Ndërlidhjet

Bllokimi i vendimmarrjes në planin e brendshëm politik dhe bllokimi i procesit të liberalizimit të vizave në planin e jashtëm, ishin karakteristikat kryesore të funksionimit të institucioneve qendrore të Kosovës, gjatë vitit 2016.

Viti filloi me protesta, gaz lotsjellës brenda dhe jashtë Kuvendit, si dhe me tensione politike.

Më 9 janar, partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma, thirrën protestë në Prishtinë për të kundërshtuar Marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe atë për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Kjo protestë pati eskaluar në dhunë dhe u përcoll me sulme me gurë e shishe molotovi ndaj ndërtesave të institucioneve shtetërore dhe arrestime të protestuesve nga policia, e cila përdori gazin lotsjellës për shpërndarjen e masës.

Ish-lideri i Vetëvendosjes, deputeti Albin Kurti, në disa raste paralajmëroi Qeverinë se protestat nuk do të ndalen deri në anulimin e marrëveshjeve për Asociacionin dhe Demarkacionin dhe deri në rrëzimin e Qeverisë.

“Ne jemi të vendosur që të protestojmë. Ne jemi të vendosur që do t’ju ndalim, sepse Kosova është atdheu ynë dhe ne vend tjetër nuk kemi. Ju e keni shtruar infrastrukturën e arratisjes së popullsisë prej vendit, por ne e kemi shtruar infrastrukturën e protestave, e zërit të popullit që do t’ju ndalojë juve”, tha Kurti.

Ndërkohë, më 21 janar, Parlamenti Evropian miratoi Marrëveshjen e Stabilizim -Asociimit për Kosovën. Ishin 486 euro-deputetë që e mbështetën marrëveshjen, kurse 102 votuan kundër dhe 81 abstenuan.

Marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, ishte nënshkruar në vitin 2015, kurse hyri në fuqi më 1 prill 2016.

Në aspektin e zhvillimeve të brendshme, opozita u përkujdes që Kosova të mos e shënonte përvjetorin e pavarësisë vetëm me festë, por edhe me protestë.

Në Ditën e Pavarësisë, më 17 Shkurt, opozita organizoi edhe një protestë për të kundërshtuar Asociacionin dhe Demarkacionin, por ku u dëgjuan edhe thirrjet për dorëheqjen e Qeverisë. Kjo protestë, kaloi qetë dhe pa incidente.

Nën tensione politike, u thirr edhe seanca e parë plenare e Kuvendit të Kosovës për vitin 2016,më 19 shkurt. Me të filluar punimet, seanca u ndërpre nga gazi lotsjellës i hedhur nga opozita.

Si masë ndëshkuese, Kryesia e Kuvendit mori vendim t’i suspendojë disa nga deputetët opozitarë nga seanca, 7 prej të cilëve u ndaluan nga policia.

Po nën tensione, pasoi edhe zgjedhja e presidentit të Kosovës, më 26 shkurt.

Në bazë të marrëveshjes së koalicionit PDK-LDK dhe me kundërshtimet e opozitës, Kuvendi zgjodhi Hashim Thaçin president. Seanca u ndërpre në dy raste, për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës në sallë nga opozita.

Më 13 mars, zyra e Presidencës u sulmua me koktej molotovi, por përveç dëmeve materiale, nuk kishte të lënduar. Policia e Kosovës nuk ka arriti asnjëherë ta zbardhë rastin.

Gazi lotsjellës në Kuvend, nuk ishte mjet i preferuar për diplomacinë ndërkombëtare.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma, kërkuan nga Vetëvendosje ta ndërrojnë këtë praktikë. Por, kjo nuk ndodhi.

Për shkak të mospajtimeve rreth përdorimit të gazit lotsjellës në seanca, opozita fillimisht, në muajin mars, vendosi t’i bojkotojë punimet e Kuvendit. Kurse, disa ditë më vonë, Aleanca për Ardhmërinë Kosovës dhe Nisma u ndanë nga blloku me Lëvizjen Vetëvendosje, duke i dhënë fund kështu lidhjes së tyre si bllok opozitar.

