Ndërlidhjet

Saga e tankeve: Çka përfiton Ukraina, çka rrezikon Perëndimi?


Stërvitje me tanket Leopard në Gjermani. Maj, 2019.
Stërvitje me tanket Leopard në Gjermani. Maj, 2019.

Si agresore në të dyja luftërat botërore, Gjermania me dekada nuk ka dërguar armë në një zonë lufte. “Zeitenwende” apo pika e kthesës për këtë vend ka ndodhur vitin e kaluar, kur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës, apo sulmin më të madh ushtarak në kontinentin evropian që nga Lufta e Dytë Botërore.

Tash gati një vit, aleatët e NATO-s, përfshirë Gjermaninë, e ndihmojnë Ukrainën me armatim e pajisje logjistike. Por, Kievi ka kërkuar vazhdimisht armë më të avancuara, për të qenë në epërsi.

Dhe, pas disa javësh pritjeje, diskutime e supozime, kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka dhënë dritën jeshile për tanket Leopard - që janë një nga modelet me performancën më të mirë në botë.

“Ne do ta furnizojmë Ukrainën me tanke luftarake Leopard 2. Ky është rezultat i konsultimeve intensive me aleatët tanë dhe partnerët ndërkombëtarë”, ka thënë Scholz më 25 janar.

Tanket Leopard janë prodhim gjerman. Rreth 2.000 sosh janë të shpërndara në mesin e aleatëve në Evropë, por të gjitha licencat e eksportit të tyre i ka Gjermania.

Hezitimi i tejzgjatur i Berlinit për të dhënë leje për dërgimin e tyre në Ukrainë, ka çuar në presion të madh nga aleatët perëndimorë. Se çfarë e ka shqetësuar Scholzin, ka spekulime të ndryshme - nga e kaluara historike e Gjermanisë deri te frika e hakmarrjes nga Rusia.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se i është mirënjohës Berlinit për tanket që do t’ia dërgojë, por zyrtarët rusë e kanë cilësuar këtë vendim si “provokim”.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, ka thënë se kjo është “luftë e planifikuar paraprakisht kundër Moskës”. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se armët perëndimore të teknologjisë së lartë do ta sjellin luftën “në një nivel krejtësisht të ri”, që “nuk do të jetë një shenjë e mirë nga pikëpamja e sigurisë globale dhe pan-evropiane”.

Në anën tjetër, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i ka dhënë mbështetje Gjermanisë dhe ka thënë se tanket Leopard do ta ndihmojnë Ukrainën ta fitojë luftën.

“Në një moment kritik të luftës së Rusisë, ato mund ta ndihmojnë Ukrainën të mbrohet, të fitojë dhe të mbizotërojë si një komb i pavarur”, ka shkruar Stoltenberg në Twitter.

Optimizëm të ngjashëm ndajnë edhe disa analistë, edhe pse më të matur. Thorsten Benner, nga Instituti Global i Politikave Publike në Berlin, flet për programin Expose të Radios Evropa e Lirë:

“Shanset që ushtarët ukrainas të mbijetojnë në tanket gjermane ose amerikane janë shumë më të mëdha se në tanket sovjetike, të cilat i ka përdorur Ukraina deri më tash. Ukrainës i duhet më shumë mbështetje përpara ofensivës së pranverës, të cilën e ka paralajmëruar Rusia. Por se çfarë efekti do të kenë tanket në detaje, mbetet të shihet”.

Leopardët pritet të dërgohen në Ukrainë në fund të marsit ose fillim të prillit, ka thënë ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius. Ato do t’i japin këtij vendi qasje edhe në një grup më të madh municionesh moderne të NATO-s. Kjo padyshim se do të ketë efekt në luftë, thotë për Exposenë Jakub Eberle, nga Instituti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, me seli në Pragë.

“Ato janë armë shumë të fuqishme. Nuk e di nëse do ta ndryshojnë rrjedhën e luftës, ose sa do ta ndryshojnë, por definitivisht do të bëjnë një ndryshim. Kjo është e padiskutueshme”, thotë Eberle.

Tanku Leopard, prej 55 tonësh, ka një rreze veprimi prej rreth 500 kilometrash dhe shpejtësi maksimale prej rreth 68 kilometrash në orë. Por, sasia që ka thënë se do të dërgojë Gjermania në Ukrainë, nuk do të bëjë ndonjë dallim, thotë për Exposenë Ulrich Brueckner, profesor i shkencave politike në Universitetin Stanford në Berlin.

“Nëse i shohim numrat, rusët kanë rreth 2.500 tanke luftarake dhe ukrainasit kanë shumë më pak, disa qindra. Gjermania ka premtuar se do të dërgojë një njësi operacionale. Nuk e di se sa ekuivalente është saktësisht, por janë pak, janë 14. Dhe, askush nuk është mjaft i informuar që të tregojë se çfarë mund të bëjnë sistemet e ndryshme të armëve, në çfarë rrethanash, dhe sa të tilla nevojiten për të ndryshuar lojën”, thotë Brueckner.

