Ndërlidhjet

Vulat doganore?


Pika kufitare në Jarinë
Pika kufitare në Jarinë
Në bisedimet e mundshme mes Prishtinës dhe Beogradit, duhet apo nuk duhet të bisedohet për çështjen e vulave doganore të Republikës së Kosovës? Përfaqësues të komunitetit të biznesit japin mendime të ndryshme lidhur me këtë. Ditë më parë, zyrtarë nga Beogradi, kishin thënë se Serbia nuk i pranon vulat e Republikës së Kosovës, por vetëm ato të UNMIK-ut.


Përfaqësues të komunitetit të biznesit në Prishtinë, japin vlerësime të ndryshme nëse gjatë bisedimeve të mundshme ndërmjet Kosovë dhe Serbisë, duhet të debatohet rreth çështjes së vulave të doganave të Republikës së Kosovës, vula këto që Beogradi zyrtar nuk i njeh gati qe dy vjet.

Këto komente pasojnë deklarimet e disa zyrtarëve në Serbi, që problemet e shkëmbimit tregtar me Kosovën të zgjidhen në bisedimet Beograd - Prishtinë. Ata kishin thënë se Serbia nuk mund të pranojë vulën doganore të një shteti, që, sipas tyre, nuk ekziston.

Në këtë kuadër, Lekë Musa, kryeshef ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane në Prishtinë, për Radion Evropa e Lirë thotë se autoritetet kosovare në bisedimet eventuale duhet të ngrenë çështjen e reciprocitetit, ndaj mallrave të Serbisë.

Musa thotë kështu, pasi që nga dhjetori i viti 2008 Serbia nuk e respekton as marrëveshjen për Tregti të Lirë me Evropën Juglindore, CEFTA, për shkak të ndërrimit të vulave të Doganave nga ato të UNMIK-ut, në ato të Republikës së Kosovës.

Mallrat me këtë vulë nuk lejohen që të kalojnë as transit nëpër Serbi, ndërkaq në tregun kosovar në masë të madhe janë të pranishme mallrat nga Serbia.

“Nuk ka formë tjetër që të gjendet ky problem, përveçse me bisedime. Mirëpo, mendoj se presioni duhet të bëhet edhe në Bashkimin Evropian, në Bruksel, që të kemi një presion diplomatik mbi Serbinë, për t’i pranuar këto vula. Pasi që Qeveria serbe dëshiron që kjo temë të jetë pjesë e bisedimeve, atëherë edhe ne duhet të bisedojmë se a duhet t’i lejojmë produktet nga Serbia në Kosovë”,
thotë Musa.

Vulë e UNMIK-ut (Radio Evropa e Lirë ka raportuar se më 31 gusht të këtij viti, në pikën doganore Nr 31 ishte vendosur vula e UNMIK-ut në pasaportat e disa qytetarëve të huaj)
Por, Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, konsideron se negociatat eventuale nuk duhet të ngarkohen me çështje të natyrës, siç thotë ai, minore.

Gërxhaliu shpreh mendimin se kjo çështje duhet të zgjidhet në kuadër të sekretariatit të CEFTA-s, apo të bisedohet mes odash rajonale, e jo, siç thotë ai, të politizohet.

“Prandaj, ne jemi për dialog, nëse ka nevojë duhet të debatohet, por nuk është e rëndësishme që çdo gjë të jetë e orientuar vetëm në drejtim të bisedave teknike mes Kosovës dhe Serbisë. Dhe, në fund të fundit, vetë fakti që nuk dihet se kur do të fillojnë këto negociata, është e tepërt të pritet dhe çdo problem t’i lihet kohës dhe të ngarkohet”,
shprehet Gërxhaliu.

Kosova zyrtarisht është bërë anëtare e CEFTA-s në vitin 2007. Pasi Kosova atëbotë nuk e kishte të zgjidhur çështjen e statusit, ish-shefi i UNMIK-ut kishte nënshkruar marrëveshjen për këtë mekanizëm ndërkombëtar.

Mu për këtë, zyrtarë në Beograd kanë thënë se në vulë duhet të qëndrojë ose UNMIK - Kosovo, ose UNMIK 12 44, por jo Republika e Kosovës, sepse sipas tyre, kjo për Serbinë është e paligjshme.

Në anën tjetër, Lekë Musa, thotë se Serbia duhet të pranojë realitetin e krijuar pas shpalljes së pavarësisë, meqë Republika e Kosovës, tashmë ka simbolet identifikuese.

“Serbia duhet ta pranojë se Kosova është në entitet i pavarur ekonomik dhe duhet të pranojë se edhe ne duhet të zhvillojmë ekonominë tonë, këtu ka njerëz që jetojnë dhe duan të punojnë. Dhe, nuk kemi arsye që ne t’i nënshtrohemi Serbisë në aspektin ekonomik”
, vlerëson Musa.

Sidoqoftë, edhe pse ende asgjë nuk është precizuar nga palët përgjegjëse, bisedimet ndërmjet Prishtinës e Beogradit pritet të zhvillohen pas përfundimit të zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë.

Lexoni edhe këtë:
Mosfunksionimi i CEFTA-s: Kosova pëson krizë



XS
SM
MD
LG