Ndërlidhjet

Përgjegjësitë individuale për “ndërmarrje të përbashkët kriminale” 


Salla e gjyqit në Hagë.
Salla e gjyqit në Hagë.

Për krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit, të cilat Prokuroria e Specializuar me seli në Hagë pretendon se i kanë kryer ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk ekziston përgjegjësia kolektive, thotë Ismet Salihu, profesor i të Drejtës Penale Ndërkombëtare.

Prandaj, sipas tij, nga Dhomat e Specializuara, që njihen si Gjykata Speciale për krime të luftës në Kosovë, duhet t’i trajtojë ato si përgjegjësi individuale, në rast se pretendimet vërtetohen.

Historiani Bujar Dugolli, vlerëson që doktrina e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte pikërisht lufta për çlirimin e vendit dhe epitetet që mund t’i jepen ndonjë devijimi eventual të luftës çlirimtare, nuk duhet të konsiderohen si ndërmarrje e përbashkët kriminale.

Aktakuzat e ngritura në Dhomat e Specalizuara të Kosovës me seli në Hagë, ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, për krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit, i ngarkojnë ata për “ndërmarrje të përbashkët kriminale”.

Sipas aktakuzës, pretendohet se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi “kanë pasur synimin e njëjtë për kryerjen e të gjitha krimeve që janë në këtë aktakuzë, së bashku me anëtarë të tjerë të ndërmarrjes së përbashkët kriminale”.

Aktualisht, të gjithë këta të akuzuar, gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm.

Nga çlirimtar në i pandehur: Kush është Hashim Thaçi?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:04:36 0:00

Termi, “ndërmarrje e përbashkët kriminale”

Termi “ndërmarrje e pëbashkët kriminale” është përdorur në Tribunalin për krime të luftës në ish-Jugosllavi, në aktakuzat ndaj të dyshuarve që u gjykuan në këtë tribunal, për krimet e kryera gjatë luftërave në hapësirat e ish-Jugosllavisë.

Kjo është një doktrinë juridike, e cila anëtarët e një grupi i konsideron individualisht përgjegjës për krimet që i ka bërë grupi dhe nënkupton përgjegjësinë penale të një individi për krimet e kryera nga persona të tjerë brenda kornizës së një plani ose qëllimi të përbashkët.

Megjithatë, siç thotë profesori i së Drejtës Penale Ndërkombëtare, Ismet Salihu, për Radion Evropa e Lirë, termi “ndërmarrje e përbashkët kriminale”, është gati se i njëjtë dhe korrespondon me termin “organizatë kriminale”.

“Këta (Dhomat e Specializuara) e përdorin si lloj eufemizmi. Në vend që të përdorin termin apo nocionin ‘organizatë kriminale’ e kanë sajuar këtë ‘veprimtari (ndërmarrje) e përbashkët kriminale’. ‘E përbashkët’ do të thotë që kanë qenë një grup, që janë marrë vesh, kanë planifikuar, kanë operuar dhe të tjera. Por, lidhur me këtë, them se edhe pse këta kualifikohen si pjesëtarë të veprimtarisë së përbashkët kriminale, secili veç e veç do të gjykohet, për shkak se në të Drejtën Penale Ndërkombëtare, por edhe në të Drejtën Penale Nacionale, nuk pranohet përgjegjësia kolektive”, thekson Salihu.

Ai shton se grupi prej katër të akuzuarve, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi, kanë qenë pjesë e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe kjo ka nxitur dyshimet në opinion se me përdorimin e termit “ndërmarrje e përbashkët kriminale”, Dhomat e Specializuara janë duke akuzuar Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së dhe vet UÇK-në, duke e pretenduar si organizatë kriminale.

Dr. Mark Ellis, drejtor ekzekutiv i Shoqatës Ndërkombëtare të Avokatëve, me seli në Londër, dhe ekspert i së drejtës penale ndërkombëtare, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë në fillim të nëntorit, ka thënë se shfrytëzimi i “ndërmarrjes së përbashkët kriminale, për të marrë dhe ushtruar kontrollin”, është duke u shndërruar në një qasje të zakonshme në të drejtën ndërkombëtare dhe në gjykata.

“Përmes saj, hetohen individët që kanë qëllim të përbashkët, pra për të kryer krime. Gjithashtu, hetuesit shohin edhe synimin e secilit individ veç e veç, por qëllimin e tyre të përbashkët për të kryer një krim të caktuar”, ka thënë ai.