Më 2016, për herë të parë, inaugurimi i presidentit u bë në shesh, në qendër të Prishtinës, më 8 prill. Kurse betimin para Kuvendit, presidenti Thaçi e kishte bërw më 7 prill. Aty, ai u zotua jo vetëm para qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës, por edhe para aleatëve ndërkombëtarë.

“Aleatëve tanë të nderuar dhe miqve nga mbarë bota iu premtoj se Kosova do të jetë hallkë e fortë e zinxhirit anti-terrorist. Kosova do të jetë shtet iniciues i nismave për paqe dhe dialog. Kosova po ndërton raporte të mira me fqinjët, Kosova po kultivon frymën e dialogut, Kosova njeh kulturën e negocimit, për të gjitha çështjet që mund të merremi vesh, i kemi dyert dhe zemrat e hapura”, tha Thaçi.

Zhvillimet e brendshme politike, mbeten nën hije më 3 maj, kur Kosova u pranua në UEFA në kongresin që u mbajt në Budapest. Ndërkaq 10 ditë më vonë, Kosova u pranua edhe në FIFA.

Lajmet e mira për Kosovën vazhduan edhe më 4 maj, kur Komisioni Evropian doli me propozimin për heqjen e vizave.

Por, aty kishte edhe një kusht, të cilin institucionet e Kosovës nuk arritën ta përmbushin dot. Bëhet fjalë për ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Komisionari i BE-së për Zgjerim, Johannes Hahn, kishte paralajmëruar që atëherë institucionet e Kosovës se liberalizimi i vizave do të vinte vetëm nëse Kuvendi do të ratifikonte Demarkacionin me Malin e Zi. Në Prishtinë, Hahn tuboi në një tryezë pushtetin dhe opozitën, por nuk arriti që t’i bindë për ratifikimin e marrëveshjes, sidomos partitë opozitare.

“Kanë qenë shqetësime të njohura në lidhje me shënjimin e kufirit, por unë isha shumë i qartë në lidhje me këtë, se pa demarkacionin nuk do të ketë liberalizim të vizave”, deklaroi komisionari Hahn.

Papjekuria e institucioneve të drejtësisë dhe mungesa e rezultateve në fushën e luftimit të krimeve të nivelit të lartë, u tha se ishin arsyet pse Kosova duhej t’ia vazhdonte mandatin edhe për dy vite tjera Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit, EULEX. Kështu, më 17 qershor, Kuvendi ratifikoi marrëveshjen me Bashkimin Evropian për vazhdimin e mandatit të këtij misioni, i cili është vendosur në Kosovë që nga qershori i vitit 2008.

Pas një qetësie në planin e tensioneve të brendshme politike, më 4 gusht u sulmua ndërtesa e Kuvendit të Kosovës. Sulmi u cilësua se u takon akteve terroriste. Nën dyshimet për kryerjen e tij, policia arrestoi më 30 gusht gjashtë aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Por, para se të vazhdonte drama me këta aktivistë, në Kosovë ndodhën edhe zhvillime tjera.

Kosova, mori pjesë për herë të parë në Lojërat Olimpike, të cilat u mbajtën në Rio të Brazilit. Aty, xhudistja Majlinda Kelmendi, bëri historinë duke fituar medaljen e artë në xhudo për kategorinë deri në 52 kilogramë.

Kurse, më 17 gusht, Kosovën e vizitoi zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden. Ishte kjo vizita më e rëndësishme në Kosovë gjatë vitit 2016.

Gjatë kësaj vizite, Biden adresoi disa porosi të qarta për institucionet, ku ndër më të rëndësishmet ishin ato për ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi dhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Por, mbi të gjitha ai inkurajoi luftimin e krimit dhe korrupsionit.

“Nuk mund të ketë rritje ekonomike nëse ka mungesë të sundimit të ligjit. Njerëzit do të investojnë vetëm aty ku ka transparencë, vetëm aty ku ka rend dhe ligj. Korrupsioni është kancer”, tha zëvendëspresidenti Biden.

I inkurajuar nga mesazhet e zëvendëspresidentit amerikan, koalicioni qeverisës mori guximin që të procedojë në Kuvend për ratifikim Marrëveshjen për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Seanca u thirr më 1 shtator. Aty nuk mori pjesë Lista Serbe, kurse opozita, siç edhe pritej, filloi kundërshtimin në sallë dhe jashtë Kuvendit me protesta. Po ashtu, edhe disa deputetë të PDK-së dhe LDK-së dolën kundër.

