dy policë të Kombeve të Bashkuara dhe njëzet e dy pjesëtarë të KFOR-it janë plagosur nga një shpërthim, gjatë përplasjeve të sotme midis protestuesve serbë dhe forcave ndërkombëtare të rendit, në veri të Mitrovicës. Kundër misionit paqeruajtës ndërkombëtar në Kosovë, KFOR, që udhëhiqet nga NATO-ja, është hapur zjarr nga armët automatike, gjatë trazirave të serbëve në veri të Mitrovicës, i ka thënë agjencisë Reuters, një zëdhënës i KFOR-it francez. Mjetet serbe të informimit njoftojnë se janë lënduar 50 protestues serbë, të cilët janë trajtuar në qendrën spitalore në veri të Mitrovicës.