Ndërlidhjet

Ngrihen çmimet - sërish


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Ekspertë të çështjeve ekonomike në Prishtinë alarmojnë se pas ngritjeve të vazhdueshme të çmimeve të artikujve ushqimorë, gjendja ekonomike dhe sociale e familjeve kosovare po përkeqësohet. Ata kërkojnë nga institucionet e Kosovës që të ndërmarrin hapa urgjentë në zbutjen e kësaj gjendjeje.


Alarmi që ka ardhur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për ngritjen e çmimeve te konsumit, ka prekur edhe Kosovën. Organizatat ekonomike dhe ekspertë të ekonomisë në Prishtinë thonë se ngritja e çmimeve në vendet e ndryshme të botës, si pasojë e ngritjes së çmimeve të derivateve të naftës, ka reflektuar edhe në Kosovë.

Arian Zeka nga Oda Ekonomike Amerikane thotë për Radion Evropa e Lirë se duke pasur parasysh që Kosova aktualisht ka normën më të ulët të të ardhurave për kokë banori, jo vetëm në Evropë, por edhe në mesin e disa shteteve tjera të botës, rritja e vazhdueshme e çmimeve të artikujve ushqimorë do ta vështirësojë edhe më tepër gjendjen e familjeve kosovare.

“Në një situatë të tillë, edhe ngritja e paralajmëruar e pagave në sektorin publik nuk do të kishte ndonjë rëndësi të madhe, pasi që rritja e tepërt e inflacionit do ta mbipeshonte rritjen e mundshme të çfarëdo norme ose shume të pagave në sektorin publik”
, thotë Zeka.

Sipas të dhënave zyrtare të Entit të Statistikave të Kosovës, indeksi i tërësishëm i çmimeve të konsumit në vend është më i lartë për 1,4 për qind në muajin janar 2011 krahasuar me muajin dhjetor 2010.

Shkalla e inflacionit e matur në muajin janar 2011 me muajin janar 2010 ishte 7,4 për qind.

Nisur nga këto të dhëna dhe nga trendët e rritjes së çmimeve në mbarë botën, Arian zeka nga OEA, shpreh mendimin se institucionet e Kosovës do të duhet të subvencionojnë më tepër prodhimin vendor, në veçanti prodhimin bujqësor.

“Të ndihmohen sa më tepër eksportuesit. Në një mënyrë skadimi i marrëveshjes tregtare preferenciale me Bashkimin Evropian, do ta vështirësojë edhe më tepër eksportin. Në këto rrethana, Qeveria duhet të krijojë kushte sa më të mira për eksportuesit kosovarë, ndonjë marrëveshje tjetër me Bashkimin Evropian, apo ripërtëritjen e marrëveshjes së vjetër”,
shprehet Zeka.
Fotografi ilustruese

Çmimet e artikujve ushqimorë në Kosovë, të cilat kanë filluar të ngrihen nga fundi i vitit të kaluar dhe kanë vazhduar pa pasur rënie, sipas kryetarit të Institutit për Hulumtime dhe Zhvillime ekonomike, Isa Mulaj, kanë shënuar rritje deri në 40 për qind.

“Shkaku i këtyre rritjeve është i shumëfishtë. Një ndër kryesorët është ngritja e çmimeve të naftës dhe karburanteve në tregun botërore. Kosova ka import jashtëzakonisht të lartë të çmimeve, duke pasur parasysh këtë, ku kërkohet transporti i këtyre produkteve, rritja e çmimeve në Kosovë do të jetë shumë më e madhe se sa në vendet tjera”, thekson Mulaj.

Qeveria e Kosovës, thotë Mulaj, duhet të bëjë përpjekje që t’i mbrojë shtresat e varfra nga ky trend i rritjeve të çmimeve pasi, sipas tij, shuma e mjeteve që marrin në muaj, është e pamjaftueshme përballë çmimeve të larta.

“Shteti i Kosovës duhet ta bëjë përshkallëzimin e tatimit mbi vlerën e shtuar për produktet më të nevojshme konsumit, ose për disa nuk duhet të ketë fare TVSH, përndryshe qytetarët e Kosovës nuk do të mund ta përballojnë këtë situatë të krijuar”
, rekomandon Mulaj.

Sidoqoftë, institucionet e Kosovës janë deklaruar tashmë se nuk mund të ndikojnë në uljen e çmimeve, por kanë premtuar se do të shqyrtojnë mundësinë për zbutjen e kësaj gjendjeje.

Lexoni edhe këto:

Inflacioni godet Kosovën
Ekonomia në vitet e pavarësisë
XS
SM
MD
LG