Në këso rrethanash, kryeministri Isa Mustafa, në mungesë të 80 votave të nevojshme për ratifikimin e demarkacionit, vendosi ta tërheqë projektligjin nga Kuvendi.

“Konsideroj se nuk është në rregull që për këtë ligj të diskutojmë dhe ta trajtojmë në situatën kur kemi edhe presione të deputetët, edhe kërcënime; në situatën kur një grup parlamentar e kushtëzon votimin e këtij ligji me koncesione dhe nuk dëshirojmë që të bëjmë asnjë koncesion për një ligj, i cili përcakton sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës", kishte deklaruar Mustafa.

Pas dështimit për ratifikimin e demarkacionit, Qeveria u përkujdes që kombinati “Trepça” të shpëtohet nga likuidimi në momentin fundit, duke e proceduar në Kuvend Ligjin për “Trepçën”.

Seancat për kombinatin “Trepça” u zhvilluan më 7 dhe 8 tetor. Ligji u miratua nga ligjvënësit, kurse si pasojë, Lista Serbe mori vendim që ta bojkotojë punën e Kuvendit dhe Qeverisë. Reagime rreth Ligjit për “Trepçën” u dëgjuan edhe nga kreu i politikës së Serbisë, qe ripërsëriti qëndrimet se “Trepça” dhe gjigantët tjerë ekonomikë në Kosovë janë pasuri e saj.

Megjithatë, kundërshtimet e Beogradit nuk e stopuan, të paktën në këtë fazë, procesin e shpëtimit të “Trepçës”.

Skena politike në Kosovë, u trondit më 5 nëntor, kur në burgun e Prizrenit vdiq aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari. Ai po mbahej në Qendrën Korrektuese nën dyshimet për sulmin ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës.

Versioni i Prokurorisë që u mbështet më vonë edhe në ekspertizën e mjekësisë ligjore, fliste për vdekje nga asfiksia apo bllokimi i organeve të frymëmarrjes nga lëndimet e vetëshkaktuara.

Por, një version i tillë u kundërshtua nga familja Dehari, Lëvizja Vetëvendosje dhe një pjesë e shoqërisë civile, për çka edhe u organizuan protesta nëpër qytetet e Kosovës. Familja Dehari, pala përfaqësuese e saj dhe Vetëvendosje i fajësuan organet kompetente për vdekjen e tij, duke aluduar edhe në vrasje.

Sidoqoftë, viti 2016, u përmbyll me dy zhvillime që ndërlidheshin në raportet e Kosovës me Beogradin.

Së pari, Beogradi besohet se kishte dorë të drejtpërdrejtë në vendimin e autoriteteve lokale të komunës veriore të Mitrovicës, kur u vendos që të ngrihet një mur te pjesa veriore e urës mbi lumin Ibër, në hapësirën që ishte projektuar për rivitalizim dhe liri të lëvizjes. Ky mur, u cilësua nga Prishtina zyrtare si ilegal dhe objekt potencial për rrënim. Por, ai me gjasë ka mbetur çështje trajtimi edhe në vitin 2017.

Dhe, së dyti, Kosova mori lajmin se Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikimeve i ka ndarë kodin telefonik 383 si rezultat i bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Por, edhe rreth kodit, kishte dallime në qëndrime. Qeveria e cilësoi këtë si një të arritur të madhe, kurse opozita si dështim, ngase ngriti dyshimet se kodi, ishte gjeografik dhe jo shtetëror, dhe i cili i është ndarë Kosovës mbi bazën e kërkesës së Beogradit.

Krejt në fund, institucionet dhe liderët politikë e përmbyllën vitin me premtimet tashmë të dëgjuara, se viti vijues do t’i sjellë Kosovës më shumë zhvillim ekonomik, ulje të papunësisë, siguri dhe formimin e Forcave të Armatosura. Por, në mungesë të përmbushjes së kriterit për ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi, nuk u premtua se viti 2017, do të sjellë lajmin e shumëpritur nga qytetarët e Kosovës, për heqjen e vizave.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG