Ndërlidhjet

QKU-ja vetëm me 52 për qind të barnave


Ilustrim
Ilustrim
Qendra Klinike Universitare e Kosovës po vazhdon të përballet me mungesë të theksuar të barnave nga lista esenciale.

Sipas zyrtarëve brenda këtij institucioni, që prej pas luftës së fundit në Kosovë, e këtej, asnjëherë nuk është arritur që lista esenciale me barna të përmbushet tërësisht.

Kjo si pasojë e buxhetit të limituar që Ministria e Shëndetësisë e ka të ndarë për furnizim me barna dhe material shpenzues.

Shpend Fazliu, zyrtar për informim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se aktualisht lista esenciale me barna nëpër klinika, është e përmbushur rreth 52 për qind.

“Buxheti aktual i ndarë për barna, nuk mjafton që të përmbushet lista esenciale dhe të gjitha kërkesat e klinikave dhe reparteve, si dhe procedurat e prokurimit nuk përshtaten me specifikat e shëndetësisë dhe marrin shumë kohë, derisa vonon furnizimi me barna dhe material shpenzues”.

“Gjithsesi ka prioritetet sa i përket furnizimit. Me barnat që janë shumë të domosdoshme dhe emergjente, gjithherë kemi qenë më mirë të furnizuar, dhe kjo është arsyeja pse Qendra Emergjente, sallat e operacionit dhe mjekimi intensiv çdo herë furnizohen me prioritet”, ka thënë Fazliu.

Qendra Klinike Universitare e Kosovës
Qendra Klinike Universitare e Kosovës
Ndërkaq, Mehmet Maxhuni, ushtrues detyre i drejtorit në Klinikën Kirurgjike në QKUK, ka bërë të ditur se ka mungesë të theksuar në klinikën që ai udhëheq, sidomos në sallat operative, ku, sipas tij çdo herë duhet improvizuar për të bërë zgjidhje.

“Fatkeqësisht, nuk qëndrojmë mirë, as me barna, as me furnizime. Përqindje nuk mund të them se nuk e di sa, por nuk është realizuar asnjëherë përqindja që është e paraparë me listën esenciale. Pacientët nuk kanë pësuar asnjëherë, por na shkoi jeta me improvizime. Pacientët vetë po i blejnë barnat, nuk do të duhej, por ata i blejnë”, ka deklaruar Maxhuni.

E, zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se buxheti i ndarë për barna, nuk mund t’i përmbushë gjitha nevojat që i ka Qendra Klinike Universitare e Kosovës.

Lidhur me këtë, Faik Hoti, drejtor i Departamentit për informim në këtë ministri, ka dhënë më shumë hollësi:

“Ajo që Ministria e Shëndetësisë bën, është që siguron barna, material shpenzues dhe citostatikë me prioritet, sidomos për kategoritë më të rrezikuara, pastaj për ato shërbime që duhet të jenë në funksion gjatë tërë kohës, si Shërbimi i emergjencës, Mjekimi intensiv, Klinika e pediatrisë, dhe Gjinekologjia”.

Por, sipas Hotit, planifikimi joadekuat nga klinikat brenda QKUK-së, shpeshherë reflektojnë në mosfurnizim adekuat me barna nëpër klinika.

“Planifikimi jo adekuat që bëhet ndonjëherë nga klinikat të caktuara, shfaq probleme. Ndodh që në fillim të vitit bëhet kërkesë për lloje të caktuara të barnave, derisa Ministria e Shëndetësisë i furnizon, ata sjellin kërkesa tjera, që janë në disproporcion me kërkesat paraprake. Kjo e vë në telash Ministrinë e Shëndetësisë, sepse buxheti i kufizuar nuk lejon që të bëhen kalkulime të këtilla dhe të bëhen ndryshime në kalkulim apo listë esenciale”, ka sqaruar Hoti.

Edhe drejtues të klinikave tjera brenda QKUK-së, thonë se megjithëse trajtimet për pacientë kryhen, shumicën e barnave pacientët duhet t’i blejnë vetë.

Ndryshe, vetë drejtori i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Njazi Gashi, pati thënë për Radion Evropa e Lirë, se nuk janë të kënaqur me furnizimin me barna të listës esenciale, derisa ka pohuar se problemi qëndron edhe te procedurat e tenderëve për furnizim, përpos buxhetit të limituar.
XS
SM
MD
LG