Bujar Dugolli, profesor i Historisë moderne shqiptare në Unversitetin e Prishtinës, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, thotë se deri më tash, kur janë ngritur aktakuzat e Dhomave të Specilizuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së, në asnjë dokument ndërkombëtar kjo organizatë nuk është ndërlidhur me termet “ndërmarrje e përbashkët kriminale” apo “organizatë kriminale”.

Siç shpjegon ai, fillet dhe bërthama e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë nisur me organizimin e grupeve guerile që në fillim të viteve ‘90.

Në vitin 1994 ato grupe marrin emërtimin Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Fundi i vitit 1997 dhe fillimi i vitit 1998, siç thotë ai, e gjen këtë strukturë më të organizuar që çoi deri te themelimi i një shtabi qendror, i cili vepronte në Kosovë.

Vetë emërtimi i kësaj organizate, siç thotë ai, tregon që doktrina e saj ishte çlirimi i Kosovës dhe si e tillë kishte rezultuar për shkak se regjimi i ish-presidentit jugosllav, Sllobodan Millosheviq, aplikonte në Kosovë politikë të shtypjes së egër, vrasjes, krimeve ndaj civilëve dhe dëbimeve masive.

“Faktori ndërkombëtar e ka parë misionin e saj (të UÇK-së) të drejtë, mbrojtës dhe çlirimtar dhe nuk e ka radhitur në asnjë mekanizëm, në asnjë dokument, si një organizatë kriminale apo terrosiste. Prandaj, epitetet që mund t’i jepen ndonjë devijimi eventual të luftës çlirimtare apo formacioneve të UÇK-së, nuk duhet kurrsesi të konsiderohen si ndërmarrje e përbashkët kriminale apo të përgjithësohet i tërë zinxhiri apo e tërë struktura, e cila ka pasur një mision të drejtë dhe fisnik, në raport me atë që ka bërë politika e Beogradit”, vlerëson Dugolli.

Çka është Gjykata Speciale e Kosovës?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:24 0:00

“Hije e zezë” për Kosovën?

Por, cilat do të ishin efektet ndaj vetë trashëgimisë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe për vetë shtetin e Kosovës, në rast se eventualisht krimet e pretenduara të ish-krerëve të UÇK-së vërtetohen në Dhomat e Specializuara?

Profesori i së Drejtës Penale Ndërkombëtare, Salihu, thekson që në rast se kjo eventualisht ndodhë, atëherë, pavarësisht se nuk do të gjykohet dhe fajësohet Shtabi i Pëgjithshëm dhe e tërë UÇK-ja, mbi të do të bie, siç e quan ai, “një hije e zezë”.

“Dashtë e pa dashtë, formohet një perceptim, një konotacion, një hije e zezë që i bie tërë UÇK-së, për shkak se përveç këtyre katërve, në shtab kanë qenë – nuk e di saktësisht – edhe pesë ose dhjetë të tjerë. Mandej, UÇK-në më shumë dhe më shpesh e kanë udhëhequr komandantët e zonave. Së treti, edhe pse është emërtuar, është themeluar Shtabi (i Përgjithshëm) i UÇK-së, ky shtab nuk ka pasur, të themi, pushtet efektiv në tërë territorin e Kosovës. Në kuptimin që të organizojë luftën, ta kontrollojë, ta urdhërojë e të tjera”, vlerëson Salihu.

Edhe profesor Dugolli shpreh mendimin që çfarëdo pretendimi në aktakuzat e ngritura nga Dhomat e Specializuara, e që eventualisht do të mund të vërtetohej, duhet trajtuar si çështje individuale, që nuk e zbeh rolin e luftës së UÇK-së, e cila është pjesë e historisë së Kosovës.

“Ashtu edhe do të mbetet, do të thotë, si një guerile e suksesshme çlirimtare, e cila bëri një luftë të drejtë. Tash, pretendimet e Prokurorisë dhe eventualisht, të themi aprovimi i atyre pretendimeve, nëse do të ketë ndonjë rast të tillë, unë dua t’i kuptoj - dhe besoj që të gjithë duhet t’i kuptojnë ashtu – se nuk mund ta përgjithësojnë tërë rezistencën dhe tërë UÇK-në që ka vepruar. Ato, nëse vërtetohen, mund të jenë të karakterit individual”, thekson Dugolli.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

XS
SM
MD
LG