Ndërlidhjet

Tre kandidatë për kryeministër - tri opsione për qeverisje


Tre kandidatët për kryeministër Albin Kurti (majtas), Ramush Haradinaj (mes) dhe Avdullah Hoti (djathtas).

Partive politike u ka mjaftuar shpallja e zgjedhjeve të reja, në mënyrë që brenda natës, të zotohen se do t’i zgjidhin, të paktën deklarativisht, problemet e shumta të grumbulluara në Kosovë.

Për dy vjet, subjektet politike nuk arritën të gjejnë formulën e zgjidhjes së çështjes së demarkacionit të kufirit më Malin e Zi, duke i lënë qytetarët e Kosovës të izoluar pa liberalizim të vizave, ndërkaq një ditë pas shpalljes së zgjedhjeve, u prezantuan shumë opsione për tejkalimin e kësaj problematike.

Po ashtu, edhe në këto zgjedhje partitë politike shkelën ato që i quajtën më parë “vija të kuqe”, duke i bërë ato që dikur u cilësuan si koalicione të panatyrshme, plotësisht të natyrshme.

Aktualisht, koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe partinë Nisma, pastaj koalicioni i Lidhjes Demokratike të Kosovës me Aleancën Kosova e Re dhe subjektin e ri Alternativa, si dhe subjekti politik, Lëvizja Vetëvendosje, po zgjojnë interesimin e opinionit dhe medieve.

Të tri blloqet politike kanë prezantuar edhe kandidatët e tyre për kryeministrin e ardhshëm të Kosovës.

I cilësuar si krahu i luftës, edhe pse i unifikuar në një koalicion pas 17 viteve, koalicioni PDK, AAK dhe Nisma ka nxjerrë si kandidat të përbashkët për postin e kryeministrit të ardhshëm, liderin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ky i fundit, thotë se Qeveria nën drejtimin e tij do të merrte një pozicion tjetër karshi dialogut me Serbinë. Sipas Haradinajt, ka ardhur koha që Kosova të jetë shtet, pa fusnotë.

“Nuk është vetëm nacionaliste ose kombëtare, por po dëshirojmë ta përmbyllim dhe të gjithë ta kuptojnë se Kosova është Kosovë më vete. Pra, që Kosova vendos për Trepçën, Kosova vendos për Brezovicën, për ushtrinë, për qymyrin, për çka do që është e Kosovës ne vendosim. Nëse vazhdojmë ta ruajmëose ta lëmë veten edhe me fusnotë edhe të pavarur, s’mundemi më”.

“Ne duhet të veprojmë në këtë drejtim. Janë disa absurde që dëshirojmë t’i zgjidhim edhe në raport me partnerët tanë, në këtë rast është BE-ja, pra duhet të ketë një qasje më strikte në marrëdhëniet mes palëve dhe të mos favorizohet shumë Beogradi”, thotë Haradinaj.

Ndërkaq, në raport me demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, Ramush Haradinaj beson se marrëveshja mund të përmbyllet pa u detyruar që Kosova të humbë territor, duke aluduar në marrëveshjen aktuale, e cila ka mbetur pezull dhe e paratifikuar nga Kuvendi.

“Porosia e territorit është se nuk mund të jap tokë. E kuptoj që janë ndarë sfida para nesh që kërkojnë zgjidhje, por besoj që do ta gjejmë zgjidhjen për demarkacionin pa dhënë tokë, duke mbetur kufiri në Çakorr edhe në Kullë”, deklaron Haradinaj.

Edhe koalicioni i LDK-së, së Isa Mustafës, me AKR-në e Behxhet Pacollit dhe Alternativën që drejtohet nga dy figura të njohura politike, Ilir Deda e Mimoza Kusari-Lila, ka dalë me kandidatin e përbashkët për kryeministër. Ai është Abdullah Hoti nga LDK-ja, aktualisht ministër i Financave në Qeverinë në largim të Kosovës.

Hoti pretendon se pas zgjedhjeve do të udhëheqë Qeverinë e koalicioni të qendrës së djathtë. Objektivat e tij kryesorë janë nga fusha e zhvillimit ekonomik.

“Sundimi i rendit dhe ligjit, lufta e pakompromis kundër krimit dhe korrupsionit, ashtu siç e kemi dëshmuar gjatë këtyre viteve dhe normalisht plotësimi i të gjitha kushteve që sa më shpejt ne të lëvizim pa viza dhe të integrohemi në Bashkimin Evropian dhe në NATO”, thekson Hoti, duke folur për qëllimet kryesore për të cilat do të angazhohet.

Por, mbi të gjitha, Abdullah Hoti mëton që në Kosovë të sjell një model evropian të zhvillimit ekonomik, i cili, sipas tij, do t’i krijonte parakushtet për një jetë më të mirë dhe më të sigurt në këtë vend.