Komandanti i përgjithshëm i forcave të armatosura të Ukrainës, Valeriy Zaluzhniy, ka thënë dhjetorin e kaluar se vendit të tij i duhen 300 tanke, 600-700 automjete të blinduara luftarake dhe 500 obusë, për t’i dëbuar rusët. Përpara luftës, Ukraina ka pasur rreth 850 tanke, por, sipas ueb-faqes Oryx, që mbledh të dhëna për pajisjet e shkatërruara, ajo ka humbur rreth gjysmën e tyre. Vëzhguesit thonë se humbjet reale mund të jenë edhe më të mëdha, por se Ukraina nuk e zbulon numrin e tankeve të saj, duke e konsideruar atë si sekret shtetëror.

Në të njëjtën ditë kur Gjermania ka dhënë dritën jeshile për Leopardët, Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar se do ta furnizojnë Ukrainën me 31 tanke të avancuara Abrams. Ka qenë pikërisht ky paralajmërim i SHBA-së që e ka bindur edhe Berlinin t’i zhbllokojë Leopardët. Megjithatë, Abramsët, që janë ndër tanket më të fuqishme të SHBA-së, nuk do të arrijnë në Ukrainë së shpejti. Zyrtarë të lartë amerikanë kanë thënë se do të duhen muaj, jo javë, për furnizimin e Ukrainës me to.

Ulrich Brueckner, nga Universiteti Stanford në Berlin, thotë se ngurrimi i Scholzit për Leopardët dhe miratimi i tyre vetëm pasi SHBA-ja e ka siguruar se do t’i dërgojë edhe ajo tanket e saj, nuk janë sinjale të mira - sidomos në kohën kur Perëndimi duhet të tregohet i bashkuar përballë agresionit rus.

“Ukraina nuk do të mund të mbijetonte pa mbështetjen e NATO-s apo të Perëndimit të bashkuar, andaj Perëndimi duhet të jetë i bashkuar. Dhe, ajo çfarë ka bërë Scholz në javët e kaluara, paraqet çarjen e parë në unitetin e Perëndimit. Ky është një çmim i lartë politik. Dhe, është e vështirë të kuptohet se pse e ka marrë këtë pozicion”, thotë Brueckner.

Disa media, si BBC, kanë shkruar se shumë gjermanë druajnë se dërgimi i tankeve të rënda dhe armatimeve të tjera sulmuese në Ukrainë, mund ta shtyjë presidentin rus, Vladimir Putin, në ekstreme edhe më të mëdha - përfshirë përdorimin e armëve bërthamore. Sipas BBC-së, kjo mund të jetë edhe një nga arsyet se përse Scholz e ka shtyrë vendimin dhe ka pritur që edhe Uashingtoni të dërgojë tanke në Ukrainë, në mënyrë që të mos ndjehet i vetëm në bord.

Brueckner nuk pret që kërcënimet e Moskës të shndërrohen në diçka tjetër, përveç retorikës. Ai thotë se Ukraina nuk do ta rrezikojë mbështetjen nga Perëndimi me ndonjë veprim të pamatur.

“Nuk mendoj se Ukraina do të sulmojë ndonjëherë tokën ruse - për çfarëdo arsyeje. E njëjta gjë vlen për tanket. Ideja se tanket Leopard mund të hyjnë në territorin rus për vetëmbrojtje, është absurde, marrë parasysh varësinë e Ukrainës nga mbështetja perëndimore. Nuk mendoj se Ukraina do të shkonte ndonjëherë aq larg, për të testuar mbështetjen perëndimore, duke kaluar një vijë të kuqe si kjo”, thotë Brueckner.

Presidenti i Ukrainës, Zelensky, ka kërkuar nga Perëndimi edhe avionë luftarakë dhe raketa me rreze të gjatë veprimi. Megjithatë, Shtetet e Bashkuara kanë refuzuar t’i dërgojnë Ukrainës armë të tilla nga frika se mund ta përshkallëzojnë situatën.

Lufta në Ukrainë tashmë është në vitin e dytë kalendarik. Mijëra njerëz janë vrarë, miliona janë larguar nga shtëpitë, ndërsa dëmet materiale, tash për tash, janë të pallogaritshme. Nëse lufta do të përfundojë në fushëbetejë apo tryezë bisedimesh, nuk dihet. Një përcaktuese e rëndësishme mund të jetë ofensiva e pranverës e Rusisë. Putin ka thënë se rreth 50.000 trupa të sapomobilizuara janë tashmë në front, ndërsa rreth 250.000 të tjera janë duke u trajnuar.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG