Ndërlidhjet

Në Maqedoninë e Veriut paralajmërohen masa të reja kundër COVID-19


Shkup, foto nga arkivi.

Rritja e rasteve të reja me koronavirus në Maqedoninë e Veriut, madje deri në 300 raste brenda një dite, ka bërë që ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe të paralajmërojë shtrëngimin e masave kundër koronavirusit.

Ministri Filipçe ka paralajmëruar se mbajtja e maskës mund të bëhet e obligueshme në hapësira publike dhe në ato hapësira ku nuk mund të mbahet distanca fizike. Po ashtu, tubimet familjare do të lejohen deri në katër persona. Këto masa pritet të miratohen në mbledhjen e qeverisë javën e ardhshme.

Megjithatë, ministri Filipçke ka kërkuar që qytetarët të tregohen më të përgjegjshëm, pasi ka theksuar se fitorja ndaj COVID-19, sëmundjes që e shkakton koronavirusi, mbetet në duart e qytetarëve, përkatësisht respektimit të masave për frenimin e përhapjes së virusit.

“Ne jemi të vetëdijshëm se një pjesë absolutisht serioze se si do të zbatohet kjo masë, u takon vetë qytetarëve. Ata duhet të jenë të vetëdijshëm se pse ne e rekomandojmë këtë, pasi ka pasur një transmetim të virusit në të kaluarën. Teknikisht dhe formalisht, policia dhe inspektoratet gjithmonë mund të ndërhyjnë pas raportit, por është shumë e rëndësishme që qytetarët të jenë të vetëdijshëm për atë që duhet të shmangin në periudhën e ardhshme, siç janë ngjarjet e mëdha familjare, festimet dhe të ngjashme. Unë besoj se qytetarët do të jenë të vetëdijshëm”, ka thënë Filipçe.

Mjekët thonë se vetëm përmes respektimit të masave mund të ulet numri i të infektuarve me koronavirus.

Mikrobilogu Nikolla Panovski thotë se nëse qytetarët e mbajnë maskat ashtu siç rekomandon Organizata Botërore e Shëndetësisë, dhe respektojnë distancën fizike, do të ulej numri i rasteve të reja me COVID-19.

“Nëse qytetarët i mbajnë maskat ashtu siç është paraparë, në ditë do të kishim dhjetë herë më pak të infektuar nga shifrat që kemi tani, përkatësisht nuk do të kishim më shumë se 20 deri në 30 raste të të infektuarve me koronavirus”, thotë për Radion Evropa e Lirë, mikrobiologu Nikolla Panovski.

Ndërkaq, Panovski thotë se për mosrespektimin e masave kanë faj edhe qytetarët, por edhe autoritetet relevante.

“Qytetarët janë faktorë se pse nuk mbajnë maska. Ndërkohë, autoritetet relevante politike, madje dhe fetare, e kanë shfrytëzuar këtë krizë për të shigjetur kritika ndaj palës tjetër, pa dhënë oferta konkrete se si të zgjidhet me më pak pasoja kjo situatë. Kjo ndikon që qytetarët mos i marrin me seriozitet rekomandimet e ekspertëve shëndetësorë”, thotë Panovski.

Sociologu Ali Pajaziti, që ligjëron në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, thotë për Radion Evropa e Lirë se mungesa e besimit ndaj institucioneve bën që qytetarët të mos u binden vendimeve të autoriteteve qeveritare, madje edhe atëherë kur është në pyetje shëndeti i tyre.

“Qytetarët janë mësuar që qeverinë ta shohin si një entitet që qëndron mbi kokat tona, andaj sensi i rebelizmit duket i gjallë në kontekstin ballkanik. Më pas do të thosha se jemi ende individualistë, që nuk e mendojmë shumë aspektin shoqëror, aspektin e tjetrit apo të tjerët. Mendojmë se nëse infektohemi, vetëm ne jemi ata që do ta pësojnë, ndërsa e vërteta është se ia pëson rrethi, mjedisi,... sëmundja bartet edhe te njerëzit e tjerë me pasojë nga më të ndryshme” thekson Pajaziti.

Nga dikasteri i punëve të brendshme bëjnë të ditur se për çdo ditë dënohen më shumë se 400 persona me nga 20 euro, për shkak të mosmbajtjes së maskës mbrojtëse.

Ndërkaq, Aleksandar Kërzhallovski, njohës i çështjeve politike, thotë për Radion Evropa e Lirë se është në rregull që të kërkohet nga qytetarët që të jenë më të përgjegjshëm, por më e rëndësishmja, shton ai, mbetet instalimi i mekanizmave kontrollues për zbatimin e masave.

“Shteti duhet të sigurojë funksionimin e mekanizmave kontrollues përsa i përket zbatimit të masave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit si dhe të funksionimit të sanksioneve”, thotë ai.

Ndryshe ministri i Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, Venko Filipçe ka theksuar se nëse qytetarët nuk i respektojnë masat, atëherë do të jetë e pashmangshme vendosja e karantinës, pasi spitalet nuk do të kenë kapacitet të shtrojnë numrin në rritje të të infektuarve me koronavirus.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG