Ndërlidhjet

Unifikimi diplomatik midis Kosovës e Shqipërisë, në pikëpyetje


Ministri i Jashtëm në largim i Kosovës, Behgjet Pacolli dhe ai i Shqipërisë, Gent Cakaj
Ministri i Jashtëm në largim i Kosovës, Behgjet Pacolli dhe ai i Shqipërisë, Gent Cakaj

Ende pa filluar me zbatimin e marrëveshjes për unifikimin e misioneve diplomatike e konsullore midis Kosovës dhe Shqipërisë, në Prishtinë është shtuar konfuzioni nëse një marrëveshje e tillë është e nevojshme dhe e duhur.

Hezitimet për këtë marrëveshje, janë pikërisht përbrenda Ministrisë së Jashtme të Kosovës, e cila edhe e kishte arritur marrëveshjen me Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë.

Jetlir Zyberaj, këshilltar i ministrit të Jashtëm, tashmë në largim, Behgjet Pacolli, thotë se marrëveshja e arritur është ratifikuar sipas nenit 18.2 të Kushtetutës nga presidenti i Republikës së Kosovës dhe është shpallur në gazetën zyrtare.

Ai tha për Radion Evropa e Lirë, se në momentin e shpalljes në gazetën zyrtare, kjo marrëveshje, në bazë të nenit 19 të Kushtetutës ka marrë fuqinë e ligjit të zbatueshëm në rendin juridik të Republikës së Kosovës.

"Sa i përket fillimit të zbatimit të marrëveshjes në fjalë, dy ministrat kanë filluar veprimet për zbatim para dy javësh dhe kanë autorizuar Sekretarët e Përgjithshëm, që të fillojnë konkretizimin e çështjeve, zbatimin e marrëveshjes, pasi që zbatimi i marrëveshjes kërkon nxjerrjen edhe të protokolleve shtesë. Lidhur me këtë, MPJ e Kosovës ka bërë një analizë të zbatimit të kësaj marrëveshje dhe këtë analizë do të ndajë me Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë", ka deklaruar Zyberaj.

Por, një qëndrim tjetër shpreh zëvendësministri në dorëheqje, Anton Berisha, sipas të cilit, marrëveshjet e tilla nuk i ndihmojnë Kosovës.

"Nuk mundet ministri i Jashtëm t’ia delegojë kompetencat shtetërore një shteti tjetër, pavarësisht që është Shqipëria në pyetje ose cilido shtet qoftë. Do të thotë, duhet të ketë një vendim të një niveli më të lartë që t’i jap kompetencat e shtetit. Kështu që ajo më shumë ka qenë një lloj folklorizmi i mbuluar me fjalë të mëdha. E në fakt ajo (marrëveshja për unifikim) është si të them, mosnjohje e vetvetes", tha Berisha.

Në anën tjetër, Zyberaj nga kabineti i ministrit Pacolli thotë se Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka respektuar të gjitha procedurat paraprake për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje. Sipas tij, në muajin mars të vitit 2019, Qeveria e Kosovës ka aprovuar nismën për fillimin e negocimit të kësaj marrëveshje.

"Kjo marrëveshje është ratifikuar sipas nenit 18.2 të Kushtetutës nga presidenti i Republikës së Kosovës dhe është shpallur në gazetën zyrtare. Marrëveshja në fjalë është hartuar nga një grup punues në mes të dyja ministrive të Jashtme i udhëhequr nga Sekretarët e Përgjithshëm", është shprehur Zyberaj.

Ndërkohë, Anton Berisha thotë se të gjitha marrëveshjet apo vendimet e bëra nga ministri aktual i Jashtëm, Behgjet Pacolli, duhet të rishqyrtohen.