“Për mua, si kandidat për kryeministër, nuk ka gjë më të rëndësishme sesa që njerëzve t’u krijojmë mundësitë për punë, për të ardhura dhe për jetë stabile. Unë jam i sigurt që pas datës 11 qershor, bashkë me partnerët e koalicionit, do t’ia kthejmë vendit qetësinë e nevojshme që duhet ta ketë - qetësinë për të jetuar, qetësinë për t’i shkolluar fëmijët, qetësinë për të bërë biznes dhe qetësinë për jetën e përditshme, normale në këtë vend”, deklaron Hoti.

E njohur si parti opozitare për disa vjet rresht, jo vetëm në raport me dy partitë më të mëdha në Kosovë, por edhe në raport me praninë ndërkombëtare, Lëvizja Vetëvendosje nuk gjeti gjuhë të përbashkët me asnjërin prej blloqeve të koalicionit, duke konkurruar si e vetme në zgjedhje.

Vetëvendosje ka kandiduar ish-liderin e saj, Albin Kurti, për postin e kryeministrit të Kosovës. Ai premton se do të formojë ushtrinë e Kosovës, se do të rinegociojë me Malin e Zi çështjen e demarkacionit të kufirit dhe se do të vendosë dialog me serbët e Kosovës, kurse me Beogradin, sipas tij, do të bisedohet vetëm si dy shtete të barabarta.

“Do ta bëjmë Kosovën me ushtri, përkatësisht do të bëjmë themelimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës dhe integrimin e Kosovës në NATO. Do të bëjmë rishikim shkencor, administrativ dhe parlamentar të marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Qeveria e jonë do të nisë pa hezitim bisedimet direkte me Qeverinë e Malit të Zi me synimin për arritjen e një marrëveshjeje të re për përcaktimin e vijës kufitare. Demarkacioni aktual nuk është përcaktim kufiri, por ndryshim kufiri”, thotë Kurti.

Premtimet e Albin Kurtit, nisin nga reformat ekonomike e deri te bashkimi i Mitrovicës, duke i eliminuar ndarjet etnike:

“Qeveria e Vetëvendosjes do të sjell zhvillim të qëndrueshëm ekonomik përmes fondit sovran dhe Bankës Zhvillimore. Sovranitet shtetëror nëpërmjet ushtrisë e përmes bashkimit të Mitrovicës. Integrim të plotë të serbëve përmes dialogut të hapur me ta”.

Nisur nga deklaratat e para-fushatës së liderëve dhe kandidatëve për kryeministër, analisti Imer Mushkolaj thotë se nuk është duke dëgjuar mesazhe të reja, nga ato që janë dëgjuar në tre vjetët e fundit.

“Nuk po shoh asgjë të re, as në përmbajtjen që këta të nominuar për kryeministër po u ofrojnë qytetarëve. Thjesht, e kam përshtypjen që ne jemi në fushatë tash sa kohë dhe se ky është vetëm një vazhdim i fushatës, por ndonjë prerje të nevojshme në raste të tilla në mënyrë që vërtetë qytetarët ta dinë ta bëjnë dallimin, unë nuk po shoh”, vlerëson Mushkolaj.

Mungesa e liberalizimit të vizave, që ndërlidhet edhe me mungesën e konsensusit dhe votave në Kuvend për ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi e deri te përplasjet me bashkësinë ndërkombëtare rreth themelimit të ushtrisë, ishin disa nga arsyet që u theksuan se e dërguan Kosovën në bllokadë dhe rrjedhimisht në zgjedhje të parakohshme.

Por, nga kjo para-fushatë e deritashme, Imer Mushkolaj thotë se nuk ka dëgjuar ndonjë opsion se si do të zgjidhen këto çështje, përveç dhënies së zotimeve, të cilat janë tashmë të dëgjuara ndër vite.

“Mos të harrojmë që ne në koalicione parazgjedhore kemi parti politike, rrjedhimisht edhe kandidatë për kryeministër, të cilët në fakt deri para pak ditësh kanë pasur qasje plotësisht ndryshe për sfida, të cilat duhet t’i kalojë vendi, krahasuar me qasjen e tashme, e cila është determinuar edhe nga koalicioni, respektivisht nga partitë që janë në koalicion”.

“Por, mbetet të shihet se si do të jetë rezultati i zgjedhjeve dhe pastaj mbase do t’i qartësojnë edhe idetë dhe veprimet e tyre karshi këtyre çështjeve”, potencon Mushkolaj.

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit, pritet të garojnë 5 koalicione, 19 parti politike dhe 2 iniciativa qytetare.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG