Ndërlidhjet

A ishte Demarkacioni kushti i fundit për liberalizimin e vizave? 


Fotografi ilustruese

Me ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, Kosovës i hapet mundësia e perspektivës evropiane duke nisur me procesin e liberalizimit të vizave, thonë analistët politikë në Prishtinë.

Sipas tyre, përmbyllja e Demarkacionit me Malin e Zi, paraqet një zhvillim të rëndësishëm për Kosovën.

Analisti Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se Marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi do t’i zhbllokojë Kosovës sado pak rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian.

Ai thotë se me ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, Kosova gradualisht po i përcakton kufijtë e saj shtetëror.

"E mira e gjithë këtij procesi është që gradualisht Kosova po i përcakton kufijtë e saj shtetëror. Kjo është ndoshta pjesa më e rëndësishme e ratifikimit të kësaj marrëveshjeje, për shkak se liberalizimi i vizave është proces i cili mund të ndodhë dhe mund të hiqet pastaj. Është e drejt e BE-së që t’u jap ose jo vendeve liberalizimin e vizave, nëse kjo mundësi pra keqpërdoret edhe mund të humb si e drejtë", tha Krasniqi.

Ndërkaq, Petrit Zogaj, drejtor ekzekutiv i organizatës "Fol", thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosova është vonuar shumë me ratifikimin e kësaj marrëveshjeje. Sipas tij, tani mekanizmat institucionalë duhet të angazhohen maksimalisht, në mënyrë që të mos ketë zvarritje të reja në procesin e liberalizmit të vizave.

"Sigurisht që Kosova ose politika e jashtme e saj duhet që tash të fillojë me hapa të shpejtë të komunikojë me Komisionin Evropian dhe të merret një datë e përafërt se kur ne mund ta dimë afërsisht që Komisioni Evropian do t'i bind shtetet anëtare të BE-së për liberalizimi e vizave për qytetarët e Kosovës", tha Zogaj.

Megjithatë, sipas Zogajt, institucionet e Kosovës duhet të punojnë shumë në funksionalizimin e shumë mekanizmave, të cilët kërkohet të funksionojnë të pavarura e të pandikuara.

"Në atë renditjen e 97 kritereve (të BE-së) sa kanë qenë, ende mbesin problemet. Ne kemi nivel shumë të lartë të korrupsionit. Ne kemi një sistem të gjyqësisë dhe prokurorive të cilat nuk kanë një pavarësi të duhur për të funksionuar. Qytetarët e Kosovës nuk kanë qasje në drejtësi, ashtu siç mund të kenë një pjesë e qytetarëve të Bashkimit Evropian, apo siç kanë shtetet demokratike, që e kanë një demokraci funksionale", tha Zogaj.

Ai theksoi po ashtu se udhëheqja politike në Kosovës, duke përfshirë edhe partitë politike opozitare, duhet t'i hapin rrugë zhvillimit ekonomik të vendit dhe uljes së papunësisë dhe temave të tjera të cilat kanë mbetur pa u diskutuar.

Sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, përqëndrimi ndër vite vetëm në temën e Demarkacionit, ka bllokuar edhe shumë procese e çështje të rëndësishme për vendin.

Analisti Krasniqi thotë se tash Kuvendi mund të shkojë përpara me shumë çështje dhe të kthehet vëmendja te temat e duhura dhe të nevojshme për të mirën e qytetarëve.

"Besojmë se tash kur kjo temë kaloi të kthehet vëmendja të ato problemet e tjera dhe sidomos në shëndetësi, arsim dhe sundim të ligjit në tri prej problemeve më të mëdha më të cilat ballafaqohet shteti i Kosovës", tha Krasniqi.

Marrëveshja e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi është nënshkruar në gusht të vitit 2015 në Vjenë.

Me 80 vota për, 11 kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës të mërkurën ratifikoi Marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

Pas ratifikimit të demarkacionit, Kosova pret që Komisioni Evropian, qysh në muajin qershor, të konfirmojnë gatishmërinë e BE-së për lëvizjen e lirë, pa viza për qytetarët e Kosovës.

XS
SM
MD
LG