"Duhet të rishqyrtohen të gjitha vendimet e tij, sepse ai vendimet i ka marr duke mos i analizuar, mos i studiuar dhe duke mos u konsultuar. Vendimet që merren prej Ministrisë së Jashtme kanë efekte ndërkombëtare dhe si të tilla është i domosdoshëm konsultimi me të gjitha institucionet. Duhet të jemi të kujdesshëm, pasi që ne nuk mund t'iu delegojmë ingerencat tona shteteve tjera. Ingerenca që i takojnë shtetit sovran. Ne në Kushtetutë e kemi të definuar shtetësinë", tha pos tjerash Berisha.

Përplasjet në mes ministrit (këshilltarit të tij) dhe zëvendësministrit të Jashtëm të Kosovës vijnë në kohën kur Kosova është futur në procesin zgjedhor.

Të dy zyrtarët e lartë që përfaqësojnë diplomacinë e Kosovës, u takojnë subjekteve të ndryshme politike (Aleancës Kosova e Re dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës), subjekte këto që në garën e ardhshme zgjedhore hyjnë si parti rivale dhe jo si parti partnere, siç ishin në përbërjen aktuale të qeverisë në largim.

Me dy korrik të vitit 2019, ministri i Jashtëm në detyrë i Shqipërisë, Gent Cakaj, dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, kanë nënshkruar marrëveshjen për unifikimin e misioneve diplomatike dhe konsullore dhe bashkëpunimin strategjik në fushën e politikës së jashtme.

Ministri i Punëve të Jashtme, Pacolli, pati thënë se nënshkrimi i marrëveshjes është "është një hap i madh përpara në integrimin tonë kombëtar, gjë që do të bëjë më të fortë veprimin e përbashkët global".

Kurse, homologu i tij, Gent Cakaj pati shkruar në Twitter se marrëveshja “hap horizonte të reja për veprime të përbashkëta institucionale”.

Pos tjerash, me atë marrëveshje, sipas zyrtarëve të të dyja vendeve, përcaktohen prioritetet afatgjata strategjike dhe bashkërendimi i qëndrimeve politike në arenën ndërkombëtare.

Njëkohësisht përcaktohet edhe marrja e detyrimeve konkrete në përfaqësim të ndërsjellë në arenën ndërkombëtare, veçanërisht në organizata ndërkombëtare.

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Skënder Hyseni nga Lidhja Demokratike Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë, se koordinimi i Kosovës dhe Shqipërisë në politiken jashtme është shumë i nevojshëm. Por, sipas tij, marrëveshjet e bëra mes dy shteteve, në këtë rast edhe ajo për unifikimin diplomatik, “janë marrëveshje për të mbuluar ngecjet, dështimet e mospunën dhe asgjë më shumë”.

"Nuk mund të mbulohet mospuna me krijimin e ambasadave të përbashkëta. Nuk mendoj se ka nevojë për marrëveshje formale, nuk mendoj se ka nevojë që diplomacia e Tiranës të obligohet me ndonjë marrëveshje formale që të punojë në interes të Kosovës, sikurse edhe diplomacia e Kosovës që të punojë në interes të Shqipërisë, kudo që mbërrin dhe kudo që mundet. Pra, unë nuk kam besuar asnjëherë në këso marrëveshje. Ato janë veprime për të mbuluar, po them, deficitet që janë në ketë bashkëpunim dhe në këtë koordinim", tha Hyseni.

Marrëveshja për bashkëpunim strategjik në fushën e politikës së jashtme në mes të Kosovës dhe Shqipërisë thuhet se është e ndërtuar mbi disa shtylla.

E para është shtylla politike, e cila synon të përmirësojë nevojën për zgjerim të rrjetit politik dhe ngritjen e përfaqësimit diplomatik për t’iu përgjigjur sfidave të vendeve tona në arenën ndërkombëtare.

E dyta është shtylla diplomatike, ku është rënë dakord për ngritjen e fondit të përbashkët për zhvillimin e ambasadave dhe konsullatave të përbashkëta në botë.

E treta është shtylla profesionale, e cila synon rritjen e aftësive në shërbimin diplomatik.

XS
SM
MD
LG